Bytyqi: 76 mijë euro shpenzime për tekstet e reja shkollore

Bytyqi: 76 mijë euro shpenzime për tekstet e reja shkollore

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Arsim për gjithë procesin e zhvilluar për tekstet e reja shkollore.

Sipas njoftimit për media, ministri Bytyqi, ndër të tjera tha se, kanë qenë të pritshme vështirësitë në këtë proces, sepse sipas tij, ky është projekti më i madh që është realizuar këto vite në MAShT.

Ai theksoi se janë marrë të gjitha masat që procesi të shkojë si duhet, duke i respektuar të gjitha aktet ligjore në fuqi.

Në njoftim thuhet se ministri përmendi edhe Ligjin e ri për tekste shkollore duke thënë se ky ligj nuk ka kaluar ende për arsye buxhetore, por ai theksoi se kjo nuk e ka penguar fare këtë proces.

Duke folur për nevojën për tekste të reja shkollore, ministri Bytyqi përmendi mospërputhjen e teksteve me kurrikulën e re, si dhe gabime të shumta të cilat kanë pasur tekstet e vjetra.

Ndër të tjera ai foli për gjithë mbarëvajtjen dhe punën që është bërë që nga fillimi, si dhe për shpenzimet që janë bërë gjatë gjithë procesit, e që janë rreth 76 mijë euro në tërësi.

Ndërsa sa i përket cilësisë së teksteve, ministri Bytyqi theksoi se përgjegjësinë e vlerësimit të tekstit e mbajnë recenzentët, ndërsa MAShT-i ka obligim të kujdeset që procesi të shkojë deri në fund si duhet.

Në këtë komision, Bytyqi, përmendi edhe vendimin e KEPShT-it që në listën përfundimtare të teksteve fituese të futen edhe tekstet që janë poentuar mbi 2.75, e që në listën preliminare kanë qenë vetëm ato që janë poentuar mbi 3.

Megjithatë, ai theksoi se MAShT ka vendosur që t’i pilotojë të gjitha tekstet shkollore dhe nëse vërehet se një tekst nuk është i përdorshëm për mësimdhënie, do të tërhiqet dhe recenzentët do të përgjigjen sipas obligimeve të marra me kontratë.

Gjatë këtij takimi, u diskutua edhe për nevojën e riorganizimit të sistemit arsimor. Me këtë rast, ministri Bytyqi përgëzoi kryetarin e Kamenicës që ka filluar me një projekt të tillë dhe tha se i kanë ofruar mbështetjen e MAShT-it. Ndërsa, theksoi se ky riorganizim është i nevojshëm të bëhet në tërë Kosovën dhe tashmë iu është kërkuar zyrtarisht komunave të dërgojnë informacione të sakta rreth objekteve shkollore, në mënyrë që të shikohen edhe mundësitë e adoptimit në institucione parashkollore aty ku ka mundësi.


MË SHUME NGA Aktuale