Japoni, kërmilli i ngordhur shkakton vonesa për 12 mijë udhëtarë trenash

Japoni, kërmilli i ngordhur shkakton vonesa për 12 mijë udhëtarë trenash

Një ndërprerje e rrymës muajin e kaluar në Japoni bëri që të ketë vonesa për 12 mijë udhëtarë që i shfrytëzojnë trenat. Zyrtarët e hekurudhave më në fund e kanë zbuluar shkakun e këtij problemi.

Një kërmill i ngordhur e kishte shkaktuar ndërprerjen e rrymës në disa hekurudha që menaxhohen nga kompania “Kyushu Railway Company”, e njohur ndryshe edhe si “JR Kyushu”.

“E gjetëm pajisjen që është përgjegjëse për ndaljen e rrymës. Fillimisht menduam se është ndonjë insekt, por më vonë e kuptuam se ishte një kërmill i ngordhur”, tha një zëdhënës i kësaj kompanie për gazetën japoneze “The Japan Times”.

Për këtë shkak, kompania u detyrua ta anulojë qarkullimin e 26 trenave dhe u shkaktuan vonesa të shumë trenave të tjerë. Mediat lokale në rajonin e Kyushut raportuan se kërmilli ka ngordhur në momentin kur ka rënë në lidhje të shkurtër të pajisjes që e shkaktoi ndërprerjen e rrymës.

Zëdhënësi tha se këso incidentesh janë të rralla, duke shtuar: “Ne shpesh kemi probleme me drerët që dalin para trenave, por nuk kemi pasur probleme me kërmijtë”, shkruan “Fox News”.