Rruga Deçan – Plavë përfundon më 2020

Rruga Deçan – Plavë përfundon më 2020

Rruga Deçan – Plavë  pritet të përfundojë gjatë vitit 2020. Kështu tha për Radio Kosovën zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu. Ndërkaq, sa i përket kontestit me Manastirin e Deçanit, Kadriu tha se pas takimeve me përfaqësues të kishës ortodokse dhe Komunës së Deçanit, problemet janë tejkaluar.

Ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë, që lidh Kosovën me Malin e Zi, pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, thotë për Radio Kosovën zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.

”Punimet  janë duke u zhvilluar me intensitet të shtuar në rrugën Deçan – Plavë. Sa i përket kontestit që kemi, janë duke u zhvilluar bisedimet ndërmjet Kishës Ortodokse e Komunës së  Deçanit. Ne po punojmë, do ta vazhdojmë rrugën deri në kufirin me Malin e Zi”, ka theksuar Kadriu.  

Ndërkaq, i pari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, është shprehur optimist se do të tejkalohen edhe problemet me Kishën e Manastirit atje, për një hapësirë prej 5 kilometrash, gjë që do të mundësojë ndërtimin e rrugës edhe në Zonën e Veçantë të Manastirit.

”Kemi një problem ende të patejkalueshëm me manastirin. Bëhet fjalë për një segment prej pesë kilometrash që ata nuk na  kanë dhënën pëlqimin që ta shtrojmë atë pjesë. Ne jemi duke insistuar të marrim pëlqimin e tyre dhe po besoj që koha ka me e zgjidh edhe këtë problematikë”, ka thënë Ramosaj. 

Ramosaj vë në theks se kjo rrugë është e rëndësisë së veçantë për zhvillimin ekonomik të Deçanit, madje edhe gjithë Kosovës.

”Është rrugë që e përshkon produktivitetin më të madh zhvillimor që komuna e ka tradicionalisht dhe historikisht. 70 për qind e ekonomisë tonë familjare, varet nga kjo rrugë”, ka shtuar Ramosaj.

Ndryshe, segmenti i parë i rrugës Deçan – Plavë, me gjatësi prej 14 kilometra e 200 metra, ka përfunduar, ndërsa  do të vazhdohet më segmentin e dytë, që është përafërsisht 13 kilometra.

Kujtojmë se punimet për asfaltimin e kësaj rruge kishin filluar në vitin 2014 nga ish kryeministri Hashim Thaçi dhe ish kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj. Në një pjesë të rrugës punimet rifilluan në fund të muajit prill të vitit 2018, pasi Ministria e Infrastrukturës ndau 12 milionë euro për rifillimin e punimeve. Ky projekti infrastrukturor do të jetë i gjatë 28 kilometra dhe qeverisë do t’i kushtojë 50 milionë euro.


MË SHUME NGA Nacionale