Greqia - Shqipërisë: Negociatat varen nga sjellja me minoritetin dhe Himara

Greqia - Shqipërisë: Negociatat varen nga sjellja me minoritetin dhe Himara

Vetëm disa orë pas raportit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, sipas të cilit janë shtyrë për në vjeshtë vendimet për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ,Ministri i Jashtëm grek ka deklaruar në një emision në TV publik “ERT”, se për herë të parë Këshilli ka vendosur të përcaktohen zyrtarisht si kritere për integrimin e Shqipërisë në BE, respektimi i drejtave të pronësisë të minoritetit si dhe e drejta e vetë përcaktimit.

“Ky vendim është një sukses i rëndësishëm në radhë të parë për mbrojtjet e të drejtave të minoritetit tonë në Shqipëri. Për herë të parë në mënyre kaq të qartë lidhet perspektiva europiane e Shqipërisë me respektimin e të drejtave të minoritetit në zonën e Himarës dhe jo vetëm, dhe me e rëndësishme është e drejta e vetë deklarimit”, është shprehur Ministri i Jashtëm, Georgios Katrougkalos.

Në pikën pesë të Konkluzioneve të Këshillit mbi zgjerimin dhe procesin e stabilizimit dhe asocimit i vihet theksi :

“Rritjes së përpjekjeve në lidhje me mbrojtjen e të drejtave themelore,përfshirë të drejtat e personave që i përkasin pakicave kombëtare, zbatimit të angazhimeve të marra në lidhje me vetë-deklarimin objektiv dhe të lirë, trajtimin jo-diskriminues të pakicave kombëtare dhe kërkohet të përballohet diskriminimi i grupeve vulnerabël, si romët apo ato me preferencë të ndryshme seksuale.(LGBTI). Duhet gjithashtu të sigurohet e drejta për pronën.”

Edhe per shefin e departamentit të jashtëm të Demokracisë së Re, Jorgos Koumoutsakos vlerësohet se Konkluzioni përbën një raport pozitiv.

“Ne gjykojmë se sa i përket Shqipërisë ,në radhë të parë për politikën e saj të brendshme ,por kryesisht për shkak të sjelljes së papranueshme përballe minoritetit grek,ajo nuk ka plotësuar në këto moment aspektin kryesor të kritereve europiane, për të marrë dritën jeshile të hapjes së negociatave”, është shprehur Georgios Koumoutsakos, shefi i departamentit të jashtëm të Demokracisë së Re.

Ndërkohë edhe njëherë burime diplomatike greke ,theksojnë se pavarësisht kërkesës për kriteret që flasin për respektimin e minoritetit, Greqia mbështet hapjen e negociatave me dy fqinjët e saj Ballkanike, pasi vlerësohet se anulimi i vendimit për hapjen e negociatave mund të sjellë një krizë të gjerë në Ballkan dhe Europë./TCh