Ismaili: Kemi vendosur themelin e një qeverisje të mirë në shëndetësi

Ismaili: Kemi vendosur themelin e një qeverisje të mirë në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se për afër dy vite sa është ministër, në sektorin e Shëndetësisë për herë të parë janë vendosur themelet stabile.

“Ka pasur përmirësime të mëdha. Kur e them këtë, nuk tentoj të krijoj një imazh që nuk është i vërtetë. Përmirësime ka pasur dukshëm, por natyrisht që nuk jemi ende aty ku dëshirojmë të arrijmë. Por, mund të ju them se për herë të parë jemi duke vendosur disa themele stabile të shëndetësisë në Kosovë”, ka thënë ministri Ismaili.

Më tej, ai ka thënë se përmes kësaj politike, po ruhet xhepi i qytetarëve të Kosovës.

“Ne kemi ruajtur xhepin e qytetarëve në dy mënyra. E para kemi ndalur abuzimet e parasë publike dhe e dyta, kemi ulur numrin e pacientëve që i dërgojmë për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore”, ka shtuar ministri Ismaili.

Ndër të tjera, Ismaili ka thënë se gjatë kësaj periudhe përveç që janë ndaluar çmimet abuzive në blerjen e barnave janë thyer edhe monopole të ndryshme.

“Kemi investuar shumë për të rritur cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve. Po ashtu, kemi shtuar shumë shërbime të reja të cilat po reflektojnë një përmirësim të gjendjes në shëndetësi. Janë bërë reforma të mëdha me të cilat është vendosur themeli dhe modeli i një qeverisje të mirë. Për shembull, krijimi i shërbimit 24 orësh në kujdesin e zemrës dhe stentimin. Vitin 2018 kemi pasur dyfishin e stentimin në krahasim me vitin 2017. Kjo u ka shpëtuar rreth 12 milionë euro të qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.
Më tej, ministri Ismaili ka thënë se kanë nisur investime të mëdha edhe në Klinikën e Oftamologjisë dhe Orotpedisë, që pacientët kosovarë të kenë mundësi të marrin shërbime në institucionet publike.

Ministri Ismaili ka përmendur edhe krjimin e Ambulancave Specialistike, ku nga 200 shërbime ambulatore që janë ofruar në ditë, tani në ambulancat e reja specialistike ofrohen rreth 1000 shërbime të tjera.

Ministri Ismaili ka folur edhe për transformimin farmaceutik ku janë në proces të krijimit 100 barnatore të klinikave dhe reparteve, për një sistem të mirëfilltë të shpërndarjes së barnave.


MË SHUME NGA Shëndetësi