VIDEO-Haradinaj: Kemi prova për inskenimin e krizës humanitare në veri

VIDEO-Haradinaj: Kemi prova për inskenimin e krizës humanitare në veri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka folur për skenarin e Serbisë rreth një "katastrofe humanitare" në veri të vendit.

Haradinaj ka thënë se janë në dijeni për një plan të tillë të improvizimit të një krize humanitare.

“Kemi prova edhe të këtij skenari, njerëz të involvuar. Nuk do të lejojmë që të mungojë asnjë produkt sepse ata janë qytetarë të Kosovës. Do t’i dekonspirojmë këto veprime të tilla që janë të çuditshme”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se ekziston një tendencë që të na detyrojnë që si Kosovë t’i mbyllim sytë para kontrabandës.

“Nuk guxojmë ta lejojmë këtë, jo për shkak të ndonjë produkti ushqimor, por kontrabandistët munden me bartë edhe narkotikë dhe armë, dhe këtë ne nuk bën ta lejojmë”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nuk do të ketë kthim mbrapa dhe se do ta forcojnë rendin dhe ligjin në veri.

Ndërsa për procesin e dialogut me Serbinë, kryeministri tha se drejt marrëveshjes finale nuk duhet shkuar me hapa të gabuar.

"Mirë është me u arrit marrëveshja me Serbinë këtë vit por nuk duhet bërë hapa të gabuar. Nuk ka rëndësi çfarë shpejtësie por çfarë drejtimi", tha Haradinaj.

Ai edhe njëherë përsëriti se takimi në Berlin nuk ishte i fshehtë por me ftesë të zyrës së kancelarës Merkel.

 "Një takim i ftuar nga zyra e kancelares Merkel, nuk është i fshehtë. Është në mandatin e Qeverisë, i kam informuar partnerët qeverisës me kohë", tha ai.