Prokurorja në pushim vjetor, shtyhet seanca ndaj togerit

Prokurorja në pushim vjetor, shtyhet seanca ndaj togerit

Pushimi vjetor i prokurores Merrushe Llugiqi, është bërë shkak që të shtyhet seanca në rastin e togerit dhe shefit të operativës të Stacionit Policor në Podujevë, Fadil Surkishi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Surkishi në cilësinë e togerit dhe shefit të operativës në Stacionin Policor në Komunën e Podujevës, kishte ndikuar në dy raste të aksidentit në trafik, një në fshatin Dumnicë dhe një në Podujevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, deklaroi se me 12 qershor, me anë të një shkresë është njoftuar nga prokurorja Llugiqi se ajo gjendet në pushim vjetor në ditën që është caktuar të mbahet kjo seancë.

Ai deklaroi se nuk është njoftuar më herët që prokurorja do të jetë në pushim vjetor në këtë datë, në mënyrë që të mos e caktonte po në këtë ditë shqyrtimin gjyqësor.

Gjykatësi Hoti, deklaroi se palët, i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, si dhe dëshmitarët, janë njoftuar se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës, në mënyrë që palëve mos t’u shkaktohen shpenzime.

Kjo seancë pritet të mbahet më 8 korrik 2019, nga ora 13:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Fadil Surkishit më 16 nëntor 2017, me dyshimin se i njëjti kishte kryer në vazhdimësi veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” neni 422 paragrafi 1 i KPRK-së.

Surkishi dyshohet se kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim përfitimi të dobisë materiale për veten apo dikë tjetër.

Sipas aktakuzës, Surkishi në cilësinë e togerit dhe shefit të operativës në Stacionin Policor në Komunën e Podujevës, kishte ndikuar në dy raste të aksidentit në trafik, një në fshatin Dumnicë dhe një në Podujevë.

Surkishi, sipas prokurorisë, me qëllim kishte ndryshuar detaje rreth aksidentit dhe vendit të ngjarjes, përkundër faktit se dëshmitari Behxhet Gashi, nuk kishte qenë i pajtimit që ai ta bëj një gjë të tillë.

Surkishi pretendohet se kishte ndikuar edhe te zyrtari Fisnik Veseli, duke e detyruar të njëjtin të bëj ndryshime në raport dhe kallëzim penal, mirëpo Veseli kishte përpiluar po ashtu raportin e oficerit dhe kishte treguar arsyet e ndryshimeve në raportin policor dhe kallëzimin penal. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi