Vetëm ShBA-ja mund ta zhbllokojë dialogun Kosovë – Serbi

Vetëm ShBA-ja mund ta zhbllokojë dialogun Kosovë – Serbi

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur jokushtetues ekipin negociator të Kosovës për bisedime me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ky subjekt politik që nga fillimi e ka konsideruar absurd hartimin e një ligji për negociatat dhe ekipin negociator.

Murati ka thënë se tani pozita dhe opozita duhet të ulen bashkërisht në një tryezë politike për të arritur një konsensus për bisedimet.

Sipas tij, vetëm ShBA-ja mund ta zhbllokojë dialogun Kosovë – Serbi.

Murati ka folur edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se zgjedhjet pa një reformë zgjedhore nuk do të prodhojnë institucione më cilësore dhe më demokratike.

“Epoka e re”: Z. Murati, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur ekipin negociator jokushtetues. Si e keni parë këtë vendim të Kushtetueses?

Murati: Në radhë të parë ne si Lëvizje për Bashkim e kemi kritikuar që në fillim qasjen për formimin e ekipit negociator si dhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës për bisedimet. Që nga fillimi e kemi konsideruar absurd hartimin e një ligji për negociatat dhe për ekipin negociator. Kosova i ka institucionet e ligjshme dhe ekipi negociator ka mundur të jetë prodhim i një marrëveshjeje politike në mes të partive politike të pozitës dhe të opozitës, e cila do ta hartonte një platformë politike unike për bisedimet me Serbinë dhe do të punonte në bazë të asaj platforme. Hartimi i ligjit, dhe dhënia e një sërë kompetencash delegacionit shtetëror për bisedime, ashtu siç ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, ka cenuar punën e institucioneve kushtetuese të vendit, përkatësisht qeverisë dhe presidentit. Por, megjithatë, më duhet të theksoj se problemet themelore në raport me qasjen e partive tona me bisedimet nuk janë kushtetuese dhe ligjore, por politike. Ato në vend se të punojnë ngushtë për arritjen e një konsensusi politik për dialogun, po punojnë që të minojnë çfarëdo mundësie për bashkëpunim si dhe nga ky minim i bashkëpunimit dhe i bisedimeve të përfitojnë politikisht në planin afatshkurtër. Problemet janë politike sepse edhe problemet me Serbinë duhet të zgjidhen politikisht, pa kufizimet kushtetuese. Për më tepër, për shkak të kufizimeve të mëdha e që Kushtetuta jonë përmban në raport me funksionalizimin e shtetit tonë, këto bisedime do të duhej të prodhonin edhe ndryshimin e Kushtetutës. Problemet janë politike sepse kësaj radhe nuk duhet folur vetëm për Kosovën dhe serbët, por edhe për Serbinë dhe shqiptarët që jetojnë nën sundimin serb.

“Epoka e re”: PSD-ja si sponzorizuese e Ligjit për dialogun me Serbinë thotë se Kushtetuesja e ka rikthyer këtë proces në duart e presidentit, ndërsa dy subjektet e tjera opozitare deklarojnë se Kushtetuesja ka bërë me dije se kryeministri duhet të jetë bartës i këtij proces. Kush mendoni se ka të drejtë?

Murati: Ka qenë absurde që nga fillimi përpjekja për t’i kufizuar me ligj përgjegjësitë e presidentit dhe të kryeministrit e qeverisë në procesin e dialogut me Serbinë. Në fund të fundit, çfarëdo marrëveshje që mund të negociohet nga kushdo që përfaqëson Kosovën nuk mund të miratohet pa votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë se politika e jashtme e Kosovës zbatohet në bashkëpunim në mes të qeverisë dhe presidentit. Dhe atë që e theksova më lart, askush, as presidenti, as kryeministri, por as ndonjë grup negociator nuk e ka tagrin e imponimit të ndonjë marrëveshjeje e cila kundërshtohet nga Kuvendi i Kosovës. Këto institucione mund ta negociojnë marrëveshjen, por jo edhe ta imponojnë. Ndërsa fakti që ne flasim për divergjenca kompetencash në nivele institucionale dëshmon për faktin se sa të papjekur e kemi klasën politike e cila e ka të pamundur që në këto çaste historike të bëhet bashkë për bisedimet me Serbinë.

“Epoka e re”: Si duhet të veprojnë pozita dhe opozita pas këtij vendimi të Kushtetueses?

Murati: Pozita dhe opozita duhet të ulen bashkërisht në një tryezë politike për të arritur një konsensus për bisedimet. Ato duhet ta lënë mënjanë përpjekjen që çdo gjë ta shohin nën prizmin e përfitimeve elektorale dhe të kuptojnë se në çfarë momenti historik po kalojmë.

“Epoka e re”: Pasi dështoi mbajtja e takimit të Parisit, i cili dukej si përpjekje për ta zhbllokuar dialogun Kosovë – Serbi, nuk dihet se kur mund të vazhdojë. Si e shihni zhbllokimin e këtij procesi?

Murati: Samiti i Berlinit dhe ai i Parisit janë menduar të ndihmojnë në ringjalljen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ishte kjo një përpjekje e Gjermanisë dhe Francës për ta fuqizuar rolin e tyre në këtë proces dhe në Ballkan në përgjithësi. Por, në anën tjetër, ideja e dështimit të Samitit të Parisit është shtruar që në Samitin e Berlinit. Gjermania dhe Franca as në Berlin e as ndërkohë gjatë përgatitjes së Samtit të Parisit nuk arritën t’i bindin palët të tërhiqen nga pozicionet e tyre (Kosovën për taksën e Serbinë që të kthehet në bisedime pa marrë parasysh vendosjen e taksës nga Kosova). Gjithashtu, të dy shtetet kryesore evropiane nuk është se kishin dhe se kanë qëndrime unike rreth opsioneve për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Gjermania, duke qenë kundër ndryshimit të kufijve, asnjëherë nuk pati guximin publik të dalë me opsionin e vet, i cili përflitet se lëviz në mes të një asociacioni me përgjegjësi ekzekutive e deri tek autonomia politiko-territoriale për veriun e Kosovës. Në anën tjetër, Franca konsideron se të gjitha temat në mes të palëve duhet të jenë në tavolinë. Divergjencat franko-gjermane për këtë temë, ashtu si edhe për tema të tjera që lidhen me funksionimin e BE-së dhe institucioneve të saj, e kanë pasur rolin e tyre në dështimin e takimit të Parisit. Gjithashtu, duhet theksuar edhe fakti se ShBA-ja nuk ishte pjesë e këtyre përpjekjeve për t’i ngjallur bisedimet, prandaj ka bërë që palët të jenë hezituese mbi suksesin e samitit dhe rrjedhimisht edhe të punojnë, ndoshta, në mënyrë indirekte që ai edhe të dështojë. Besoj se zhbllokimi i procesit të dialogut do të ndodhë me përfshirjen më të madhe të ShBA-së, që është e vetmja fuqi botërore që mund të garantojë implementimin e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo përfshirje duhet të shfrytëzohet për zgjidhjen e problemeve me Serbinë dhe përmes modelit me të cilin më së shumti fiton populli shqiptar dhe Kosova e ai është ripërcaktimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky ripërcaktim do të duhej të nënkuptonte të drejtën e Kosovës Lindore, përkatësisht të pjesës shqiptare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës për t’iu bashkuar Kosovës si dhe Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit (pa shtatë fshatrat shqiptare) për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Kjo do të duhej domosdo ta nënkuptonte ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe heqjen e privilegjeve bllokuese për pakicën serbe, njëkohësisht vazhdimin e mbrojtjes së pakicave përfshirë serbët përmes aplikimit të standardeve më të larta për të drejtat e njeriut dhe pakicave. Dy variantet e tjera që mund të jenë prodhim i këtij dialogu, sidomos nëse ne vazhdojmë të jemi të përçarë, refuzues e jo bashkëpunues, janë shumë të rënda për Kosovën, njëra më e keqe se tjetra. Dhe ato janë mbajtja e status quos aktuale e cila do ta bllokojë përparimin e shtetit të Kosovës qoftë në planin e zhvillimeve të brendshme, qoftë në planin e integrimit në institucionet kryesore ndërkombëtare si OKB, NATO, BE, por edhe në Këshillin e Evropës e të OSBE-së. Dhe e dyta, nëse marrëveshja krijon asociacionin me përgjegjësi ekzekutive për komunat serbe ose autonominë politiko-territoriale për veriun e vendit, do t’i shkaktonte goditje të rëndë funksionalitetit edhe ashtu problematik të Kosovës. Një marrëveshje e tillë do ta shtrojë rrugën për ndarjen e vendit në të ardhmen deri te lumi Ibër, pa arritur që Kosova Lindore të jetë pjesë e një marrëveshjeje që do të nënkuptonte lëvizjen e kufirit. Është naive të mendohet se ne përfitojmë nga kjo situatë e bllokimit të dialogut. Për më tepër, ne mund të jemi humbës të mëdhenj nëse refuzojmë bisedimet apo i pengojmë ato. Ne duhet të punojmë fort për t’u marrë vesh në mes vete, me aleatët tanë dhe t’i shfrytëzojmë rrethanat aktuale ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje me Serbinë e cila e zhbllokon Kosovën dhe e trajton përfundimisht njëherë e mirë çështjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore.

“Epoka e re”: Nga shumëkush përmenden zgjedhjet e reja si alternativë. A janë zgjidhje, zgjedhjet?

Murati: Kjo për të cilën po flasim, bisedimet pra, nuk janë të lidhura me zgjedhjet. Çfarëdo qeverie që do të kemi do të duhet të punojë ngushtë me opozitën për të kryer këtë proces të rëndësishëm për Kosovën. Për më tepër, vazhdoj të insistoj se zgjedhjet pa një reformë zgjedhore nuk do të prodhojnë institucionet më cilësore dhe më demokratike. Mund të ndërrohen individët, por jo edhe mendësia qeverisëse dhe raporti ndaj publikes.


MË SHUME NGA Intervista