Pompeo anulon vizitën në Sri Lanka

Pompeo anulon vizitën në Sri Lanka

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo anuloi një vizitë në Sri Lanka, pjesë e axhendës së tij të ardhshme në rajonin e Indo-Paqësorit, që përfshin shoqërimin e Presidentit Donald Trump në takimin e grupit të G-20-s në Japoni.

Ambasada amerikane në Kolombo (Sri Lanka) përmendi si arsye një “konflikt të pashmangshëm në axhendë”. Nëse vizita do të zhvillohej, ajo do të ndodhte pothuaj dy muaj pas sulmeve vdekjeprurëse gjatë së dielës së Pashkëve që vranë më shumë se 250 vetë.

“Sekretarit Pompeo i vjen keq që nuk do të jetë në gjendje të vizitojë Kolombon gjatë kësaj periudhe“, thuhej në një deklaratë të ambasadës. “Ai shpreson të shkojë në Sri Lanka në një datë më të vonshme për të nënvizuar partneritetin e fortë me këtë vend, në angazhimin e tij për demokraci, rritje ekonomike dhe një rajon të lirë e të hapur të Indo-Paqësorit“.

Diplomati më i lartë amerikan do të vizitojë Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut prej datave 24 deri në 30 qershor me qëllim zgjerimin e partneritetit të Uashingtonit me aleatët e rajonin të Indo-Paqësor. Tregtia dhe Koreja e Veriut janë në krye të axhendës së takimeve.

Vizita e sekretarit të Shtetit Pompeo në Nju Delhi vjen pas një vendimi të Presidentit Trump për t’i dhënë fund trajtimit preferencial tregtar të Indisë ndërsa janë thelluar mosmarrëveshjet mbi politikat proteksioniste.

“Ne mbetemi të hapur për dialog dhe shpresojmë që miqtë tanë në Indi do t’i heqin pengesat e tyre tregtare“, tha zoti Pompeo gjatë një takimi të zhvilluar së fundmi të Këshillit të Biznesit Amerikan në Indi.

Në Nju Delhi zoti Pompeo do të diskutojë partneritetin strategjik SHBA-Indi me kryeministrin indian Narendra Modi, i cili u rizgjedh muajin e kaluar.

Diplomati më i lartë amerikan pritet t’i bashkohet Presidentit Trump për takimin e grupit të G-20-s. Zoti Trump pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping në periferi të takimit ndërsa janë përshkallëzuar mosmarrëveshjet tregtare mes dy vendeve.

Takimi shumëpritur Trump-Xi do të ndodhë pas vizitës së planifikuar të zotit Xi në Korenë e Veriut që zhvillohet më vonë këtë javë. Kjo shënon herën e parë në 14 vjet që një udhëheqës kinez viziton Phenianin.

Zoti Pompeo do të jetë i pranishëm edhe gjatë takimit që zoti Trump do të zhvilloje me kryeministrin japonez Shinzo Abe në periferi të G-20-s. Pas takimi të grupit të 20 vendeve më të industrializuara të botës sekretari i Shtetit do të shoqërojë gjithashtu presidentin Trump për në Seul për takimin me presidentin Moon Jae-in.

Zyrtarët thonë se udhëheqësit e SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë do të forcojnë bashkëpunimin trepalësh për një qasje të unifikuar me qëllim “çarmatimin bërthamor përfundimtar, e plotësisht të verifikuar” të Koresë së Veriut.