Vendimet e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e sotme

Vendimet e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e sotme

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.

Qëllimi i Memorandumit të Mirëkuptimit është arritja e objektivave të përbashkëta dhe konfirmimi i bashkëpunimit për planifikimin dhe zhvillimin e përbashkët dhe të njëkohshëm të projektit “Prishtina e Re”, i cili ngërthen në vete ndërtimin e Kompleksit të Rezidencave Qeveritare dhe Qendrës Administrative të Kryeqytetit në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi.

Në mbledhje është aprovuar propozimi për t’iu drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës për tërheqjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar Planin e Veprimit për garën republikane për kreativitet kulturor dhe mendim kritik për vitin 2019. Mjetet për realizimin e planit do të ndahen nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Zyra e Kryeministrit.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë lidhur me Bordin e Ndërmarrjes Publike Qendrore N.P.H. Ibër Lepenc Sh.A. Sipas vendimit një anëtar i këtij bordi është zëvendësuar me një anëtar tjetër në pozitën e anëtarit të Bordit Drejtues të Ndërmarrjes Publike Qendrore N.P.H. Ibër Lepenc Sh.A.

Pas shqyrtimit është aprovuar edhe vendimi për themelimin e Komisionit për hartimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Personat e Zhdukur. Komisioni përbëhet nga zyrtarë përgjegjës të resorëve të ndryshëm qeveritar dhe me pajtimin e kryesuesit të Komisionit mund të ftohen edhe përfaqësues të institucioneve të tjera publike, organizatave ndërkombëtare dhe organizata të Shoqërisë Civile si dhe persona të tjerë që vlerësohen se mund të japin kontributin në hartimin e këtij Projektligji.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për hartimin e Programit të Reformave Ekonomike 2020-2022. Ministria e Financave do të koordinojë procesin e hartimit të reformave ekonomike dhe do të mbështetet nga Zyra për Planifikim Strategjik e Zyrës së Kryeministrit, Departamenti për Politika Makroekonomike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtarë Financiar në Ministrinë e Financave. Programi do të orientohet në fushat e Reformës së tregut të energjisë dhe transportit; Bujqësisë, industrisë dhe shërbimeve; Zvogëlimin e informalitetit; Hulumtimin, zhvillimin, inovacionin dhe ekonomin digjitale; Tregtinë; Arsimin; Punësimin dhe tregun e punës; dhe gjithë përfshirjen dhe mbrojtjen sociale.

Janë miratuar vendimet preliminare për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik të cilat preken nga realizimi i projektit për rregullimin e shtratit të përroskës në Hajvali dhe nga zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike në zonën kadsatrale Shipitull të komunës së Obiliqit.

Me vendimi n e miratuar sot nga kabineti qeveritar, do të lirohen nga tarifat e aeroportit, të gjithë avionët në veprimtari të shpëtimit, avionët në transport të ndihmave humanitare dhe avionët në rrezik.

Në parim ka marr mbështetjen e kabinetit qeveritar edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për transportin rrugor ndërkombëtarë të udhëtarëve dhe mallrave.

Është aprovuar edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (Kfë), për grantin e financimit të projektit për mënjanimin e ujërave të zeza në Kosovën Jugperëndimore – FAZA VI. Granti financiar për këtë fazë të projektit është 9 milionë e 500 mijë euro.

Me qëllim të evitimit të disa lëshimeve në versionin e Projektligjit për Pyjet, i cili ka qenë i aprovuar nga Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme janë aprovuar disa plotësim ndryshime të këtij Projektligji që qartësojnë edhe më mirë kompetencat e detyrat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe të Agjencionit të Pyjeve, para dërgimit të këtij Projektligji për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka bërë rialokimin e mjeteve në shumë prej 1 milion e 501 mijë e 445 eurove në buxhetin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në projektin e bashkëfinancimit me donatorë për skemën e granteve të bazuara në performancën komunale, në 30 projekte kapitale.

Kryeministri ka parashtruar pyetje për ministritë që kanë të bëjnë me mandatin dhe obligimet e tyre. Për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë pyetje për procedurat e promovimit të nxitjes së investimeve. Për këtë ministri i Tregtisë dhe Industrisë ka theksuar situatën dhe mundësit tejet të kufizuara buxhetore të kësaj ministrie dhe departamenteve të agjencive të ministrisë që merren me promovimin e investimeve.

Nga Ministria e Financave, kryeministri ka kërkuar sqarime për çështjen e koeficientëve të pagave për zjarrfikës dhe për kompensimin e fermerëve nga Ferizaj që kanë pësuar dëme në kulturat e tyre bujqësore vitin e kaluar. Ministria e Financave ka njoftuar se paga e zjarrfikësve do të zgjidhet me Ligjin e ri për pagat dhe se është në shqyrtim të mundësive të kompensimit të fermerëve nga Ferizaj për dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore vitin e kaluar.