Padia për shpifje, Gjini obligohet që Kusari-Lilën ta kompensojë 1500 euro

Padia për shpifje, Gjini obligohet që Kusari-Lilën ta kompensojë 1500 euro

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e ish-kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në rastin ku ajo me pretendimin për shpifje, e ka paditur kryetarin aktual të kësaj komune, Ardian Gjini.

Me pretendimet se gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet e fundit lokale, në debatet televizive, kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini ka shpifur ndaj saj, tani deputetja Kusari-Lila, kishte kërkuar kompensim dëmi në shumë prej 6,500 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kërkesëpadia e Kusari-Lila është aprovuar pjesërisht.

Pjesërisht është aprovuar edhe pjesa e kërkesëpadisë ku kërkohet që në emër të kompensimit të dëmit, i padituri t’ia paguajë Kusari-Lilës, shumën prej 6500 euro, ashtu që Gjykata e ka obliguar të paditurin që në emër të cenimit të autoritetit dhe shkaktimit të dhimbjes shpirtërore t’ia paguajë paditëses vetëm shumën prej 1500 euro, ndërsa pjesa tjetër në shumën prej 5000 euro, është refuzuar si e pathemeltë.

“Pjesërisht aprovohet kërkesëpadia e paditëses Mimoza Kusari-Lila, ashtu që vërtetohet se i padituri Ardian Gjini në emisionin “Rubikon” më 24.10.2017 ka shpifur duke thënë se “zonja Mimoza Kusari Lila i ka dhënë tender bizneseve në të cilat është partner bashkëshorti i saj Arben Lila, duke shtuar se nuk ka lënë gjë pa bërë për interesat personale, duke shtuar se Arben Lila është partner në kompaninë Fiberlink dhe në diskotekë tjetër” është shpifje, si e bazuar”, thuhet në dispozitiv të aktgjykimit.

Ndërsa, sipas aktgjykimit të përpiluar nga gjykatësi Drilon Haraçia, është refuzuar si i pabazuar pretendimi i paditëses Kusari-Lila, sa i përket çështjes se i padituri ka deklaruar se “Kusari Lila ka shpronësuar tokat afër kullës së Sylejman Vokshit për interesa personale dhe kësisoj ka zhvatur buxhetin e Komunës së Gjakovës për interesa personale”.

“Refuzohet kërkesëpadia e paditëses Mimoza Kusari Lila kundër të paditurit Ardian Gjini me të cilën ka kërkuar që të vërtetohet se më 2.10.2017, në mënyrë publike në emisionin “Magazina Lokale” në Klan Kosova, Ardian Gjini ka fyer ose shpifur se znj. Kusari-Lila i ka dhënë vetes leje 23 metra afër kullës së Sylejman Vokshi duke i futur në borxh qytetarët e Gjakovës, Kryetarja e komunës, znj.Kusari Lila ka shpronësuar tokat afër kullës së Sylejman Voshi për interesa personale dhe kësisoj ka zhvatur buxhetin e Komunës së Gjakovës, për interesa personale, si e pabazuar”, thuhet në aktgjykim.

Në arsyetimin e aktgjykimit sa i përket pikës së parë të kërkesëpadisë, e cila është aprovuar nga Gjykata thuhet se ajo deklaratë e dhënë nga ana e të paditurit nuk ka qenë në interes të publikut, pasi që siç thuhet, i njëjti ka pasur qëllime jo të mira dhe se qëllimi i të cilit ka qenë që të nënçmohet paditësja para publikut.

Në arsyetimin e aktgjykimit lidhur me pikën dy të kërkesëpadisë, e cila është refuzuar si e pabazuar nga Gjykata thuhet se një deklaratë e tillë nga ana e të paditurit ka qenë në interes të përgjithshëm të publikut.

“Sa i përket pikës dy të kërkesëpadisë, Gjykata vendosi që ta refuzojë për faktin se nga incizimi i emisionit vet e paditura ka deklaruar se familjes Kusari, e cila është e përfshirë në procedurën e shpronësimit janë djemtë e axhës të babait, po ashtu kjo Gjykatë konsideron se deklarimi i të paditurit ka qenë në interes të përgjithshëm të publikut, për shkak se kjo ka qenë në interes të qytetarëve të Komunës së Gjakovës duke u bazuar në nenin 7 të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit.

Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, avokati i të paditurit, Meshari Selimaj ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë.

