Turqia ofron mbështetje për SHSKUK

Turqia ofron mbështetje për SHSKUK

Zëvendësministrja  e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë, Dr. Emine Alp Meşe, në kuadër të zhvillimit të Javës së Shëndetësisë Kosovë- Turqi, ka vizituar sot Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo është pritur në takim nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, i cili fillimisht e ka njoftuar atë në lidhje me strukturën dhe organizimin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. 

Ai e njoftoi se ka ndodhur një riorganizim i tërësishëm në strukturën e SHSKUK, ku  është krijuar sektori për kualitet dhe cilësi të shërbimeve shëndetësore, poashtu ai për  donacione dh bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndryshime tjera që kanë qëllim organizimin më të mirë të punës.

Duke e falënderuar për ndihmesat e deritanishme, drejtori Sejdiu theksoi se ishte i mirëseardhur bashkëpunimi me shtetin turk, sepse ndihma ka ardhur kur ka pasur shumë nevojë.

“ Ka qenë i mirëseardhur ndihma, sidomos sa i përket edukimit të stafit në shumë profile të ndryshme”, përfundoi  drejtori Sejdiu.

Zv. Ministrja Emine Alp Meşe,  potencoi se Turqia është avancuar mjaft në shëndetësi, ka mjekë mjaft të arsimuar në të gjitha shërbimet.  

“ Jemi të lumtur që ju ofrojmë pacientëve nga Kosova ndihmën, jemi të gatshëm të ndajmë dijet tona me vëllezërit tonë nga Kosova, marrëveshje që u nënshkrua sot është në këtë kuadër, i mirëpresim mjekët kosovarë në Turqi” u shpreh ajo.

Gjatë takimit, u bisedua mundësia që mjekët nga Kosova të shkojnë për edukim në Turqi, për profile të ndryshme, e poashtu, në raste të tubimeve dhe konferencave profesionale edhe mjekët nga Turqia të vijnë në Kosovë.

Znj. Alp Meşe, pas takimit vizitoi Klinikën Infektive ku u njoftua me punën që bëhet në këtë klinikë.