Ministri i jashtëm italian telefonon Ramën dhe Bashën: Të shmanget dhuna

Ministri i jashtëm italian telefonon Ramën dhe Bashën: Të shmanget dhuna

Italia rekomandon qeverinë shqiptare e opozitën të respektojnë rreptësisht parimet themelore të demokracisë në vend.

Zyra e shtypit të Ministrit të Jashtëm italian, Enzo Moavero, informon se gjatë ditës së sotme, kreu i diplomacisë italiane ka zhvilluar një bisedë telefonike si me kryeministrin shqiptar Edi Rama ashtu dhe me Lulzim Bashnë, kryetarin e Partisë Demokratike, forca kryesore politike opozitare në vend, transmeton oranews.

Gjatë bashkëbisedimit telefonik, Ministri i Jashtëm italian Movaero i ka referuar kreut të qeverisë shqiptare si dhe liderit të opozitës, rëndësinë ekstreme të respektimit absolut të rregullave themelore të demoracisë dhe të shtetit të së drejtës.

Në këndvështrimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit në Shqipëri, Ministri italian ka theksuar se pavarësisht divergjencave të vlerësimeve mes forcave politike është thelbësore të shmangen të gjitha format e dhunës, opinionet e qëndrimet përkatëse të shprehen në mënyrë demokratike.

"Me këtë frymë të besnikërisë së detyrueshme reciproke përkushtuar dialektikës politike kundërshtare, është e rëndësishme, thekson Ministri italian, të sigurohet korrektësia e siguria e procesit zgjedhor, i cili do të monitorohet dhe nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE-ODHIR e ku bëjnë pjesë vëzhgues nga e gjithë bota, përfshirë Italinë."

Pak ditë më parë, më 21 qershor, në ditën e protestës së opozitës shqiptare, Ministri Moavero i ka rekomanduar forcave politike shqiptare zbatimin e rreptë të parimeve bazë të demokracisë si parakushti themelor për pranimin e hapjes së negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ministri i Jashtëm italian është shprehur se është në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën italiane në Tiranë mbi zhvillimin e situatës politike në Shqipëri gjatë javëve të fundit.