Konfirmohet aktakuza ndaj këshilltares së Haradinajt

Konfirmohet aktakuza ndaj këshilltares së Haradinajt

Meliza Haradinaj-Stublla, këshilltare politike e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, do të gjykohet për veprën penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Kjo pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka konfirmuar aktakuzën ndaj saj, e cila ishte ngritur më 29 mars 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo akuzohet se me rastin e marrjes së detyrës si këshilltare politike e Kryeministrit Ramush Haradinaj, më 11 shtator 2017, nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion pronësinë e saj mbi biznesin “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, edhe pse ka qenë e obliguar.

Ajo në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 20 maj të këtij viti, ishte deklaruar e pafajshme për këtë vepër penale.

Në aktvendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, të nxjerrë më 27 qershor 2019, thuhet se gjykatësi Alban Ajvazi, ka vendosur që të refuzojë kundërshtimin për prova dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, të paraqitura nga mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Merita Stublla-Emini.

Në aktvendim thuhet se kundërshtimet e paraqitura janë vlerësuar si të pabazuara, duke konfirmuar se aktakuza e prokurorisë është ngritur sipas dispozitave të nenit 241 par.1 të KPPK-së.

Sipas aktvendimit, deri në këtë fazë të procedurës, pala mbrojtëse nuk kishte ofruar prova, të cilat do të ndikonin në hudhjen e aktakuzës.

Në të thuhet se e akuzuara Haradinaj dhe avokatja e saj, Merita Stublla-Emini, do të kenë mundësi që gjatë shqyrtimit gjyqësor të ndërmarrin veprimet e parapara me ligj, për të dëshmuar pafajësinë e të akuzuarës Haradinaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, me zyre nr “108 Woolmead Avenues në “Companies House”, edhe pse ka qenë e obliguar./Betimipërdrejtësi