Zvarritjet nga Gjykata e Apelit mbajnë aktive aktakuzën në rastin e MTPT-së

Zvarritjet nga Gjykata e Apelit mbajnë aktive aktakuzën në rastin e MTPT-së

Më 24 nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur të pafajshëm zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala dhe tre të akuzuarit tjerë për veprat penale të krimit të organizuar, korrupsion dhe vepra tjera penale.

Tash kur po bëhen gati dy vjet nga koha kur ky rast ka marrë verdiktin nga shkalla e parë dhe më shumë se një vit nga koha kur kjo lëndë ka shkuar në Gjykatën e Apelit, sipas ankesës së paraqitur nga Prokurori i Shtetit, aktakuza ndaj zëvendëskryeministrit Limaj dhe ministrit Shala, ka mbetur akoma është në fuqi, përderisa, Gjykata e Apelit ende nuk e ka zgjidhur këtë lëndë.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me zëdhënësin e Gjykatës së Apelit, Arber Jashari, i cili ka informuar se kjo gjykatë akoma nuk e ka zgjidhur këtë lëndë. “Gjykata e Apelit është në procedurë të vendosjes lidhur më këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Jashari.

Ndryshe, ky rast është gjykuar nga misioni i EULEX-it dhe në një hulumtim të “Betimi për Drejtësi”, në marsin e vitit të kaluar ishte konstatuar se ky mision aktgjykimin e këtij rasti, e kishte përpiluar në kundërshtim me ligjin dhe praktikën gjyqësore.

Këtij misioni i ishin dashur më shumë se tre muaj nga shpallja e aktgjykimit, derisa ta përfundonte në formën e shkruar vendimin e këtij rasti, i cili tek palët kishte arritur më 8 mars 2018.

Madje, përveç që kishin kaluar më shumë se 100 ditë nga koha e shpalljes së aktgjykimit, deri te përfundimi i përpilimit të tij, në këtë rast ka ndodhur edhe një rast i paparë në praktikën gjyqësore, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Kryetare e trupit gjykues, në rastin e MTPT-së, ka qenë gjykatësja Marie Tuma, mirëpo, kërkesën për vazhdimin e afatit për përpilimin e këtij aktgjykimi, e ka bërë një gjykatës tjetër i EULEX-it, Vladimir Mikula.

Ndryshe, gjykatësi Mikula, tash së voni është emëruar edhe gjykatës në Gjykatën Speciale.

Mikula, kishte kërkuar më 12 dhjetor të vitit të kaluar, që afati për përfundimin në formë të shkruar të aktgjykimit të vazhdohej edhe për 60 ditë.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, parashihet që atëherë kur një rast i caktuar është i ndërlikuar, kryetari i trupit gjykues, mund të kërkoi nga kryetari i Gjykatës Themelore, zgjatjen e afatit për përpilimin e aktgjykimit.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, se më 12 dhjetor të vitit të kaluar, gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula, ka bërë kërkesë për vazhdimin e afatit për përpilimin e aktgjykimit në rastin e MTPT-së.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, më 15 dhjetor 2017, kishte aprovuar kërkesën e gjykatësit Vladimir Mikula, që kishte kërkuar afat shtesë për përpilimin e këtij aktgjykimi edhe pse i njëjti nuk ka qenë kryetar i trupit gjykues.

“Betimi për Drejtësi”, më 22 janar 2018, ka kërkuar të dijë nga misioni i EULEX-it në Kosovë, lidhur me këtë kërkesë si dhe për arsyet mbi të cilat është caktuar gjykatësi Mikula, por nga zyra për media e këtij misioni, janë përgjigjur vetëm rreth kërkesës për vazhdimin e afatit për përpilimin e këtij aktgjykimi.

“Kryetarja Gjykatës Themelore më 15. 12. 2017, ka miratuar një zgjatje prej 60 ditësh për ta përpiluar aktgjykimin me shkrim qe do t’u dorëzohet palëve. Aktgjykimi do të dorëzohet brenda këtij afati”, ishte përgjigja e zyrtares për informim të EULEX-it, Dragana Nikolic-Solomon.

Sidoqoftë, “Betimi për Drejtësi”, ka siguruar kërkesën e gjykatësit Mikula, me të cilën i ka kërkuar Bytyqit, shtyrjen e afatit, si dhe ka siguruar edhe vendimin e kryetares së Themelores, Afërdita Bytyqi, me të cilin ka aprovuar këtë kërkesë.

Sipas vendimit të Bytyqit, kërkesa e Mikulës është aprovuar për shkak të kompleksitetit të rastit për të cilën është kërkuar afat shtesë për përpilimin e tij.

“Aprovohet kërkesa e Gjyqtarit Vladimir Mikula, Gjyqtar në Njësinë Mobile te EULEX-it, e ushtruar më datë 12.12.2017, për zgjatjen e afatit për përpilimin me shkrim të aktgjykimit në çështjen penale P.nr.8/2013, si e bazuar. Lejohet zgjatja e afatit për 60 (gjashtëdhjetë) ditë, për përpilimin me shkrim të aktgjykimit në këtë çështje penale”, thuhet në vendimin e Bytyqit, të datës 15 dhjetor 2017.

“Kryetarja e Gjykatës, në referim të kërkesës së Gjyqtarit Vladimir Mikula, Gjyqtar në Njësinë Mobile te EULEX-it, për zgjatjen e afatit për përpilimin me shkrim të aktgjykimit në çështjen penale P.nr.8/2013, si dhe pas vlerësimit të të njëjtave konstatoi se kërkesa është e bazuar, sepse nga arsyet e theksuara ne kërkesë rezulton se rasti është i ndërlikuar, ne te cilin përfshihen disa te akuzuar, shkresat e lendes janë voluminoze, nga çka është pamundësuar përpilimin e aktgjykimit brenda afatit ligjorë, prandaj ne te tilla raste edhe ligjdhënësi në nenit 369 par.l të KPPRK-së, ka paraparë mundësinë e zgjatjes se afatit ligjor për përpilimin me shkrim të aktgjykimit”, thuhet me tej, në arsyetimin e këtij vendimi.

Kurse, në kërkesën e gjykatësit Mikula, të datës 11 dhjetor 2017, ai është bazuar në paragrafin e parë të nenit 369, të Kodit të Procedurës Penale që rregullon çështjen e kërkesës së kryetarit të trupit gjykues për ta shtyrë afatin e përpilimit të aktgjykimit, në rastet kur kemi të bëjmë me një çështje të ndërlikuar gjyqësore, dhe kërkon që afati i fundit për dorëzimin e aktgjykimit të jetë 22 shkurti 2018.

“Neni 369, paragrafi 1, i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (“KPP-së”) parasheh se aktgjykimi i shpallur duhet të përpilohet me shkrim brenda 30 ditëve nga shpallja e tij. Veç kësaj, kryetari i trupit gjykues mund të kërkojë nga kryetari i gjykatës që ta zgjasë afatin për përpilimin me shkrim të aktgjykimit deri në 60 ditë kur rasti është i ndërlikuar. Neni 19, paragrafi 1(1.2) përfshin përkufizimin e “çështjes së ndërlikuar”, i cili ka të bëjë me aktivitetin e organizuar kriminal, korrupsionin dhe analizën e gjerë të kontabilitetit. Meqë rasti është i natyrës së ndërlikuar, me mirësi kërkoj nga ju që ta zgjatni afatin për përpilimin e aktgjykimit deri në 60 ditë, përkatësisht deri më 22 shkurt 2018”, thuhej në kërkesën e gjykatësit Mikula.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi