Seminari për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë Shqiptare pranon 300 aplikues

Seminari për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë Shqiptare pranon 300 aplikues

Mbi 300 aplikues i ka pranuar Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili pritet t’i hapë punimet më 19 gusht, në Prishtinë. Kështu bëri të ditur drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, i cili në një intervistë për Radio Kosovën tha se temë bosht e sesionit të letërsisë është caktuar “Si ëndërrohet në letërsinë shqipe”. Nga kultura është zgjedhur tema “Rrjetet sociale, politika dhe etika”, kurse nga sesioni i Gjuhësisë tema “Struktura aktuale e shqipes”.

Radio Kosova: Profesor, na thuaj deri ku kanë arritur ose në cilën fazë janë përgatitjet për organizimin e Seminarit të 38 Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Shkumbin Munishi: Përgatitjet për organizimin e Seminarit të sivjetmë janë duke ecur në ritmin e duhur. Është përmbyllur afati i aplikimit, i cili ka qenë deri më 1 qershor. Për shkak të interesimit të madh që kemi pasur e kemi zgjatur afatin edhe për 10 ditë të tjera. Ndërkohë që i kemi pranuar të gjitha aplikimet, qoftë për pjesëmarrje në kurse të gjuhës shqipe që organizohen në kuadër të seminarit, qoftë për pjesëmarrje në aktivitete shkencore të seminarit. Tani do të fillojmë me procesin e përzgjedhjes së seminarit në këto dy fusha dhe besoj që nga fillimi i muajit të ardhshëm do ta kemi një program preliminar, mbi të cilin pastaj do të përfundohen përgatitjet dhe do të merren veprimtaritë konkrete të cilat çojnë në organizimin e seminarit, që sivjet fillon më 19 gusht dhe përfundon me 30 gusht.

Radio Kosova: Cilat janë temat bosht të seminarit dhe nëse mund të na bëni një sqarim-Pse janë përzgjedhur këto tema?

Shkumbin Munishi: Temat bosht janë tema të cilat janë përzgjedhur në këshillin e seminarit. Tema bosht në gjuhësi do të jetë “Struktura aktuale e shqipes”. Arsyeja pse e kemi përzgjedhur këtë temë ka të bëjë me faktin se tash e disa vite në seminar kemi pasur tema të cilat në fushën e gjuhësisë kanë qenë tema interdisiplinare, ndërkohë sivjet kemi vendosur që në kuadër të seminarit të merremi me çështje që kanë të bëjnë me gjendjen aktuale të shqipes, pra, me strukturën aktuale të shqipes, në mënyrë që diskutimet që do të zhvillohen dhe kumtesat, pra, punimet që do të paraqiten në sesionin e gjuhësisë do të ndihmojnë në pasqyrimin e gjendjes aktuale të sistemit të gjuhës shqipe, për shkak se e shohim të nevojshme të shohim se ku është sot struktura e shqipes, në çfarë gjendje është struktura e shqipes. Në letërsi tema bosht do të jetë “Si ëndërrohet në letërsinë shqipe”, ndërkaq në kulturë tema bosht është “Rrjetet sociale, politika dhe etika”. Pra, këto janë tri temat kryesore në kuadër të sesioneve shkencore të cilat organizohen në dy-tri ditët e fundit të seminarit. Ndërkohë, që në kuadër të aktiviteteve të tjera të seminarit, por flas për aktivitete shkencore, sigurisht që do të ketë ligjërata, pastaj do të organizohen tryeza të ndryshme, kemi paraparë që t’i kemi dy tryeza, njëra me rastin e 200 vjetorit të Anton Santorit dhe  tryeza tjetër në kuadër të studimeve albanologjike, që i kushtohet veprimtarisë së dy albanologëve të shquar të cilët kanë ndërruar jetë: Erik Hempit dhe Idriz Ajetit. Po ashtu mendojmë që do të kemi edhe panele ku do të diskutohet për çështje të kulturës, historisë, politikës dhe njëkohësisht do të ketë edhe referime të ndryshme që trajtojnë tema nga fusha e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.

Radio Kosova: Deri tani ka përfunduar afati i dorëzimit të abstrakteve. A mund të na thoni sa është numri i tyre dhe me çfarë tema kanë aplikuar pjesëmarrësit?

