Rigjykimi ndaj ish-zyrtarëve të BSPK-së

Rigjykimi ndaj ish-zyrtarëve të BSPK-së

Ish-nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Ali Dragusha, ka deklaruar se akuzat për përvetësim në detyrë ndaj ish-zyrtarëve të BSPK-së, Bahri Shabani, Sami Rrahmani dhe Rrahman Emini, janë tendencioze.

“Kjo akuzë është bërë me tendencë për ta degraduar sindikatën dhe udhëheqjen që ka udhëhequr më shumë se 20 vite në mënyrën më të sinqertë dhe ndershme të mundshme”, deklaroi ai.

Në seancën e së hënës, ai ka thënë se ky rast është tendecioz dhe nuk ka asgjë përmbajtësore, dhe sipas tij, është bërë nga njerëz të caktuar, e për qëllime të caktuara.

Ai ka deklaruar se veprimi i udhëheqjes së re ka qenë propagandues me qëllim të degradimit të tyre për faktin se ishte vullneti i disa sindikatave të pavarura që të shkëputeshin nga BSPK dhe të formohet konfederatë sindikale në nivel të Kosovës.

“Ka pas kërcënime publike, e përmes mediave. Në një debat televiziv kryetari mu ka drejtu me fjalët “nëse unë jam gjallë, ju do të shkoni në burg mas paku 20 vjet”, ka thënë ai.

Ky dëshmitar ka thënë se ka qenë nënkryetar i sindikatave të Kosovës nga vitit 2002, deri në 2006, e se përgjegjësitë e tij kanë qenë në kuadër të standardeve të nënkryetarit, duke thënë se disa herë e ka zëvendësuar edhe kryetarin, dhe se ka qenë i angazhuar edhe për çështje anëtarësie.

Ai ka thënë se ka qenë i angazhuar edhe në lëmin financiar, jo në baza statutare, por me vendim të kryesisë.

Sipas tij, çështja e financimit të BSPK- së pas luftës ka qenë e njëjtë me mënyrën e financimit para luftës.

“A ju ka rastis që në raporte me pjesëtarë tjerë të dialogut social të ketë edhe raporte të huazimit?”, ka pyetur avokati Basri Jupolli, që mbron Bahri  Shabanin.

“Po, jo veç me subjekte por edhe me individë e aktivistë sindikal. Ta zëmë pom duhen 200 euro, qe merri”, ka thënë ai.

Sa i përket një huazimi në raport me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ai tha se ka qenë në dijeni jo vetëm ai, por të gjitha organet sindikale që kanë qenë legjitime në atë kohë, kryesia, këshilli e kongresi. Sipas tij, është lejuar ky huazim.

I akuzuari Bahri Shabani, ka pyetur dëshmitarin se meqenëse ka punuar edhe kryetarët e mëvonshëm të BPSK-së, a është diskutuar çështja e huazimit dhe a kanë nënshkruar raport të pranim-dorëzimit të financave te organet e reja.

“Organet e reja jo vetëm në kuptim të huazimeve në njëfarë forme ata i kanë cilësu si keqpërdoruesit më të madh në Kosovë, udhëheqjen e kalume, keqpërdoruesit më të madh edhe të financave edhe çështje tjera. Me mua nuk është bisedu, ata kanë propagandu me media”, tha ai.

Ai shtoi se nuk i kujtohet pranimi-dorëzimi i financave te organet e reja, por sipas tij, është dashur të bëhet pa dyshim, duke thënë se nuk i kujtohet nëse e ka bërë në formë të shkruar.

Avokati mbrojtës i Rrahman Eminit, Ali Latifi, ka pyetur dëshmitarin se a ka pasur të drejtë i akuzuari Emini t’i bart mjetet nga arka pa nënshkrimin e personave në hierarki.

“Stafin e kemi pas 5- 6 veta dhe një person si Rrahman Emini ka kry shumë punë dhe ka pas autorizime edhe në financiare edhe çështje tjera”, deklaroi dëshmitari.

Ai tha se kanë bërë raport të hyrje-daljeve të mjeteve financiare, dhe të njëjtat janë miratuar çdo herë.

“Ju thatë që shpesh e keni zëvendësu kryetarin, ju si udhëheqës financiar, a keni dhënë ndonjëherë urdhër qe të bëhet ndonjë pagesë nga arka për ndonjë person fizik apo juridik?”, ka pyetur avokati Latifi.

“Këto kanë qenë, çdo herë janë zbatu, Rrahman Emini ka kryer këso raporte dhe detyrimet që kanë qenë të hapura ndaj BSPK i ka pagu”, tha dëshmitari.

