Berisha kërkon nga Suedia vazhdimin e mbështetjes për vizat

Berisha kërkon nga Suedia vazhdimin e mbështetjes për vizat

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka kërkuar që Suedia të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Ai është takuar sot me Ministren e Jashtme të Suedisë, Margot Wallstrom.

Njoftimi i plotë:

Stockholm, 24 qershor 2019

Në kuadër te vizitës zyrtare dyditore në Suedi, zëvendësministri i Jashtëm Anton Berisha është pritur në takim nga Ministrja e Jashtme e Suedisë, znj. Margot Wallström.

Z. Berisha ka falënderuar Ministren Wallström për përkrahjen e Suedisë qysh nga vitet e ‘90ta, në fushën humanitare e më vonë politike, diplomatike dhe në përkrahjen e vazhdueshme në kuadër te Bashkimit Europian.

Ishte qëndrim i përbashkët se marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera dhe duhet avancuar, sidomos në fushën e investimeve ekonomike nga bizneset dhe ndërmarrësit suedezë.

Z. Berisha ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes se Suedisë, që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodhë brenda kësaj periudhe.

Z. Berisha ka informuar Ministren Wallström për gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, në një proces të qartë kohor dhe qëllimor, në njohjen reciproke që do të mundësonte zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke përfshirë edhe bashkëpunimin tregtar.

Z. Berisha ka mirëpritur idetë e Ministres Wallstrom për iniciativa regjionale të tipit dhe sipas praktikave Nordike, si dhe përfshirjen e të rinjve të rajonit në projekte te përbashkëta rajonale dhe evropiane.

Z. Berisha në emër të Qeverisë së Kosovës e ka ftuar në vizitë në Kosovë Ministren Wallstrom, e cila është përgjigjur pozitivisht.