“Edhe përkundër faktit se pjesa më e madhe e kërkesëpadisë është refuzuar nga Gjykata, ne akoma besojmë që kjo lëndë nuk ka qenë dashur të trajtohet nga gjyqtari në fjalë, për faktin se kemi të bëjmë me një gjyqtar, i cili gjykon çështjen e palëve ndërgjyqëse ku subjekt i votimit ka mundur të jetë vet gjyqtari për shkak se është qytetar i Gjakovës dhe në procesin zgjedhor të balotazhit edhe këtij gjyqtari i është servuar zgjedhja për votim mes këtyre dy kandidatëve”, ka thënë ai.

Ndërsa, avokati i paditëses, Durim Osmani, për “Betimi për Drejtësi”, deklaroi se pas marrjes së aktgjykimit do të vendosin nëse do të bëjnë ankesë pas konsultimit me klienten e tij, duke shtuar se qëllimi kryesor është arritur dhe se sipas tij, është vërtetuar se ka pasur shpifje.

Ndryshe, sipas padisë së parashtruar më 20 nëntor 2017, thuhet se i padituri Ardian Gjini më 2 tetor 2017, në emisionin “Magazina Lokale” në televizionin Klan Kosova dhe më 24 tetor 2017 në emisionin “Rubikon” në KTV, ka dhënë deklarata publike, me përmbajtje shpifje.

Siç thuhet në padi, më 2 tetor 2017, në emisionin “Magazina Lokale” të Klan Kosovës, i padituri ka deklaruar se: “znj. Mimoza Kusari Lila i ka dhënë vetes leje 23 metra larg kullës ”Sylejman Vokshi”, duke i futur kështu në borxh qytetarët e Gjakovës”.

Sipas padisë, më 24 tetor 2017, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, i padituri ka aloduar se: “znj. Mimoza Kusari Lila i ka dhënë tenderë bizneseve në të cilat është partner bashkëshorti, në këtë rast z. Arben Lila, duke shtuar këtu se nuk  ka lënë gjë pa bërë për interesa personale”, ka theksuar se bashkëshorti, pra “Arben Lila është partner në Fiberlink dhe në një diskotekë”, pa cekur emër.

Sipas padisë, njëkohësisht, në të njëjtin emision, ka deklaruar se: “kryetarja e komunës, znj. Mimoza Kusari Lila ka shpronësuar tokat afër kullës “Sylejman Vokshi” për interesa personale dhe kësisoj ka zhvatur buxhetin e Komunës së Gjakovës për interesa personale.”

Në bazë të padisë thuhet se pretendimet e të paditurit nuk qëndrojnë në asnjë rrethanë dhe në këtë rast bashkëshorti i paditëses Arben Lila, nuk është as partner, as pronar i “Fiberlink”-ut, apo çfarëdo diskoteke që i padituri pretendon në deklaratat e tij publike, e në fakt i asnjërit nga bizneset të cilat kanë fituar tenderë në Komunën e Gjakovës.

Gjithnjë sipas padisë, paditësja nuk ka pasur asnjë interes personal në shpronësimin e tokave përreth kullës “Sylejmon Vokshi”, marrë parasysh se plani urbanistik për këtë pjesë është draftuar shumë kohë para se Mimoza Kusari-Lila në cilësinë e kryetares së komunës t’i shërbej qytetarëve të Gjakovës, për më tepër, siç thuhet në padi, kulla në fjalë është trashëgimi kulturore e mbrojtur dhe çdo veprim në kundërshtim me planin urbanistik do të ishte i kundërligjshëm.

Sipas padisë, i padituri duke vepruar në kundërshtim me Ligjin Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, jep të kuptohet se deklarata janë tendecioze, shpifëse dhe fyese.

Andaj, në padinë thuhet se kërkon nga Gjykata që të nxjerr aktgjykim me anë të se cilit detyrohet i padituri Ardian Gjini qe paditëses Mimoza Kusari Lila t’ia paguaje shumën prej 3250 euro në emër të cenimit të autoritetit dhe shumën prej 3250 euro në emër te shkaktimit të dhimbjeve shpirtërore, me kamatë ligjore prej 8% duke filluar nga dita e parashtrimit të padisë e deri në pagesën definitive, si dhe të obligohet t’i paguajë shpenzimet procedurale në afat prej 15 ditësh nën kërcënimin e përmbarimit. /BetimipërDrejtësi