Naser Pajazitaj i dënuar me burgim të përjetshëm kërkon lirim ose rigjykim

Naser Pajazitaj i dënuar me burgim të përjetshëm kërkon lirim ose rigjykim

Për herë të dytë, Gjykata e Apelit ka shqyrtuar ankesat e palëve, në rastin e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Naser Pajazitaj, i cili akuzohet për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Në herën e parë, Apeli e kishte shqyrtuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, pasi që nga organi i akuzës ishte atakuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë, e cila në mars të vitit 2018, Naser Pajazitajn e kishte liruar nga akuzat për vrasje të rëndë, e ku më pas gjykata e shkallës së dytë, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.

Ndërsa, në herën e dytë, Apeli ka mbajtur seancën ku ka shqyrtuar ankesën e të akuzuarit Pajazitaj, pasi që gjykata e shkallës së parë, në mars të vitit 2019, pas rigjykimit e ka dënuar atë me burgim të përjetshëm.

Naser Pajazitaj akuzohet se me 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së enjtes, të kolegjit të Apelit, mbrojtësi i dënuarit Pajazitaj, avokati Gëzim Kollqaku, ka kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që të merr vendim me të cilin klienti i tij të lirohet nga përgjegjësia penale, ose në të kundërtën rastin ta kthejë edhe një herë në shkallë të parë, në një proces të tretë të gjykimit.

Avokati Kollqaku, këto kërkesa i ka bërë me arsyetimin se Gjykata Themelore në Pejë, ka marrë vendim të gabuar kur e ka dënuar Naser Pajazitajn, pasi duke shkelur procedurat ligjore, sipas tij, ka bërë vlerësim të gabuar të provave ose nuk ka trajtuar të gjitha provat e propozuara nga ana e mbrojtjes.

Përmes ankesës, Kollqaku është duke pretenduar se në kohën kur tani e ndjera ishte zhdukur, hartografia e telefonit e të mbrojturit të tij, ishte në fshatin Strellc të Deçanit.

“Kjo provë tregon se i pandehuri Naser Pajazitaj nuk e ka marrë tani të ndjerën me automjet të tij në orën 13:44, siç pretendohet me aktgjykim dhe ta dërgojë në malet e bjeshkëve të Strellcit, ngase me provën e përmendur është vërtetuar se i pandehuri rreth orës 14:00, ka qenë në fshatin Strellc”, thuhet në njërën pikë të ankesës.

Në lidhje hartografinë e thirrje telefonike nga i pandehuri, e cila sipas Gjykatës Themelore në Pejë ishte konsideruar një provë e re, e cila vërtetonte lidhshmërinë me rastin, sipas mbrojtësit Kollqaku, ky pretendim është për t’u çuditur për shkak se këto prova, sipas tij, kanë qenë edhe më herët dhe të njëjtat janë nxjerrë në fazën e hetimeve.

“Gjykata për të krijuar një provë qoftë edhe provë që nuk mund të bazohet aktgjykimi në atë provë, prapë se prapë në vend se Gjykata të kërkojë nga eksperti i telekomunikacionit, i cili kishte me qenë ekspert për interpretim të hartografive të thirrjeve telefonike ka kërkuar nga një zyrtar policor që ai të interpretojë skicat e hartografisë të lëshuara nga “Vala”, Telekomi i Kosovës. Zyrtari policor Veton Kelmendi i jep të drejtë vetës të konstaton se kjo antenë e Zllopekut e mbulon edhe vendin ku është gjetur trupi i pajetë i viktimës kur dihet se bjeshkët e Strellcit kanë sipërfaqe shumë të madhe, e që sipas hartografisë për mbulueshmërinë e fshatit Zllopek shihet qartë se nuk mbulohet kjo pjesë e bjeshkëve të Strellcit. Pra, në raport ceket se ky konstatim edhe pse në raportet e Vala-Telekom i Kosovës ku janë nxjerrë hartografitë për mbulushmërinë e thirrjeve telefonike shumë qartë thuhet se “të dhënat e ofruara në këtë dokument reflektojnë shënimet që ka Telekomi, mirëpo nuk merr asnjë përgjegjësi për valideitetin dhe saktësinë e tyre”, thuhet tutje në ankesën e tij.

Si provë tjetër materiale, siç pretendon mbrojtësi i Pajazitajt, se vërtetojnë pafajësinë e të mbrojturit të tij, janë ekzaminimi i kamerave në Ankara të Turqisë, ekzaminimi i veturës së të pandehurit dhe nga ekzaminimi i ADN-së, i bërë nga laboratori i FBI-së.

“Pas ekzaminimit të kamerave nuk është vërtetuar se ka qenë ndonjë person në automjetin e të pandehurit Naser, siç pretendohet në aktgjykim. Gjatë hetimeve është bërë edhe ekzaminimi i veturës së Naserit me qëllim të kërkimit të gjurmëve, sipas raportit për ekzaminim, thuhet se nuk është gjetur asnjë gjurmë, e cila do të ndërlidhej me dyshimin për  të cilën është bërë ekzaminimi i automjetit. Është bërë ekzaminimi i ADN-së, marr nga sekreti oral i të pandehurit Naser Pajazitaj me mostrat e marra nga e ndjera Donjeta dhe pas krahasimit të këtyre mostrave gjithashtu nuk janë gjetur kurrfarë lidhshmërie mes mostrave të AND-së, të pandehurit Naser dhe të ndjerës Donjeta”, thuhet në ankesën e avokatit Kollqaku.

