Rasti “Stenta 2”, dëshmitari:Babai vdiq edhe pse i kam dhënë pesë mijë euro

Rasti “Stenta 2”, dëshmitari:Babai vdiq edhe pse i kam dhënë pesë mijë euro

I dëmtuari Islam Gashi, ka thënë se babai i tij kishte vdekur prej pakujdesisë së mjekëve edhe pse ia kishin vendosur dy stenta, për të cilat kishte paguar pesë mijë euro.

“Prindi im ka shkuar prej pakujdesisë se mjekëve, ishalla Zoti i dënon masi gjykata s’po i dënon”, ka deklaruar Gashi, në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku për korrupsion po akuzohen 43 mjekë në rastin e njohur si “Stenta 2”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I dëmtuari Gashi, ka thënë se kur babai i tij kishte pësuar infarkt, e kishin dërguar në spitalin e Suharekës, të cilët ia kishin dhënë udhëzimin që të dërgohet menjëherë për në QKUK.

Aty tha se kishte biseduar me të akuzuarin Masar Gashi, i cili i kishte thënë se përveç infuzioneve në QKUK, nuk kishin asgjë tjetër, prandaj i kishte thënë se duhej të dërgohej në spitalin privat “EDA”.

“Masari e di që i ka thirr në telefon, dhe e kena qu na me kerr tonin në atë spital, aty një doktor me emrin Blerim na ka prit dhe na ka marrë, na ka thënë se duhet me ba një incizim që kushton 700 euro, unë paratë kesh ia kam dhënë në recepsion dhe menjëherë është bërë incizimi, dhe më thanë se babit duhen me i vendos stenta, për njërën më kanë thënë 3.500 tjera 1,500 euro”, ka thënë ai.

Atë natë tha se ia kishte paguar 5.000 euro për dy stenta, ndërsa tha se menjëherë të nesërmen e kishin lëshuar babanë e tij nga spitali.

Pas dy dite nga intervenimi dhe vendosja e stentave, babai i tij tha se nuk ishte ndjerë mirë, prandaj kur kishte kontaktuar me spitalin “EDA”, i kishin thënë se kontrolla mjekësore ishte caktuar pas tre javësh.

Pas kësaj tha se e kishte dërguar në një ordinancë private në Suharekë, dhe se aty e kishte kontrolluar i akuzuari Masar Gashi, i cili i kishte thënë se gjendja e tij shëndetësore ishte e mirë.

“Pas një jave e kam dërguar në QKUK në Prishtinë, në repartin e kardiologjisë, aty ka nejt 3 ditë, pastaj e kanë dërguar në repartin e neurologjisë, ia kanë kryer disa incizime, aty kam kuptuar se gjatë intervenimit në zemër një mjek më ka thënë se ka pësu një fluks i vogël dhe e ka sulmuar në tru, dhe pasi ka qëndruar në intensive katër ditë, pas katër ditësh ka vdek”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se për kompensim nuk kishte bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi as nga mjekët nuk kishte marrë ndonjë sugjerim apo dokumentacion për kompensim dëmi.

Dëshminë e tij, në seancën e së enjtes, e ka dhënë edhe i dëmtuari Agron Gjinovci, i cili ka treguar se në vitin 2005, kishte pasur atak kardiak, dhe se fillimisht kishte shkuar në shtëpi të shëndetit, e pastaj në QKUK ku kishte qëndruar 10 ditë, apo 2 javë në trajtim, dhe pas lëshimit nga spitali, Dr. Kelmend Pallaska, i kishte propozuar që të bëjë një koronografi jashtë shtetit.

Sipas dëshmitarit, Pallaska i kishte thënë se koronografia nuk mund të bëhej në Kosovë, prandaj tha se kishte shkuar në spitalin “Filipi II”, në Shkup, në të cilin spital i kishin thënë se duhet me i vendos dy stenta.

Ai tha se fillimisht në spitalin shtetëror të Shkupit, Borche Petrovski, ia kishte vendosur dy stenta, për të cilat ka thënë se kishte paguar 3.500 euro para kesh, dhe se për këtë pagesë posedonte edhe faturën.

I dëmtuari Gjinovci tha se gjendja e tij, deri në vitin 2012, kishte qenë e mirë, derisa kishte përjetuar edhe një tjetër atak në zemër, për të cilin tha kishte kërkuar ndihmë në QKUK.

“Në QKUK më kanë pranuar, ka qenë Dr. Masar Gashi, i cili më ka thënë menjëherë duhesh me vendos stenta… koronarografi nuk është bërë në QKUK, pasi Dr. Masari më ka propozuar me shku në spitalin EDA”, tha dëshmitari.

Ai tha se menjëherë i kishin ofruar ndihmë të shpejtë, dhe se prezent kishin qenë mjeku Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, djali i tij Sasha Petrovski, dhe se menjëherë e kishin vendosur në sallën e operacionit dhe i kishin vendosur dy stenta.

Pas përfundimit të intervenimit, ai tha se për vendosjen e dy stentave kishte paguar shumën prej 6.000 euro përmes bankës.

Ai tha se në spitalin “EDA”,  kishte qëndruar dy ditë, dhe se kur kishte ardhur për ta vizituar mjeku Lulzim Brovina, i kishte thënë se zemrën e kishe të dobësuar prandaj ishte e nevojshme t’i vendoseshin edhe dy stenta të tjera.

“E pyeta pse nuk më janë vendosur edhe ato dy derisa isha në sallë, ai më tha se nuk guxojmë t’i vendosim përherë katër stenta…e pyeta se si është e mundur tani në 2012 me kushtu stentat 6.000 euro kur herën e parë në 2005 kanë kushtuar 3.500 euro, përgjigjja e tij ka qenë se kështu janë çmimet dhe se herën tjetër kur të vendoseshin dy stentat tjera ki me pas zbritje nga spitali EDA”, ka thënë i dëmtuari.

Ai tha se pas 5-6 muaj, në janar 2013, e kishte kryer intervenimin tjetër, për të cilin tha se bashkëshortes së tij i kishin kërkuar që të bëjë pagesën për të dy stentat, e jo siç ishin marrë vesh me Dr. Brovinen që të paguajë vetëm për njërën stentë.

Sipas tij, pasi kishin kontaktuar me Brovinën ai kishte konfirmuar se mund të paguajë për një stentë, në shumën prej 1.800 euro.

Ai tha se në vitin 2014, kishte shkuar në Spitalin Amerikan për vizitë, dhe se kur ia kishte treguar dokumentacionin kardio-kirurgut Besnik Kojqiqit, ai i kishte kërkuar që t’ia marrë dokumentacion në Tiranë dhe të shkojë për një kontroll në Spitalin Amerikan në Tiranë.

“Pas 3-4 ditë kam shkuar në Spitalin Amerikan në Tiranë aty me kanë konfirmuar se kam nevojë për Bypass, sepse në spitalin EDA nuk e kanë bërë një intervenim në një damar kryesor dhe më ka thënë se gjendjen e kam të rrezikume, ndërsa Spitali Eda nuk më ka treguar për këtë detaj”, ka thënë i dëmtuari.

Ai tha se në vitin 2005, kishte bëtë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për kompensimin që i ishte bërë në spitale private, por tha se pasi nuk kishte marrë përgjigje, për intervenimet e tjera që i kishte pasur në vitin 2012 dhe 2013 nuk kishte bërë më kërkesë.

“Ne kemi menduar se tek unë kanë qenë të vendosur gjashtë stenta, por nuk ka qenë ashtu, unë vet kam shkuar në prokurori për me ba padi ndaj spitalit, pasi e kam ndjerë vetëm të dëmtuar dhe jetën e rrezikuar”, ka thënë ai.

Në fund ai ka thënë se e konsideron veten palë të dëmtuar dhe se do të parashtron kërkesë pasurore-juridike.

Dëshminë e tij në seancën e së enjtes e ka dhënë edhe i dëmtuari Shaban Shala.

Ai ka thënë se nëna e tij, Fatime Shala në vitin 2012 kishte pasur sulm, prandaj tha se e kishin dërguar në spitalin e Vushtrrisë, por ky spital ia kishin dhënë udhëzimin për në QKUK në Prishtinë.

Në QKUK tha se e kishte kontrolluar i akuzuari Masar Gashi, i cili iu kishte thënë se gjendjes shëndetësore e saj nuk kishte qenë e mirë dhe se duhej të dërgohej në ndonjë spital privat.

Ai tha se i akuzuari Gashi ia kishte përmendur për dy spitale në rrugën për Ferizaj dhe se ia kishte dhënë numrin e Spitalit “Eda”, pasi sipas tij, ky spital kishte qenë me i mirë, ku pasi i dëmtuari e kishte thirrur këtë spital, tha se pas 10 minutash kishte ardhur ndihma e shpejtë e këtij spitali.

Në atë spital tha se menjëherë e kishin vendosur në sallë dhe se mjeku Lulzim Brovina, i kishte thënë se duhej vendosur një stentë, e cila kushton 4.000 euro, së bashku me koronografi.

“Unë u pajtova i thash po, pastaj pas dy orësh ka dalë përsëri Lulzim Brovina i shoqëruar me një mjek maqedon dhe më ka thënë se i ka edhe tri ngushtime tjera që duhet me intervenu më tha se këto krejt kushtojnë 11.000 euro dhe më thanë se 1.000 po ti hekim dhe mbesin 10.000 euro”, ka thënë i dëmtuari.

