Tre paditës kërkojnë 12 mijë euro kompensim nga BKS-ja

Tre paditës kërkojnë 12 mijë euro kompensim nga BKS-ja

Tre paditësit Marko Rexhaj, Edison Gashi, Korpar Matija, po kërkojnë 12 mijë euro kompensim nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), lidhur me aksidentin që kishte ndodhur në prill të vitit 2017, në Pejë.

Me pretendimet se gjatë këtij aksidenti, ata kishin pësuar dëme materiale dhe jo materiale, në korrik të vitit 2017, kanë ushtruar padi ndaj BKS-së.

Për këtë rast, të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, është mbajtur seanca përgatitore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I autorizuari i BKS-së, Rifat Kelmendi, ka deklaruar që mbesin pranë përgjigjes në padi, duke kërkuar që të sigurohen shkresat penale, të cilat ndërlidhen me këtë çështje.

“Konsideroj që janë të domosdoshme që pala paditëse të sjell provat e kërkuara si në përgjigjen në padi, meqë në këtë aksident kanë marrë pjesë pesë vetura dhe duhet të sqarohen rrethanat se si ka ardhur deri tek aksidenti, ka thënë Kelmendi.

Kurse, e autorizuara e paditësve, avokatja Pranvera Zhara, ka deklaruar që mbetet pranë padisë dhe kërkesës së saj, duke kërkuar nga gjykata që t’i jep një afat të caktuar kohor, për t;i siguruar këto shkresa nga divizioni penal, e të cilat kanë thënë se më pas do t’i dorëzojë me parashtresë.

Gjykatësi i çështjes, Fatmir Baloku, seancën e radhës e ka caktuar, më 11 shtator 2019, në ora 11:00.

Sipas padisë së ushtruar më 4 korrik 2017, ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Marko Rexhaj dhe Edison Gashi, secili veç e veç, kanë kërkuar që në emër të dëmit material dhe jo material t’iu kompensohet shuma nga pesë mijë euro, ndërsa Korpar Matija, ka kërkuar që në emër të dëmit material të shkaktuar në makinë, t’i kompensohet shuma prej dy mijë euro.

Sipas padisë, ata kanë kërkuar nga BKS-ja që t’iu kompensohet dëmi nga auto përgjegjësia në vlerë të përgjithshme prej 12 mijë euro.

Në padi thuhet se më 15 prill 2017, është shkaktuar aksident i komunikacionit rrugor, duke u përfshirë disa vetura, me ç’rast paditësi Marko Rexhaj, dhe paditësit Edison Gashi dhe Korpar Matija, në cilësinë e bashkudhëtarëve, kanë pësuar dëme materiale në makinë, si dhe dëme jo materiale, të cilat janë manifestuar me frikë, dhimbje, shëmtim etj.

Në padi thuhet që shkaktuari i aksidentit, sigurimin nga auto përgjegjësia e ka pasur me afat të skaduar, andaj paditësit me anë të padisë, kompensimi e dëmit e kërkojnë nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS). /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi