Kryediplomatja e Norvegjisë: Marrëveshja me Serbinë i hap dyert e mbyllura

Kryediplomatja e Norvegjisë: Marrëveshja me Serbinë i hap dyert e mbyllura

Ministrja e Jashtme e Norvegjisë, Ine Eriksen Søreide, ka thënë se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë do të ofrojë mundësi të reja dhe do t’i hapë dyert që sot janë të mbyllura për Kosovën.

Një marrëveshje përfundimtare me Serbinë do të ofrojë mundësi të reja dhe do t’i hapë dyert që sot janë të mbyllura për Kosovën. Kështu ka theksuar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” shefja e diplomacisë norvegjeze, Ine Eriksen Søreide, e cila sot do ta vizitojë Kosovën, me ç’rast do ta takojë presidentin e vendit Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinajn dhe ministrin e Jashtëm Behgjet Pacollin.

Politikania 43-vjeçare, e cila është gruaja e parë në Norvegji që udhëheq me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e inkurajon Kosovën e Serbinë ta rifillojnë dialogun e normalizimit të raporteve, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Pavarësisht faktit që taksa ndaj mallrave serbe e ka vështirësuar vazhdimin e dialogut në mes të dyja vendeve, ajo shpreson se gjatë këtij viti të arrihet një marrëveshje reciproke dhe e pranueshme, pasi prolongimi mund të bartë gjithmonë rreziqe. “Shpresoj se ky vit mund të jetë një dritare e mundësisë për të arritur një marrëveshje reciproke të pranueshme. Prolongimi mund të përfshijë gjithmonë rreziqe, pasi është e vështirë të parashikohet situata e ardhshme si brenda, ashtu dhe jashtë vendit”, ka pohuar Søreide.

Kryediplomatja norvegjeze ka folur edhe për idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë, duke thënë se një marrëveshje midis Kosovës e Serbisë duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të sigurojë stabilitetin rajonal, ta mbajë Kosovën si një shoqëri shumetnike dhe të jetë e zbatueshme. “Brenda kësaj kornize unë besoj se i takon vetë palëve për të identifikuar se çfarë mund të jetë një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët”, ka potencuar ajo.