Kërkohet paraburgim për personin që vodhi tetë mijë euro në Ferizaj

Kërkohet paraburgim për personin që vodhi tetë mijë euro në Ferizaj

Prokuroria Themelore e Ferizajt sot ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore, kundër të pandehurit R.Sh, pasi që i njëjti dyshohet se më 17 prill të këtij viti, ka kryer një grabitje.

Sipas prokurorisë, i pandehuri R.Sh, në bashkëkryerje edhe me dy të pandehurit tjerë, më 17 prill të këtij viti, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, të maskuar, njëri me armë, kishin hyrë në lokal dhe nën kërcënim të armëve nga viktima kanë marr kasën me para  në vlerë prej tetë mijë eurosh.

Po ashtu prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri R.Sh, është në ndalim që nga dita e djeshme.

Njoftimi i plotë i prokurorisë pa ndërhyrje:

Kërkohet paraburgim për veprën penale “Grabitja”

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin se sot ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kundër të pandehurit  R.Sh., nga Prishtina, i cili gjendet në ndalim që nga data 18.06.2019, sepse ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 17 Prill 2019, në Ferizaj, saktësisht në pikën ”Money Gram”, i pandehuri R.Sh., në bashkëkryerje edhe me dy të pandehurit tjerë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, të maskuar, njëri me armë, kishin hyrë në lokal dhe nën kërcënim të armëve nga viktima kanë marr kasën me para  në vlerë prej tetë mijë (8000) eurosh dhe pasi kanë grabitur paratë janë larguar në drejtim të panjohur, me të cilën do të kryenin veprën penale në bashkëkryerje “Grabitja”.​