Sonte ekskluzivisht në RTK, Feronikeli – Lincoln Red Imps

Sonte ekskluzivisht në RTK, Feronikeli – Lincoln Red Imps

Skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli do të debutojë sonte në garat parakualifikuese të Ligës së Kampionëve. Përballë kampionëve tanë do të jetë skuadra kampione nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, ndeshje e cila do të transmetohet ekskluzivisht në RTK 1, në orën 20:45.

Për herë të parë cikli parakualifikues i Ligës së Kampionëve do të mbahet në Kosovë. Do të jetë pikërisht stadiumi “Fadil Vokrri”, arenë e ballafaqimit të kampionëve nga katër vendet anëtare të UEFA-s.

Feronikeli është favorit për të kaluar në finale dhe ka disa javë që skuadra e drejtuar nga Zekirja Ramadani është përgatitur për këtë duel.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, prej orës 15:00, do të ballafaqohen kampioni i San Marinos - Tre Penne dhe ai i Andorrës, Santa Coloma.

Skuadrat fituese nga ndeshjet gjysmëfinale do të ballafaqohen të premten në finale, në orën 20:45, ndeshje e cila po ashtu do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK1. Fituesi i këtij cikli parakualifikues e fiton të drejtën e pjesëmarrjes në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe njëherësh mbush arkat e klubit edhe me 230 mijë euro.

Në rast se Feronikeli ia del ta fitojë këtë miniturne, atëherë do të përballet me klubin uellsian, The New Saints, derisa në rast suksesi edhe në përballjet me kampionin e Uellsit, atëherë në rrethin e dytë kualifikues, Nikli do të kishte punë me klubin danez, Kobenhavn.