"Normalizim, që të vihet në vend drejtësia e munguar tash e 20 vjet"

"Normalizim, që të vihet në vend drejtësia e munguar tash e 20 vjet"

Kosova dhe Serbia duhet të përshpejtojnë procesin për normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që të vihet në vend drejtësia e munguar tash e 20 vjet për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Kështu ka deklaruar sot ambasadori i SHBA-së, Philip S. Kosnett, para shfaqjes se filmit "Prokurorët", me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

"Me qëllim nuk i quaj këta të mbijetuar viktima, sepse nuk përkufizohen si viktima. Ata janë njerëzit më guximtar që i njoh. Nuk kërkojnë shumë, siguri, kujdes shëndetësor dhe pension të vogël. Por, ata meritojnë drejtësi. Të pyesim vetveten, çka mund të bëjmë të inkurajojmë të gjithë në Kosovë që të raportojnë rastin e tyre? Së pari, besoj se është stigma që lidhet me të mbijetuarit e dhunës seksuale mund të hiqet vetëm me ndihmën e komunitetit. Në nivelin qendror, më vjen mirë të mund të deklaroj se Kosova ka filluar të përparojë për të krijuar një mjedis të sigurt për të mbijetuarit që të raportojnë rastin e tyre dhe për t'ua ofruar shërbimet dhe resurset e domosdoshme kur raportojnë. Kosova është duke dhënë shembullin për këtë, por nevojitet mbështetje politike për të vazhduar rrugën, rritje e buxhetit për të mbijetuarit. E vërteta e hidhur është se pas 20 vjetësh, disa raste nuk mund të ndiqen. Në disa raste nevojitet bashkëpunimi me vendet fqinje dhe kjo është arsyeja pse Kosova dhe Serbia duhet të përshpejtojnë procesin për normalizimin e marrëdhënieve", tha ai.