Ai tha se për vendosjen e katër stentave kishte pasur fillimisht shumën prej 7.500 euro, e më pas edhe 2.500 tjera.

Kompensim për vendosjen e këtyre stentave tha se kishte bërë në Ministrinë e Shëndetësisë, por ata i kishin thënë se kishin shumë raste dhe se nuk ishin në gjendje t’ia bëjnë kompensimin.

Unë jam dëmtuar shumë kam marrë kredi 10.000 euro, mirëpo me kamatë i kam marrë 14.000 euro, unë e konsideroj veten si palë të dëmtuar dhe parashtroj kërkesë pasurore-juridike”, ka thënë dëshmitari.

Mirëpo, pasi ai nuk është ndjerë mirë, deklarata e tij është ndërprerë,  për këtë arsye kryetarja e trupit gjykues gjykatësja Shadije Gerguri, ka njoftuar se ai do të ftohet edhe një herë për të vazhduar deklarimin.

Shumën prej 3.400 euro për vendosjen e stentave ka thënë se ka paguar për bashkëshorten e tij edhe i dëmtuari Shaqir Mercinaj.

Ai tha se bashkëshortja e tij Halime Mercinaj, në vitin 2011 kishte pasur infarkt akut, prandaj tha se kishte kërkuar ndihmë në spitalin e Skenderaj, por njeri prej mjekeve ia kishte dhënë udhëzimin për në QKUK në Prishtinë.

Kur kishin shkuar në QKUK, tha se e kishin takuar të akuzuarin Masar Gashi, i cili iu kishte thënë se në QKUK nuk kishin stenta, duke i sugjeruar që të shkonin në Spitalin privat “EDA”, dhe se për vendosjen e një stente në këtë spital kushton 1.700 euro.

Ai tha se i akuzuari Gashi kishte konstatuar një mjek maqedon, i cili ua kishte dërguar ndihmën e shpejtë për 10 minuta.

“Ekipa mjekësore e kanë pritur e kanë marrë, e kanë vendosur në spital, mjeku maqedon më tha se do të bëhet një koronografi, më pyeti se a dëshiron me i vendos stentat ma kualitet…ka dalë mjeku dhe më tha se intervenimi ka pasur sukses dhe se ia kanë vendosur dy Stenta”, ka thënë i dëmtuari Mercinaj.

Të nesërmen pas operacionit, tha se pasi kishte shkuar për të paguar intervenimin në recepsion të spitalit, dhe pasi i akuzuari Masar Gashi i kishte thënë se një stentë kushton 1.700 euro, ai për vendosjen e dy stentave tha se e kishte menduar se duhet të paguajë 3.400 euro.

Por kur kishte shkuar për të bërë pagesë, tha se në recepsion i kishin thënë se duhej të paguajë 5.000 euro, por tha se nuk kishte pranuar të paguajë këtë shumë por vetëm 3.400 euro.

Edhe pas vendosjes së dy stentave, ai tha se bashkëshortja e tij pas disa ditësh kishte pësuar edhe një infarkt tjetër, dhe se kur kishe shkuar në spitalin “EDA”, mjeku maqedon Borche Petrovski, i kishte thënë se duhej ti vendoseshin edhe tri stenta të tjera.

“Mjeku maqedon kur ka ardhë ai më thanë  se po më vjen keq nuk e di qysh ka ardhur deri tek rrëzimi”, ka thënë i dëmtuari.

Të nesërmen në mëngjes kur ai kishte shkuar në shtëpi, tha se e kishte lajmëruar një mjek nga spitali “EDA”, dhe e kishte lajmëruar se bashkëshortja e tij ishte në gjendje të keqe, por kur kishte shkuar atje, tha se i kishin thënë se kishte ndërruar jetë.

“U pajtova se Zoti ia ka marrë shpirtin, kur kam shkuar në dhomë ka qenë befasuese se ia kishin mbështjellë fytyrën.  Pas 12 dite vajza ka kërku me ditë pse mami e ka pasur një qarje mbi vetull, mu mu ka kujtu kur mjeku maqedon ka thënë se nuk e di qysh ka ardhur deri te e rrëzimi i saj, mu mu ka kujtu se ajo koka rrzu atë natë, pa kujdesin e motrave”, ka thënë ai.

Ai tha se shuma prej 3.400 euro nuk iu ishte kompensuar asnjëherë, ndërsa pjesën tjetër për vendosjen e tri stentave të tjera ta se nuk i kishte paguar, pasi as nuk ia kishin kërkuar.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 21 qershor 2019, në të cilën pritet të japin dëshminë Elife Bajraktari, Skender Gashi, Bujar Agani dhe Nusret Mehmeti

Ndryshe, Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri dhe 42 të akuzuar të tjerë të përfshirë në rastin “Stenta 2”, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private është ende në fazën fillestare.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.  Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi