Shqipëri, OSBE thotë se po njolloset reputacioni ndërkombëtar i vendit

Shqipëri, OSBE thotë se po njolloset reputacioni ndërkombëtar i vendit

OSBE ka reaguar pas situatave tensionuese dhe konfliktuale që janë krijuar në disa bashki të Shqipërisë sa u përket lirimit të ambienteve që shërbejnë si KZAZ.

Në njoftim theksohet se OSBE i dënon me forcë sulmet e dhunshme kundër organeve përgjegjëse pasi kjo pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar.

“Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizuesve të protestës së të premtes të sigurojnë një protestë paqësore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështetë shtetin ligjor dhe demokracinë në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Reagimi i plotë:

Prezenca e OSBE-së i dënon me forcë sulmet e dhunshme të këtyre ditëve kundër organeve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri. Të gjitha proceset politike dhe administrative duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e shtetit ligjor.

Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, përbën shkelje të ligjit, pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar. Jo vetëm autorët e dhunës, por edhe nxitësit e saj, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ne bëjmë thirrje që autoritetet shtetërore të ndërmarrin të gjitha masat, sipas legjislacionit në fuqi, për të hetuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e dhunës.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizuesve të protestës së të premtes të sigurojnë një protestë paqësore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështetë shtetin ligjor dhe demokracinë në Shqipëri.