Ankesën e avokatit Kollqaku, e ka mbështetur edhe i akuzuari Naser Pajazitaj, i cili ka deklaruar se nuk ka të bëjë me këtë rast, ndërsa është kundërshtuar nga i dëmtuari Shkelzen Pajazitaj.

Refuzimin e ankesës së mbrojtjes, përmes parashtresës e ka kërkuar edhe Prokuroria e Apelit, e cila nuk kishte asnjë përfaqësues në këtë seancë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, shkalla e parë kishte vlerësuar se thirrja telefonike e Naser Pajazitaj, ka qenë një nga provat kryesore që kanë ndikuar që i njëjti të dënohet me burgim të përjetshëm.

Sipas aktgjykimit të marr me 25 mars 2019, nga gjykatësit Kreshnik Radoniqi, thuhet se kjo gjykatë ka konstatuar se përmes provave të administruara në shqyrtimin kryesor se i akuzuari Naser Pajazitaj, në mënyrë dinake ka privuar nga jeta, tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.

Sipas shkallës së parë, provë e re ka qenë lista e thirrjeve nga i akuzuari që ka bërë në ditën kritike, me ç’rast është aktivizuar antena, e cila mbulon bjeshkën e Strellcit.

“Që të vërtetohet se alibia e të akuzuarit është e rrejshme si dhe të lidhet i akuzuari me vendin e ngjarjes në bjeshkën e Strellcit, gjykata përmes urdhëresës ka siguruar një raport nga policia lidhur me hartografinë, që nuk ishte bërë gjatë hetimeve. Nga raporti i policisë lidhur me thirrjet e të akuzuarit pasi që është zhdukur Donjeta, rezulton se i akuzuari në ora 15:19 ka thirr dëshmitarin Zeqir Zeqaj. Në momentin e thirrjes e kishte aktivizuar antenën në fshatin Zllapek, të emëruar “Zllapek_I”. Kjo antenë, sipas raportit të policisë e të verifikuar nga raporti i zyrës ligjore të “PTK Vala”, mbulon edhe bjeshkën e Strellcit, pikërisht vendin ku është gjetur viktima”, thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi.

Në aktgjykimin e arsyetuar me shkrim, thuhet se deklarimet e të akuzuarit Pajazitaj lidhur me ditën kritike rezultojnë të jenë të pavërteta.

“Deklarimi i të akuzuarit Naser Pajazitaj në ditën kritike se pas varrimit Shefqet Zeqës, rreth orës 14:15 ose rreth 14:30, është kthyer në shtëpi, ka ngrënë drekë, ka pi kafe me bashkëshorten dhe kah ora 15:00 apo 15:20 kishte ardhur dëshmitari Zeqir Zeqaj e ka marrë atë dhe bashkëshorten e tij dhe kanë shkuar në Pejë që t’i merr disa të holla që i kishte dërguar vajza e tij, sipas Gjykatës nuk rezulton të jetë i vërtetë. Nga të dhënat e PTK-Vala nuk rezulton të jetë ashtu. Në ora 15: 19 i akuzuari me numrin e tij të telefonit ka thirr në numrin e telefonit të Zeqir Zeqaj dhe ka aktivizuar antenën në Zlluapek, e jo ne Strellc apo Lubeniq, si antena me të afërta nga shtëpia e tij, dhe të cilat zakonisht i aktivizon. Antena në Zllapek siç u theksua me lartë e mbulon edhe Bjeshkën e Strellcit, pikërisht vendin ku është gjetur viktima. Dëshmitari Zeqaj nuk pranon te ketë biseduar në telefon me të akuzuarin, por listingu ekziston dhe është e pakontestueshme qe thirrja është bërë. Për këtë gjykata dëshmitarit Zeqaj nuk i fal besimin”, theksohet në arsyetimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Aty thuhet se kur i akuzuari Naser Pajazitaj, me veturën e tij e ka marrë tani të ndjerën dhe e ka dërguar rrugës për në bjeshkën e Strellcit, është aktivizuar antena, e cila mbulon pikërisht këtë bjeshkë dhe se vendi ku është gjetur tani viktima, ishte i qasshëm me veturën e tipit “Xhip”, të cilën e kishte i akuzuari.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj. Derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të ndjerën, e dërgon në bjeshkët e lartcekura, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Trupi i të ndjerës  gjendet pas më shumë se një muaji.

Me këtë, Pajazitaj akuzohej se ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179 par 1 pika 1.4 dhe 1.12 të KPRK-së.

Aktakuza të njëjtin e ngarkonte edhe me vepër penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim te paautorizuar të armëve” nga neni 374 par 1 të KPRK-së, gjegjësisht të një arme automatike, pushkës se gjuetisë, 12 fishek dhe një armë e tipit “AK 47”. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi