Çështja Çame në kapërcyellin e Luftës së Dytë Botërore

Çështja Çame në kapërcyellin e Luftës së Dytë Botërore

Disa raporte të diplomacisë amerikane dhe britanike në përkujtim të ngjarjeve të ndodhura 75 vjet më parë. Mbërritja e Misionit Amerikan në Shqipëri dhe raportet shqiptaro-greke të kohës.

Agron Alibali  

Punimi i mëposhtëm është pjesë e një studimi të zgjeruar për aspekte juridike të çështjes çame, të cilin ende e kemi në dorë. Ekstraktin po e botojmë për herë të parë, në përkujtim të viktimave të ngjarjeve të ndodhura 75 vjet më parë.

Misioni Amerikan në Shqipëri

 Me 12 prill 1945 kapiteni shqiptaro-amerikan Tom Stefan, i cili ndodhej në Shqipëri në kuadrin e Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS), merrte këtë njoftim zyrtar nga Mihal Prifti, Shefi Protokollit të Këshillit të Ministrave: “Kryeministri më ka kërkuar t’ju komunikoj sa më poshtë: Misioni amerikan i kryesuar nga Xhozef Xhejkobs [Joseph Jacobs] është i lirë të hyjë në Shqipëri”. Fillonte kësisoj një prej misioneve më të vështira diplomatike të qeverisë amerikane në Shqipëri, i cili pak më vonë do të mbyllej. Misioni i Posaçëm Amerikan i kryesuar nga Z. Xhejkobs, diplomat karriere dhe me përvojë, kishte si qëllim kryesor studimin e gjendjes në Shqipëri dhe hartimin e një raporti të hollësishëm që do të ishte në themel të vendimit për njohjen ose jo të qeverisë së Tiranës. Misioni hasi pengesa të shumta logjistike, si në mungesë personeli ashtu dhe politike. Z. Xhejkobs ishte oficer i Shërbimit të Jashtëm i Klasit I, dhe kishte qenë këshilltar i Legatës Amerikane në Kajro për 4 vjet me radhë. Propozimi për emërimin e tij në rangun e Ministrit në Tiranë iu paraqit Presidentit Ruzvelt [Roosevelt] me 25 nëntor 1944, d.m.th. rreth një javë pas hyrjes së qeverisë së Enver Hoxhës në Tiranë. Ndërkohë, diplomacia greke filloi të veprojë kundër qeverisë së re të Tiranës, njëlloj siç kishte vepruar kundër njohjes së autoritetit të Mbretit Zog gjatë Luftës. Ambasadori grek Cimon P. Diamantopoulos në 6 dhjetor 1944 njoftoi Departamentin Amerikan të Shtetit për qëndrimin e qeverisë së vet [të shprehur me telegram] se qeveria greke “kundërshtonte fuqimisht formimin e një Qeverie në Shqipëri”, duke iu referuar Enver Hoxhës si “Turk Mysliman”, dhe duke shtuar se forcat e këtij të fundit “po terrorizonin dhe shtypnin minoritetin grek në Shqipërinë e Jugut”.

Edhe pse e ndodhur në gjendje të vështirë në rrafshin e brendshëm nga ngjarjet e Dhjetorit 1944 në Athinë, qeveria greke e Jorgo Papandreut, vazhdonte qëndrimet tradicionale anti-shqiptare, që synonin të neutralizonin reagimin institucional shqiptar ndaj pretendimeve territorial greke, si edhe të largonin vëmendjen ndaj ngjarjeve të pashembullta që kishin ndodhur dhe vazhdonin të zhvilloheshin në Çamëri. Nga ana tjetër, trysnia britanike ndaj qeverisë shqiptare në mbështetje të pretendimeve greke arriti përmasa absurde në fund të vitit 1944. Në fund të dhjetorit 1944 qeveria britanike i përcolli instruksione Kolonelit Palmer, që “Britania do ta shikonte hyrjen e mundshme të trupave shqiptare në Greqi si një veprim armiqësor”. Përse anglezët ishin të shqetësuar për një lëvizje të mundshme ushtarake të UNÇ në Çamëri? Ka të ngjarë që pushteti i ri i sapovendosur në Shqipëri të kishte filluar më në fund të njihej me përmasat e vërteta të tragjedisë çame. Mijëra njerëz të pafajshëm, shumica pleq, gra dhe fëmijë, kishin gjetur strehim të përkohshëm në “Çamërinë e Lirë”, d.m.th. në rrethet e Konispolit dhe Sarandës. Në kushte tejet të vështira humanitare, me mungesa të theksuara ushqimore, veshmbathjeje, medikamentesh, etj., kjo masë e madhe njerëzish priste qetësimin e gjendjes në Çamëri për t’u kthyer sa më pare në shtëpitë e veta. Por, nga ana tjetër, kushtet e vështira të motit dhe mungesat e tjera të jashtëzakonshme kishin sjellë si pasojë vdekjen e një numri të madh të refugjatëve të luftës nga Çamëria.

Me shumë gjasë, Qeveria e re në Tiranë ishte vënë në dijeni të kësaj situate të pashembullt. Kontrolli i hekurt që Enver Hoxha vendosi shpejt mbi mbarë vendin e përjashton mundësinë që gjendja e refugjatëve Çamë të luftës t’i kishte shpëtuar vëmendjes së Tiranës. Qeveria shqiptare, natyrisht, ndiqte me vëmendje zhvillimet në Greqi dhe ishte e shqetësuar ndaj pretendimeve dhe propagandës greke. Në këtë kuadër, duhet patur parasysh se qeveritarët e rinj në Tiranë kishin marrëdhënie të afërta me forcat e majta greke të EAM/ELAS-it. Mirëpo Enver Hoxha e kuptonte qartë se hyrja e brigadave partizane në Çamëri mund të sillte zhvillime të paparashikueshme dhe të papëlqyeshme. Prandaj ai mund të ketë ndjekur një rrugë tjetër, që mund të dukej më e arsyeshmja në ato kushte dhe rrethana: atë të bashkëpunimit me forcat e majta greke, që në atë kohë, kontrollonin pjesë të gjera të territorit grek, dhe madje kishin edhe një qeveri “të maleve”.  Prandaj, më një takim në fund të dhjetorit 1944 me përfaqësuesin e OSS në Tiranë, që duhet të ketë qenë Tom Stefani, Enver Hoxha “mohoi kategorikisht që trupat e tij të ndodheshin në Çamëri ose përtej kufirit jugor në çfarëdo vendi dhe shtoi se ai nuk do të përzihej në çështjet [e brendshme] greke. Edhe Mehmet Shehu [Shef i Shtabit i UNÇ-së] mohoi raportet e BBC-së për një ndërhyrje të tillë në faqen e parë të Gazetës “Bashkimi”, numri i 26 dhjetorit [1944].” Sipas burimeve britanike, në të njëjtën kohë, Fronti Nacional Çlirimtar kishte arritur një marrëveshje me EAM-in për kthimin e çamëve në Çamëri. Këtë marrëveshje deri më sot nuk e kemi gjetur. Gjithsesi, si rrjedhim i saj, “në janar 1945 rreth 5000 çamë u kthyen në Greqi”./Shekulli