Shtyhet seanca ndaj ish-togerit Menderes Sinani dhe të akuzuarit tjetër

Shtyhet seanca ndaj ish-togerit Menderes Sinani dhe të akuzuarit tjetër

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sërish ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit ndaj ish-togerit, Menderes Sinani, i akuzuar për vepra penale të korrupsionit.

Në këtë rast, për shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore, akuzohet edhe Vahid Tahiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zyrtarja për informim Albenora Bekteshi ka thënë për “Betimin për Drejtësi” se arsyeja e mos mbajtjes së kësaj seance ka qenë sepse mbrojtësi i të akuzuarit Sinani, avokati Burhan Qosa, kishte paraqitur një parashtresë duke kërkuar që kjo seancë të shtyhet.

Sipas saj, avokati Qosa kishte thënë se për shkak se i mbrojturi i tij, kishte probleme shëndetësore ai nuk mund të ndjekë seancën e paraparë për të hënën.

Ndërsa, zyrtarja Bekteshi, ka bërë të ditur që seanca e radhës ende nuk është caktuar.

Ndryshe, avokati Qosa edhe në seancën e kaluar, më 29 maj 2019, kishte kërkuar nga gjykata që gjykimi ndaj të akuzuarit Sinani të shtyhet për arsye të njëjta shëndetësore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 dhjetor të vitit 2013, kishte ngritur aktakuzë ndaj Menderes Sinanit, ku të njëjtin e akuzon se në cilësi të udhëheqësit të Njësisë Anti-Trafikim në Stacionin Policor të Ferizajt, kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Ish-togeri Sinani, akuzohet edhe në një rast tjetër, ku së bashku me tetë persona të tjerë, akuzohen për veprat penale “moslajmërimi i veprave penale ose kryesve të tyre”, “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, “frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “deklarimi i rremë nën betim”.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt, me trup gjykues të udhëhequr nga gjykatësi i EULEX-it Piotor Bojarchuk, në muajin tetor të vitit 2016, kishte dënuar ish-togerin ferizajas Menderes Sinanin, me dënim unik prej 7 vjetësh burgim, për katër vepra penale të korrupsionit.

Gjykata gjithashtu kishte obliguar Sinanin që palës së dëmtuar, familjes së Bidajet Sylejmanit, t’ia kompensonte dëmin në shumë prej 4750 eurosh.

Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast Vahid Tahiri, nga shkalla e parë, ishte liruar nga akuza për veprën penale “shmangie nga pagesat e taksave doganore”.

Mirëpo, rasti i ish-togerit Sinani dhe të akuzuarit Tahiri, është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit e Kosovës.

“Betimi për Drejtësi”, në dhjetor 2017, pati siguruar aktgjykimin e Apelit, me të cilin kjo gjykatë, duke aprovuar ankesat e të pandehurit Sinani dhe mbrojtësit të tij avokatit Aziz Rexha dhe duke hedhur poshtë ankesën e prokurorit special Drew Angel, me aktvendim, në tërësi, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, të datës 6 tetor 2016, dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Në aktgjykim, ndër të tjera thuhej se Gjykata Themelore e Ferizajt, gjatë rigjykimit, duhet që në cilësi të dëshmitarit, ta dëgjojë Besim Shabanin, i cili po ashtu ishte i akuzuar në këtë rast, si dhe të përsëris marrjen në pyetje të shumicës së dëshmitarëve relevant të cilët kanë dëshmuar gjatë gjykimit të parë.

Ndryshe, pas vendimit të Apelit për kthim të lëndës në rigjykim, e njëjta gjykatë, më 16 nëntor 2017, po ashtu kishte marrë vendim për lirimin e Sinanit nga masa e paraburgimit. Ndërsa, kjo masë atij më pas i është zëvendësuar me paraqitje në stacion policor. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi