Aktakuzë për ish ministrin që tha se Masakra e Reçakut ishte trillim

Aktakuzë për ish ministrin që tha se Masakra e Reçakut ishte trillim

Pasi ishte shkarkuar nga pozita e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, deklarata fyese për masakrën e Reçakut, Ivan Teodosijeviqit, i ka kushtuar edhe me ngritje të aktakuzës ndaj tij.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të hënën, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj ish-ministrit të MAPL-së, Ivan Teodosijeviq.

Ai akuzohet se duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

“I pandehuri I.T., më 24.03.2019, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda  në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka ka kryer veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” nga neni 147, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ndryshe, Ivan Teodosijeviq, ishte ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila është në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të këtij viti, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

“Sot kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Është e pa tolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi”, kishte shkruar Haradinaj.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi