Kryeministri më i fuqishëm në Parley është Stambouliski i Bullgarisë

Kryeministri më i fuqishëm në Parley është Stambouliski i Bullgarisë

Ernest Hemingway

Toronto Daily Star/15 prill 1922

Në radhët e çehreve të bardha të mbledhura pranë tavolinave të gjelbra në seancat e Konferencës së Gjenovës, fytyrëkuqi (Aleksandr) Stambouliski, kryeministër i Bullgarisë, binte në sy si një manaferrë e pjekur e dorës së parë.

Stambouliski trupmadh e çehresertë ka mustaqe që ngjasojnë me të një ushtaraku të regjur. Ai nuk e merr vesh asnjë fjalë në ndonjë gjuhe tjetër, pos bullgarishtes. Njëherë kishte mbajtur një fjalim pesëmbëdhjetë orësh në atë gjuhë grykore dhe pa dyshim se ai është kryeministri më i fuqishëm.

Për vite me radhë si prijatar i Partisë Agrare, të Bujqve, Stambouliski luftoi për ta mbajtur Bullgarinë jashtë luftërave të ndryshme ballkanike. Kishte një ide. Bullgaria ishte një vend bujqësor dhe shpëtimi i saj bazohej në bujqësi, e jo në luftë. Ai kundërshtoi futjen e Bullgarisë në luftën evropiane në anën e Gjermanisë.

“Ky hap do t’ju kushtojë me kokën tënde”, i bërtiti Mbretit Ferdinand dhe Ferdinandi e burgosi. Dy herë gjatë kohës së luftës e dënoi me vdekje, por qeveria nuk kishte guxim ta jetësonte dënimet kundër Stambouliskit, sepse është idol i bujqve të vyer, trima, të përbaltur dhe lëkurëtrashë, të cilët përbëjnë 85 për qind të popullit të Bullgarisë.

Kur ushtria nisi të tërhiqej pas armëpushimit me komitetet revolucionare në krye të regjimenteve të ndryshme dhe pikërisht atëherë kur mendohej se Bullgaria do të binte në bolshevizëm, Mbreti Ferdinand kërkoi që t’ia sillnin para fronit Stambouliskin.

“A mund ta mbash situatën nën kontroll nëse të bëj kryeministër?” - e pyeti Ferdinandi burrin i cili po vuante dënimin me vdekje.

“Kurrën e kurrës nuk mund të punoj me ty!” - i ulëriti Stambouliski. “Të ka mbetur vetëm një punë që duhet ta bësh - shporru nga vendi!” Ferdinandi si një njeri që dinte ta lexonte situatën u largua rrëmbimthi.

Borisi, i biri i tij, donte të largohej me babanë nga vendi. Stambouliski e kapi shtrëngueshëm për krahu.

“Nëse përpiqesh të largohesh nga Bullgaria, do t’ju arrestoj”, i tha ai. “Ti je mbreti i ri”.

Kështu që tani, Borisi, një riosh qejfli e kozmopolitan, është mbret, dhe të jesh mbret nënkupton se duhet t’i shkosh për qejfi Stambouliskit, i cili merr shpesh udhë drejt Sofjes nga ferma e tij sa për të parë se qeveria po e drejton mirë vendin. Nganjëherë, ai nuk lëviz nga ferma nga dy a tri javë me radhë. Nuk ka lidhje telefonike, dhe ambasadorët presin dy ose tri javë për ta takuar. Pastaj ai vjen, i kërkon Borisit të përkthejë, u thotë ambasadorëve çfarëdo që i teket e s’i teket, çfarë do të bëjë e çfarë s’do të bëjë, dhe kthehet në fermën e tij.

Nuk ka probleme të brendshme në Bullgari, nuk ka kurrfarë telashesh me pakicat. Partia e Bujqve - dhe ata janë bujq përnjëmend, asi që marrin pjesë në seanca të parlamentit të veshur me jakne me lëkurë delesh dhe me çizme të përbaltura - ka 150 deputetë. Pasohet nga Partia Komuniste me 50 sosh. Deputetët e vetëm të tjerë janë dy përfaqësues borgjezë, të cilët nuk gëzojnë kurrfarë të drejte për t’iu shkuar fjala si pakicë.

Në një mbledhje të Partisë së Bujqve, Stambouliski kishte mbajtur fjalimin e famshëm prej pesëmbëdhjetë orësh. Ai fjalim ua copëtoi zemrat komunistëve. Nuk është hiç punë e lehtë të kundërshtosh me pak fjalë një njeri që mund të flasë pesëmbëdhjetë orë pa ia ndarë.

Bullgaria i ka punët më mirë se Serbia, e cila duhet të mbajë një ushtri të madhe për t’i fashitur problemet e “serbëve të rinj”, shumica prej të cilëve nuk dëshirojnë të njihen fare si serbë. Bullgaria ka bukë boll, përderisa krejt Evropa po vuan zinë e bukës, sepse Stambouliski po merret me bujqësinë. Në konferencë, Stamboluski nxjerr trupin para në karrige, zhbiron tavanin me çehren prej kau, dhe s’ia heq sytë llambadarit me dritat verbuese që lëshohen poshtë. Herë pas here, ndërron pak çehre, por vetëm atëherë duket se ky njeri di edhe të qeshet. Dhe kur i çelet pak fytyra, në ato raste të rralla, nënkuptohet se Stambouliski  po mendon se derisa po zhvillohet konferenca në Gjenovë, bujqit po mbjellin tokën atje në Bullgari.

 

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)