Majlinda: Për të arritur majat duhet të keni vetëbesim

Majlinda: Për të arritur majat duhet të keni vetëbesim

Ikona më e madhe e sportit në Kosovë, Majlinda Kelmendi e nisi karrierën në xhudo në moshën 8-vjeçare në vendlindjen e saj, Pejë, menjëherë pas përfundimit të luftës.

Ushtrimi i profesionit të xhudos i ndihmoi asaj të bëhet ambasadorja më e mirë e vendit në botë dhe njëkohësisht xhudistja më e mirë në botë në kategorinë e saj.

Kampionia olimpike ia solli Kosovës medaljen e parë të artë në Lojërat Evropiane, të shtunën në Lojërat Evropiane Minks 2019 në Bjellorusi.

“E nisa në një qytet të vogël, tani jam më e mira në botë. Nëse dëshironi të arrini diçka, duhet të punoni vërtet shumë dhe të besoni në veten tuaj. Kjo është e gjitha që unë e kam bërë, dhe falë kësaj sot jam këtu ku jam”, tha Majlinda Kelmendi pas triumfit në Minks 2019.

Majlinda është fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike Rio 2016, dy herë kampione e botës, katër herë kampione evropiane dhe fituese e medaljeve të tjera të panumërta. Por, i gjithë ky sukses i saj nuk ka ardhur lehtë.

“Kam pasur shumë probleme gjatë karrierës sime. Shumë gjëra dhe njerëz tentuan të më ndalnin. Kur je e suksesshme, jo të gjithëve u pëlqen, jo të gjithë të përkrahin. Gjithmonë ekziston dikush që tenton të ta prishë reputacionin, prandaj nuk ka qenë e lehtë. Ama unë jam e lumtur për atë që e kam arritur”, shtoi ajo. /GE/