Shkumbin Munishi: Nuk do të flas me numra konkretë, por mund të them se interesimi sivjet sikur edhe viteve të tjera ka qenë shumë i madh. Për pjesëmarrje në kurset e gjuhës shqipe kemi marrë mbi 200 aplikime, ndërkohë që për pjesëmarrje në aktivitete shkencore kemi marrë rreth 100, pa përfshirë këtu edhe aplikimet që vijnë nga drejtoria e Seminarit në Tiranë, sepse një numër i aplikimeve që vijnë nga Shqipëria aplikojnë nëpërmjet drejtorisë së seminarit në  Tiranë dhe në përgjithësi interesimi është jashtëzakonisht i madh. Tash do të fillojmë me procesin e përzgjedhjes së aplikimeve dhe pastaj në bazë të aplikimeve do të përgatitet edhe programi. Po e përsëris që, interesimi ka qenë shumë i madh, kriteret për aplikim kanë qenë të tilla që për këtë pjesën shkencore kemi kërkuar që të kemi abstrakte me të cilat do të identifikohen temat, do të identifikohet metodologjia dhe pritjet kryesore të cilat do t’i sjellin temat përkatëse. Ndërkohë, sa u përket studentëve, të cilët janë të interesuar ta mësojnë gjuhën shqipe, ne sigurisht që do të bëjmë përzgjedhjen e tyre mbi bazën e asaj se sa ose a janë ata studentë të fushave të albanologjisë dhe njëkohësisht do të shohim se cili është interesimi i tyre për ta mësuar gjuhën shqipe.

Radio Kosova: Cilat janë temat që iu keni dhënë përparësi?

Shkumbin Munishi: Ne nuk e kemi bërë ende përzgjedhjen e temave, por në bazë të asaj që e kemi parë deri tash, ka tema mjaft interesante. Në përgjithësi abstraktet të cilat i kemi pranuar tregojnë që aplikuesit i janë përmbajtur temave bosht të sesioneve shkencore dhe të gjitha këto aplikime që kanë ardhur prekin dimensione të ndryshme studimore për sa i përket strukturës së shqipes dhe sistemit të shqipes në përgjithësi. Pra, kemi një larmi temash, të cilat besoj që do të rezultojnë edhe me prurje që janë me interes për studimet në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Radio Kosova: Cilat janë nivelet e mësimit të gjuhës shqipe që do të organizohen në këtë seminar?

Shkumbin Munishi: Janë tri nivele. Niveli i parë që është niveli themelor, bazik. Është niveli i ndërmjetëm dhe niveli i tretë që kryesisht është nivel i cili u dedikohet studiuesve. Pra, këto janë tri nivele të mësimit të shqipes. Studentët të cilët vijnë do të kenë mundësi të ndjekin kurse për 10 ditë, dy herë në ditë dhe në bazë të informacioneve që i kemi marrë në të kaluarën edhe nga studentë, por edhe nga studiues të huaj që janë marrë me studimin e gjuhës shqipe, kemi kuptuar që këto kurse kanë qenë një ndihmesë e madhe për ta për të mësuar gjuhën shqipe, prandaj mendoj që edhe këtë vit vlen e njëjta gjë, që kurset do të jenë të dobishme t’ju ndihmojnë studentëve dhe studiuesve të huaj jo vetëm që të mësojnë shqipen, por edhe të zgjerojnë interesimin e tyre për t’u marrë me shqipen, me studimet e shqipes në përgjithësi.

Radio Kosova: Mbi çfarë bazë janë ndarë këto tri nivele?

Shkumbin Munishi: Sigurisht që mbi bazën e njohurive që i kanë studentët, por edhe mbi bazën e aplikimeve paraprake që i kemi marrë. Shembull, nëse studentët në të kaluarën kanë marrë pjesë, sigurisht që pas asaj pjesëmarrjeje ata e kanë konsoliduar njohjen e shqipes dhe tani kalojnë në një nivel tjetër ndërkohë që të tjerët futen në nivelin e parë, kryesisht ata që janë fillestarë ose ata që kanë pak njohuri për shqipen.

Radio Kosova: Nga cilat vende vijnë sivjet pjesëmarrësit, nga cilat vende është interesimi më i madh për pjesëmarrje?

Shkumbin Munishi: Ka nga të gjitha vendet e botës, sigurisht ka interesim nga qendrat albanologjike që janë në botë, por përtej asaj kemi interesim edhe nga studiues dhe studentë edhe të vendeve të tjera të botës.

Radio Kosova: Sa keni gjetur mbështetje nga institucionet e Kosovës?

Shkumbin Munishi: Këtë vit mbështetja ka qenë jashtëzakonisht e mirë. Kemi buxhetin e ndarë nga ana e Universitetit të Prishtinës, andaj nuk kemi probleme të theksuara sa i përket buxhetit. Njëkohësisht kemi mbështetje edhe nga ana e MASHT-it, kështu që në aspektin e mbështetjes institucionale, mendoj se seminari nuk i ka kokëçarjet të cilat kanë qenë dikur, për shkak se po e them që burimet buxhetore janë siguruar dhe i mbulojnë të gjitha aktivitete kryesore që do të organizohen në kuadër të seminarit.

Radio Kosova: Çka prisni nga ky edicion i seminarit?

Shkumbin Munishi: Pres që seminari ta ruajë dhe vazhdojë traditën të cilën e ka krijuar tash e 45 vite, për shkak se sivjet është një vit jubilar, është viti i 45 që kur ka filluar të organizohet seminari dhe njëkohësisht pres që të arriturat shkencore që do të paraqiten në seminar, sigurisht që do të jenë një prurje e rëndësishme në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Autore e intervistës: Drita Vitia

 


MË SHUME NGA Intervista