81 vjeçarit i vërtetohet dënimi prej 12 vjetësh burgim

81 vjeçarit i vërtetohet dënimi prej 12 vjetësh burgim

Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin prej 12 vjetësh burgim, Ragip Shabanit, i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, N.Sh.

Kësisoj, Apeli i ka refuzuar ankesat e të akuzuarit Shabani dhe mbrojtësit e tij, avokatit Rafiz Shehu, duke e lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, të marr më 22 nëntor 2018.

I akuzuari Shabani dhe mbrojtësi i tij, kishin kërkuar nga Apeli që të shqiptojë një dënim më të butë se sa Themelorja, apo që i akuzuari të lirohet krejtësisht nga dënimi, shkaku i moshës së tij të shtyrë dhe disa sëmundjeve prej të cilave i akuzuarit ka theksuar se vuan.

Mirëpo, këto pretendime të të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, i ka refuzuar si të pabazuara kolegji i Gjykatës së Apelit.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, në ankesat e ushtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë, nuk është cekur ndonjë rrethanë e re, e të cilën nuk e kishte vlerësuar shkalla e parë me rastin e vlerësimit të rrethanave që ndikojnë në lartësinë e dënimit.

Po ashtu, sipas vlerësimit të Apelit, edhe kjo gjykatë ashtu sikurse gjykata e shkallës së parë duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese të të akuzuarit, është e mendimit se dënimi i shqiptuar ndaj Shabanit është në harmoni me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale dhe se me këtë dënim do të arrihet edhe qëllimi i ndëshkimit.

“Gjykata  e Apelit duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese që i pati parasysh edhe Gjykata e shkallës së parë dhe atë si rrethana lehtësuese: se i pandehuri e ka pranuar fajësinë  për veprën penale, nuk ka të dhëna se më parë së ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale, pendimi që ka treguar, mosha e shtyre, si dhe faktin se i njëjti vuan nga çrregullime mendore, ndërsa si rrethane renduese mënyrën e kryerjes se veprës penale ne orët e vona te natës në momentin kur e ndjera ka qenë në gjumë është goditë me sopat, vlerëson  se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit nga ana e gjykatës së shkallës së parë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe shkallës së përgjegjësisë penale të akuzuarit si ekzekutor, gjykata  e shkallës së parë  ka shqiptuar dënimin e paraparë ligjor dhe se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i ndëshkimit i paraparë me nenin 41 të KPRK.”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i akuzuari Ragip Shabani, më 13 prill 2018, rreth orës 03:30 në fshatin Varosh të Komunës së Ferizajt, përkatësisht në shtëpinë e tij, me qëllim që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën N. Sh, e ka goditur disa herë me sëpatë.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që deri se ajo ishte në gjumë, për shkak të motiveve të ulëta të xhelozisë, i pandehuri del nga shtëpia në oborr dhe merr një sëpatë, pastaj hynë në dhomën e gjumit, ku ishte viktima-bashkëshortja e tij dhe me të njëjtën sëpatë e godet tri herë në pjesën e qafës.

Siç thuhet në aktakuzë, nga këto goditje, asaj i ishin shkaktuar lëndime trupore.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtyre lëndimeve e dëmtuara fillimisht është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e pastaj në QKUK në Prishtinë dhe pas një kohe të qëndrimit në komë, më 29 maj 2018, ka ndërruar jetë.

Me këto veprime, Ragip Shabani akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 179 par.1 nënparagrafi 1.3 dhe 1.8 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi