Mosmarrëveshja tregtare SHBA-Kinë shkakton eksodin masiv të produkteve

Mosmarrëveshja tregtare SHBA-Kinë shkakton eksodin masiv të produkteve

Kompania amerikane Apple njoftohet se i ka kërkuar furnizuesve të saj kryesorë, përgjithësisht firmave kineze me fabrika në Tajvan, që të zhvendosin 15-30% të prodhimit të tyre jashtë Kinës, për të shmangur tarifat e shtuara ndaj produkteve që kanë për destinacion Shtetet e Bashkuara.

Migrimi i produkteve, që analistët thonë se po shtohet, do të dëmtojë fitimet e gjigandit amerikan të teknologjisë, por gjithashtu do të ulë edhe vendet e punës në Kinë.

Analistët shtojnë se zhvendosje të këtilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën mes firmave furnizuese kineze dhe tendenca do të vazhdojë nëse lufta tregtare mes dy ekonomive më të mëdha do të intensifikohet.

"Gjatë vitit të kaluar, firmat prodhuese në sektorin e teknologjisë, ato që furnizojnë me kompjutera ose paisjet elektronike të konsumatorëve, i kanë zhvendosur jashtë Kinës fabrikat e tyre më shpejt se prodhuesit e celularëve" thotë Sean Kao, i kompanisë IDC Taiwan.

Të gjendur në mesin e "shkëmbimit të zjarrit"

Kompanitë teknologjike, si Apple, janë gjendur në mesin e fërkimeve tregtare SHBA-Kinë dhe përballen me rrezikun e taksave të rënda ndëshkuese për produktet e tyre me destinacion SHBA-në, të prodhuara në Kinë.

Më herët këtë muaj, Presidenti amerikan Donald Trump, tha se ai pritet të vendosë për tarifa të mëtejshme për një kategori tjetër mallrash kineze, me vlerë rreth 300 miliardë dollarë, pasi të takohet me Presidentin kinez Xi Jinping, gjatë zhvillimit të punimeve të G20-tës këtë javë.

"Nikkei Asian Review" njoftoi se kompania Apple po planifikon zhvendosjen e produkteve të saj për të shmangur rrezikun. Artikulli thotë se Apple u ka kërkuar kompanive që prodhojnë pjesët kryesore të telefonit të saj iPhone, si Foxconn Technology, Pegatron dhe Wistron, që të përllogarisin koston e një zhvendosjeje të linjave të tyre të prodhimit të celularëve për amerikanët, drejt vendeve të tjera të Azisë juglindore.

​Kompania Apple nuk ka komentuar njoftimin në fjalë.

Kompanitë Wistron dhe Foxconn i kanë paraprirë tashmë duke filluar krijimin e fabrikave në Bangalore dhe Chennai, të Indisë. Kreu i saj, Terry Guo, është shprehur se nëse do të lindë nevoja për zhvendosje të linjave të prodhimit, kjo kompani ka që tani kapacitetet e duhura jashtë Kinës, për të përmbushur kërkesat e kompanisë Apple për tregun amerikan.

Edhe kompania Pegatron po përgatitet të ngrejë linja prodhimi në Indonezi.