Carla Bruni zgjedh të këndojë për shqiptarët në teatrin antik të Butrintit

Carla Bruni zgjedh të këndojë për shqiptarët në teatrin antik të Butrintit

Në Ditën e Festës së Muzikës, kantautorja dhe modelja e njohur, Carla Bruni do të këndojë mbrëmjen e sotme në teatrin antik të Butrintit.

Bashkëshortja e ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy, ka zgjedhur t’i paraqitet për herë të parë publikut shqiptar me 11 këngë të albumit të saj më të fundit, në teatrin e parkut kombëtar Butrint, një nga pikat arkeologjike më të rëndësishme të trashëgimisë sonë dhe asaj botërore.

“MIRËMËNGJES, dhe me këtë yll bote që për Ditën Ndërkombëtare të Muzikës zgjodhi të këndojë për shqiptarët, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Kryeministri Rama.

“Përshëndetje të gjithëve në Shqipëri. Doja t’ju thoja që quhem Carla Bruni e që do të këndoj për ju Ditën e Festës së Muzikës, në teatrin antik të Butrintit në orën 21:00 dhe shpresoj që do të jeni atje”, është shprehur kantautorja.

“French touch” (Prekje franceze”, është albumi i pestë të cilin Carla Bruni e hodhi në treg në vitin 2017. Kopjet e shitura të gjithë krijimtarisë së saj kapin shifrën e 5 milionë albumeve.

Bruni është vlerësuar si një nga gratë më të rëndësishme në botë nga revista “Forbes” në vitin 2010./ata