Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi se kishte plagosur të dëmtuarin

Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi se kishte plagosur të dëmtuarin

Gjykata Themelore në Gjakovë, të hënën, e ka dënuar me gjobë të akuzuarin për armëmbajtje pa leje dhe lëndim të rëndë trupor, Jeton Schollkopf.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, i akuzuari Schollkopf për armëmbajtje pa leje është dënuar me 900 euro gjobë.

Ndërsa, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, fillimisht është dënuar me gjashtë muaj burgim, por që me pëlqimin e të akuzuarit, sipas gjykatësit Zika, dënimi me burgim mund t’i zëvendësohet me 3500 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari dhe mbrojtësi i tij, avokati Teki Bokshi janë pajtuar që dënimi me burgim të zëvendësohet me dënim me gjobë.

Ndryshe, më 28 qershor të këtij viti, i akuzuari Schollkopf e kishte pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohej.

Ndryshe, sipas aktakuzë së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 22 dhjetor 2014, Jeton Schollkopf po akuzohet se më parë e deri më 31 gusht 2014, në Gjakovë, konkretisht në veturën e tij ka mbajtur në posedim armë, dhe atë një revole të prodhimit belg të kalibrit 9mm me gjashtë fishekë të të njëjtit kalibër.

Me çka, sipas aktakuzës ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 374 paragrafi1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktit akuzues, i njëjti, më 31 gusht 2018, rreth orës 16:00 në Gjakovë , në rrugën “Nëna Tereza”, në lokalin e Kadri Januzaj, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Gustin Frrokaj, në atë mënyrë që pas një fjalosjeje me të dëmtuarin, i cili kishte borxh prej 1,500 eurosh, i njëjti ka ardhur në veturë dhe nga vetura ka nxjerrë armën dhe ka gjuajtur në drejtim të këmbëve të të dëmtuarit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhe është larguar me veturë nga vendi i ngjarjes.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 186 parag. 3 pika 3.1 lidhur me parag.1 pika 1.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi