Ekspertët e homologimit: Çmimi në Kosovë përgjysmë më i ulët se në rajon

Ekspertët e homologimit: Çmimi në Kosovë përgjysmë më i ulët se në rajon

Anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik kanë diskutuar të mërkurën me shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, lidhur me fushën e homologimit të veturave dhe barrierat jotarifore për importin e veturave të reja që e kanë origjinën nga BE-ja.

Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka theksuar nevojën e konkurrencës në secilin treg dhe dëmin që po i bëhet qytetarëve nga monopoli.

“Konkurrenca është një nga elementet themelore të tregut të lirë dhe është një fushë ku Kosova duhet ta përmirësojë vetën, është temë e pashmangshme pasi bie të mira. Homologimi i veturave është çështje që zyra e BE-së e ka ngritur si çështje tash e disa vite. Na e kemi diskutuar me ministrinë, kryeministrinë. Tani qytetarët po paguajnë çmime më të larta që jepen veç në Prishtinë dhe të cilat nuk janë të sfiduara nga kompanitë e tjera dhe çmimi është më i larti në rajon”, ka thënë Apostolova.

Mirëpo, krejt ndryshe mendojnë ekspertët e homologimit dhe përfaqësuesit institucionalë.

Kumbim Shala, specialist i fushës së homologimit, konsideron se çmimi i homologimit, apo i kontrollit të përputhshmërisë së mjetit në import, është çmim total – pra, është çmim që përfshin të gjitha aktivitetet (inspektimin, grumbullimin e shënimeve, regjistrimin e tyre, lëshimin e certifikatës, vulosjen e saj, etj.), që në krahasim me vendet e rajonit ka dallim. Sepse, vendet e regjionit kanë çmim të ndarë veç e veç për ato aktivitete që në total e kompletojnë shërbimin e kontrollit të përshtatshmërisë së automjeteve në import (të njohur si homologim).

“Në këtë aspekt, ka vende që edhe dokumentacionet e prejardhjes së automjeteve, që kuptohet se janë në gjuhë të huaj, i kërkojnë të jenë të përkthyera në gjuhë amtare, gjëra këto që përveç kostos krijojnë edhe vonesa e vështirësi. Prandaj, kur kihet parasysh kjo, çmimi i këtij shërbimi në Kosovë në krahasim me vendet e rajonit është përgjysmë më i ulët, pra 84.74 euro si çmim kur i hiqet TVSH-ja. Konsideroj se nëse ekziston një deklaratë e tillë nga Apostolova, ajo është e nxituar”.

Për çështjen e ofrimit të shërbimit në Kosovë nga vetëm një kompani private, Shala thekson se ky nuk përbën dallim thelbësor në pikëpamjen e përmbajtjes së shërbimit, megjithatë këtë shërbim në vendet e BE-së nuk e ofrojnë vetëm subjektet ose agjencitë shtetërore.

“Mund ta përmendi Sllovakinë ku është një kompani private – shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (Iris Dent s.r.o.) e cila ofron shërbimin e homologimit, apo kontrollit të origjinalitetit që kryhet me rastin e importimit të automjetit. Përveç Sllovakisë, edhe Kroacia posedon një provajder (ofrues) të vetëm për shërbime të kësaj fushe që quhet Qendra e Automjeteve të Kroacisë. Ka edhe vende tjera si Anglia, Franca, Holanda, Danimarka, Letonia, që kanë ekskluzivitet në ofrim të këtyre shërbimeve”.

Shala nuk pajtohet me Apostolovën as sa i përket faktit se “homologimi aktual përbën shkelje të marrëveshjes së MSA-së…”.

“Shërbimi i kontrollit të përputhshmërisë së mjeteve në momentin e hyrjes apo të vendosjes në tregun e Kosovës parashihet edhe në praktikat e shumë vendeve europiane. Këto praktika bazohen në standardet dhe direktivat e BE-së. Për më tepër, ekziston edhe rekomandimi i Komitetit Ndërkombëtar të Inspektimeve Teknike të Automjeteve, me seli në Bruksel, që precizon masat apo kriteret e kontrollit të mjeteve në portën e hyrjes. Andaj, konsideroj se deklarata është e pasaktë apo e keqkuptuar në kontekst të fjalimit të ambasadores Apostolova. Kontrolli i mjeteve me rastin e importit i ka dobitë e veta në shërbim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve, duke përfshirë kontrollin e kushteve të sigurisë, atyre ambientale dhe administrative. Mes tjerash, kjo është një çështje teknike profesionale e nivelit të ekspertëve të fushës”.

Edhe Nebih Shatri nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka vlerësim tjetër nga ambasadorja Apostolova në lidhje me vazhdimin e kontratës për kompaninë ekzistuese të homologimit.

“Sa i përket institucionit ekzistues që e ofron shërbimin e homologimit, kjo çështje është e qartë sipas Nenit 34 të Ligjit për Automjete, që ia vazhdon me automatizëm të drejtën e ofrimit të shërbimit nëse i plotëson kushtet për ofrimin e shërbimit. Mirëpo, politika mund të vendosë që të ketë edhe tjetër sipas kushteve që i ka parapara legjislacioni. Por, institucioni ekzistues do të vazhdojë në ofrimin e shërbimit të homologimit, siç ka qenë deri më tani”.

Shatri ka treguar se Apostolova ka qenë në ministri disa herë për çështjen e shërbimit të homologimit.

“Duke pasë parasysh që homologimi si shërbim është specifik, profesional, jemi dakorduar me Apostolovën që fjalën përfundimtare ta japin ekspertët e kësaj fushe të cilët kanë qenë në Prishtinë nga 13 deri më 17 maj. Jemi në pritje të raportit dhe do të veprohet në bazë të të gjeturave”.

“Çdo hap do të del nga raporti i ekspertëve të misionit TAIEX do të merret ne konsideratë për veprim. Pa e pasur raportin e tyre nuk pritet ndonjë ndryshim meqë kështu jemi dakorduar me zyrën e BE-së. Ne ishim dakorduar që të vinte misioni i TAIEX me ekspertë nga vendet e BE-së për ta shqyrtuar shërbimin dhe legjislacionin e kësaj fushe që të mund të bëjmë hapa në këtë drejtim. Mbetemi në pritje të marrjes së raportit me gjetjet e tij”.

Sa u përket çmimeve të shërbimit të homologimit, çmimi është 100 euro, i përcaktuar duke e krahasuar atë me vendet e regjionit, ku secili vend ka modalitetet e tij. Ju siguroj se ky çmim është më i ulëti kur shihet si kosto e përgjithshme. Po ashtu, shërbimi ofrohet në Fushë Kosovë pasi që është më afër importuesve kryesorë të cilët janë të lokalizuar në Prishtinë”.

Shatri e ka sfiduar edhe arsyetimin e deklaratës së Apostolovës se Finlanda e ka një agjenci shtetërore që e vetme e ofron këtë shërbim.

“Jo vetëm Finlanda, por edhe Anglia, Sllovakia, Kroacia, Franca, Danimarka, Holanda, Letonia, Estonia, etj., posedojnë nga një institucion të vetëm. Dallimi ekziston se vendet e tilla kanë shtrirje më të madhe gjeografike dhe nevojitet të kenë më shumë qendra ofrimi të shërbimit, por të gjitha veprojnë në emrin e një kompanie apo institucioni të vetëm të autorizuar”.