Rregulla e BE-së: Veturat elektrike duhet të bëjnë zhurmë

Rregulla e BE-së: Veturat elektrike duhet të bëjnë zhurmë

Veturat e reja elektrike do të duhet të kenë një pajisje që bën zhurmë, sipas një rregulli të Bashkimit Evropian, që ka hyrë në fuqi të hënën.

Vendimi i BE-së ka pasuar shqetësimet se ky lloj i veturave është shumë i qetë, duke vënë këmbësorët në rrezik, sepse nuk mund të dëgjohen kur u afrohen atyre.

Të gjitha llojet e reja të mjeteve elektrike me katër rrota, duhet të pajisen me këtë aparat, i cili tingëllon si një motor tradicional, transmeton REL.

Sistemi i alarmit duhet të bëjë zhurmë, kur kthehet mbrapa, ose kur vetura udhëton me shpejtësi nën 19 kilometra në orë.

Megjithatë shoferët do të kenë mundësinë për të çaktivizuar pajisjen nëse ata mendojnë se është e nevojshme.

Një organizatë bamirëse angleze për persona të verbër dhe me shikim të dobët, “Guide Dogs” e cila ishte ankuar për automjetet elektrike, e mirëpriti vendimin, mirëpo tha se, ky lloj i automjeteve duhet të bëj zhurmë në të gjitha shpejtësitë.

Nga viti 2021, jo vetëm modelet e reja, por të gjitha veturat elektrike duhet të kenë të përfshirë një zhurmues.