Ai deklaroi se financimi i BSPK-së, kryesisht ka qenë me donacione nga faktori ndërkombëtar dhe se këto organizata kanë kërkuar raporte, e pas përfundimit të projekteve, të njëjtat u janë dërguar, ku edhe janë miratuar nga organet e donatorëve.

“A keni marr huazimin nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale?”, ka pyetur anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti.

“Në bazë të disa projekteve kemi qenë edhe ne pjesëmarrës dhe ata kanë mund që vazhdimisht të na kenë mbështetur”, tha ai.

Kurse, tha se huazimet kryesisht janë bërë përmes llogarive bankare, por ka pasur raste kur janë bërë edhe në formën kesh.

Dëshmitari tjetër, Zeqir Shkodra, deklaroi se në BSPK ka punuar në vitet e 90-ta, e deri përafërsisht në shtator të vitit 2007.

“Kam qenë i angazhuar në shërbimin administrativ-teknik, kam kryer detyra të ndryshme prej arkivimit të dokumentacionit, përpilimin e shkresave e parashtresave të ndryshme në emër  të BSPK”, tha ai.

Ai tha se ka ndihmuar kongresin e BSPK- së dhe organet e tjera lidhur me çështjet administrative e teknike, fotokopjimi i dokumenteve dhe përgatitja teknike.

Ai tha se i ka rastisur të përpilojë edhe kontrata, mirëpo tha se nuk ka përpiluar kontratën për huazimin e mjeteve mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies sociale e BSPK-së, ndërkaq tha se e njëjta është protokolluar.

Edhe i akuzuari, Bahri Shabani ka pasur pyetje për dëshmitarin Shkodra.

“Pas kongresit në 2006 kur është ndërruar udhëheqja, deri në atë periudhë keni qenë shef i administratës, sa veta jeni largu nga puna dhe pse?”, pyeti ai.

“Jemi larguar gati të gjithë me përjashtim të pastrueses për të vetmen arsye pse kemi punuar me ish-udhëheqjen e mëparshme dhe nuk jemi të përshtatshëm për udhëheqjen e re”, tha dëshmitari.

Ndërkaq, në gjykim është dëgjuar edhe Valdet Gashi nga kompania “Agro Llapi”, i cili deklaroi se të akuzuarin Rrahman Emini, e ka djalë të axhës së nënës.

Ai deklaroi se udhëheqës i kompanisë ka qenë Burim Gashi, vëllai i tij, ndërkaq tha se kompania është familjare, e detyrat e tij kanë qenë kontabiliteti dhe financat.

Ai ka thënë se raporte huazimesh me BSPK nuk ka pasur.

“A keni mbet me ndonjë detyrim të hapur me BSPK?”, ka pyetur avokati Basri Jupolli, e dëshmitari ka mohuar një gjë të tillë.

“Si po e dini se nuk keni detyrime të hapura derisa thatë se me BSPK nuk keni pas asnjë raport?”, ka pyetur kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ndërkaq dëshmitari ka thënë se nuk ka përgjigje.

Ai ka thënë se duke respektuar Rrahman Eminin dhe duke parë se BSPK ka nevojë për t’u ndihmuar, i kanë ndihmuar disa herë financiarisht dhe me mjete tjera, para dhe pas vitit 1999.

I akuzuari Rrahman Emini, ka pyetur dëshmitarin nëse një shumë prej 7000 euro është huazuar nga ana e tij në BSPK dhe nëse paratë iu kanë kthyer nga këta të fundit.

“Po, i kam dhënë dhe i kam marr”, tha ai.

“Këto ndihmat e juaja për BSPK dhe këto kontribute a janë dhënë me ndonjë detyrim apo veç se keni pas mundësi materiale e dëshirë dhe dashuri për vendin e BSPK që ta ndihmoni?”,  ka pyetur kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

“Vetëm ndihmë dhe asgjë më shumë”, tha ai.

“Nëse veç ndihmë pse ka pas sindikata me i kthy këto paratë?”, pyeti gjykatësi Kalludra.

“Vetëm ua kam huazuar për me u lehtësu punën e pagave. Unë nuk kam pas nevojë asnjëherë për ndihmën e tyre”, tha dëshmitari.

Ndërkaq, dëshmitari Veli Lecaj, ka thënë se mbetet prapa deklaratave që ka dhënë më herët dhe për të njëjtin nuk ka pasur  pyetje të tjera nga palët, përveç avokatit Latifi që ka pyetur se a e njeh të akuzuarin Rrahman Emini.

“Gjatë shqyrtimeve gjyqësore për herë të parë e kam njoft”, tha ai.

Kjo seancë është ndërprerë, meqenëse kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, kishte një seancë tjetër dhe e njëjta pritet të vazhdojë më 20 gusht, me fillim nga ora 9:00.

Gjykata e Apelit për herë të dytë këtë rast e kishte kthyer në rigjykim më 3 prill të vitit 2018.

Kjo gjykatë kishte vlerësuar që në rigjykim duhet të evitohen shkeljet, të administrohen të gjitha provat e të bëhej angazhimi i ekspertit financiar dhe grafologjik ose të merret për bazë ekspertiza financiare ekzistuese.

E sipas shkallës së dytë nëse paraqiten kundërthënie në mes ekspertizës financiare dhe asaj ekzistuese, atëherë drejtpërdrejtë duhet të bëhet dëgjimi i dy ekspertëve në shqyrtim gjyqësor.

Ndryshe, më 17 shtator të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte shpallur për herë të dytë fajtorë të akuzuarit.

Bahri Shabani, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që brenda 15 ditësh t’ia kompensojë BSPK-së, shumën në vlerë prej 11.500 euro.

Kurse, Sami Rrahmani ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, si dhe ishte  obliguar që BSPK-së, t’ia kompensojë dëmin prej 7060.20 euro.

Ndërsa, Rrahman Emini, ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që BSPK-së t’ia kompensojë shumën në vlerë prej 5536.60 euro.

Në aktgjykimin e shpallur, gjyqtari Beqir Kalludra, dënimi me burgim ndaj tre të akuzuarve nuk do të ekzekutohej, nëse të njëjtit nuk kryenin ndonjë vepër penale brenda dy vjetësh.

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në nëntorin e vitit 2016, i kishte shpallur fajtorë tre ish-zyrtarët e BSPK-së. Bahri Shabani, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, Sami Rrahmani me një vit burgim me kusht dhe Rrahman Emini me një vit e gjashtë muaj burgim me kusht. Por, ky dënim me burgim, nuk do të ekzekutohej nëse personat në fjalë, nuk do të kryenin vepër tjetër penale në afat prej dy vjetësh.

Por, pas ankesave të mbrojtjes në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 21 maj të vitit 2014, të pandehurit në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës si persona zyrtarë në selinë e BSPK-së në Prishtinë dhe atë Bahri Shabani, si kryetar i BSPK-së, Rrahman Emini, si përgjegjës për financa dhe Sami Rrahmani.

Në aktakuzë thuhet se në bazë të urdhrit të pandehurit Shabani, i pandehuri Emini me urdhër të arkës nr.112 të datës 11 nëntor 2006 dhe kontratës nr. 308 të datës 11 nëntor 2005 kanë tërhequr nga arka si huazim për MPMS shumën e parave prej 11 mijë e 500 euro, të cilat i ka pranuar i pandehuri Rrahmani. Ndërsa, kontrata në fjalë thuhet se nuk ekziston në MPMS, me çka këto mjete i kanë përvetësuar, duke e mbyllur arkën nr.49 më 28 shtator 2006, në emër të kthimit të huazimit nga MPMS, e që në bazë të llogarisë së BSPK, më 28 dhjetor 2005 në emër të përgatitjes së kongresit të IV të BPSK-së, nga i pandehuri Rrahman Emini është bërë tërheqja e mjeteve nga arka e BSKP në vlerë prej 7.006.02, në emër të kinse në emër të kthimit të huazimit për ndërmarrjen private “Agro Llapi”.

E kjo, sipas aktakuzës, duke referuar një kontratë inekzistente është bërë tërheqja e mjeteve sipas nr të arkës 003/06  i datës 19 janar 2006, në shumë prej 5.553.60 euro në emër të gjoja kthimit të huazimit për këtë ndërmarrjen “Agro Llapi”, të cilat i ka pranuar Sami Rrahmani.

Por, ky huazim thuhet se nuk ekzistonte dhe këto mjete të pandehurit i kanë përvetësuar.

Tutje, thuhet se i pandehuri Shabani më 1 dhjetor 2004 ka marr një kredi në BPB në Prishtinë në emër të BSPK-së në shumë prej 5000 euro dhe ato mjete i ka shpenzuar për nevoja të veta private dhe se të njëjtët kredi e ka kthyer në vitin 2007, kur ka filluar ndërmarrja e veprimeve hetimore në këtë rast, me ç ‘rast thuhet se BSPK-së i kanë shkaktuar dëm material. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi