Feronikeli e kalon me sukses duelin me Lincoln Red Imps

Feronikeli e kalon me sukses duelin me Lincoln Red Imps

Feronikeli është kualifikuar në finale të rrethit paraeliminator të Ligës së Kampionëve që po zhvillohet për herë të parë në Kosovë.

Skuadra kampione e Kosovës në gjysmëfinale e ka mundur kampionin e Gjibraltarit, Lincoln Red Imps, me rezultat 1:0. Deri te kjo fitore e rëndësishme skuadra nga Drenasi ka arritur pas një loje mjaft të fortë, ndonëse golin e fitores e arriti qysh në minutën e 3-të të ndeshjes.

Ishte Mendurim Hoti, ai, i cili zhbllokoi shifrat e ndeshjes me një gjuajtje të saktë nga distanca, që njëherësh doli të ishte edhe goli i fitores. Në vazhdim të ndeshjes Feronikeli e pati edhe një rast të mirë shënimi, kurse më pas ishin mysafirët që e kërkuan më shumë golin e barazimit, por mbrojtja e skuadrës së drejtuar nga Zekirja Ramadani ishte në nivel të detyrës.

Në ndeshjen finale që zhvillohet të premten, në stadiumin “Fadil Vokrri”, Feronikeli do të ballafaqohet me kampionin e Andorrës, Santa Coloma, e cila sot e mposhti kampionin e San Marinos.