Prokuroria kërkon dënim për kryetarin e FFK-së, mbrojtja lirimin

Prokuroria kërkon dënim për kryetarin e FFK-së, mbrojtja lirimin

Prishtinë – Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar që kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi të shpallet fajtor për veprat penale të ushtrimit të ndikimit dhe të detyrimit, dhe të dënohet sipas ligjit.

Kjo prokurori, gjithashtu ka kërkuar edhe dënimin e të akuzuarit tjetër për të njëjtat vepra penale, Muharrem Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ademi e Rama akuzohen se me qëllim të përfitim material, e kishin detyruar dhe kërcënuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, lidhur me pagesën e një veture të tipit “BMË X5”, në vlerë prej 30 mijë euro, e cila më pas pretendohej t’i dorëzohej kryesuesit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti.

Propozimin që për këto akuza të shpallen fajtorë, dy të akuzuarit, e ka dhënë prokurorja Merrushe Llugiqi, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Llugiqi ka thënë se fjalën përfundimtare me shkrim e ka përgatitur prokurori i çështjes Feti Tunuzliu, por i cili ka dal në pension, derisa ajo ka shtuar se atë do ta lexojë shkurtimisht.

Sipas saj, në dëshminë e të dëmtarit Dritro Kadolli dhe me raportet e bastisjes së zyrave, e me transkriptet e përgjimeve telekominikuese, është vërtetuar qartë dyshimi i bazuar se të akuzuarit Rama dhe Ademi, kanë kryer veprat penale të ushtrimit të ndikimit dhe detyrimi.

“Të dy me vetëdije të plotë kanë kërkuar nga i dëmtuari Kadolli, një veture BMW X5, për Sami Hamitin dhe është i pa diskutuar fakti që të dy si persona zyrtarë kanë kryer ndryshimin e parcelës së gjelbëruar në zonë ndërtimore”, ka thënë prokurorja Llugiqi.

Sipas saj, të bashkakuzuarit janë penalisht përgjegjës sepse veprat i kishin kryer me dashje direkte dhe mes veprimeve të tyre dhe pasojës ekziston lidhja kauzale.

Në fund, ajo ka kërkuar që të akuzuarit të dënohen dhe ndaj tyre të merret si rrethanë rënduese edhe dëmi në shumë prej 30 mijë euro, i veturës “BMW X5”.

Krahas fjalës përfundimtare të prokurores, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ramiz Krasniqi dhe Qazim Qerimi, kanë kërkuar lirim nga akuzat për klientët e tyre.

Mbrojtësi i Agim Ademit, avokati Qerimi ka thënë se të akuzuarit nuk kishin qenë persona zyrtarë, ashtu siç pretendon prokurorja, duke shtuar se e vlerëson sinqeritetin e prokurores Llugiqi që tha se fjalën përfundimtare vetëm do ta prezantojë, sepse e ka përgatitur dikush tjetër.

Qerimi ka thënë se në aktakuzë nuk janë të shkruara veprimet e dy të akuzuarve veç e veç, kurse klienti i tij, sipas Qerimit, kishte qenë në këtë kohë jashtë vendit për shkak të problemeve shëndetësore.

Ai ka deklaruar se gjykata nuk duhet t’i fal besimin një personi si Dritëro Kadolli, pasi që i njëjti, sipas tij, është mashtrues dhe nga personaliteti i tij është parë që ka deklaruar rrejshëm.

Qerimi ka shtuar se ndaj Kadollit janë të ngritura tri aktakuza për veprën penale të mashtrimit e kjo gjë e tregon më së miri çfarë njeriu është.

Ai ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuzat me të cilat ngarkohet.

Ndërsa, mbrojtësit i të akuzuarit Rama, avokati Krasniqi, ka thënë se ka shqetësim mbi çfarë prova akuzon Prokurori i Shtetit.

Sipas tij, e vetmja provë në këtë rast është deklarata e të dëmtuarit Kadolli dhe përgjimet telefonike.

Krasniqi ka thënë se gjykata duhet të marrë parasysh mendimin se a do t’i fal besimin një “mashtruesi që po akuzohet për mashtrim në raste të ndryshme”.

Sipas tij, vepra penale për të cilën akuzohen Rama dhe Ademi, nëse do të ekzistonte do të ishte tentativë, e që sipas Kodit Penal të Kosovës, për veprat penale për të cilat të njëjtit akuzohen nuk parashihet dënimi i tentativës, por vetëm për vepra që parashihet burgim me më së paku tre vjet.

Edhe Krasniqi, nga gjykata ka kërkuar lirimin e të akuzuarit Rama nga akuzat me të cilat ngarkohet.

Pas fjalës përfundimtare të palëve, shpallja për këtë rast nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj është caktuar të bëhet më 5 korrik, në orën 13:30.

Ndryshe më 24 maj 2019 ishte ftuar për dëshmi ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti.

Në seancën 24 prillit 2019, ishte paraparë të jepej fjala përfundimtare, mirëpo prokurori Feti Tunuzliu kishte propozuar që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohej Sami Hamiti, pasi sipas tij, ai ishte dëshmitari kyç në këtë çështje penale.

Këtë propozim e kishin kundërshtuar mbrojtësit e të akuzuarve Ademi dhe Rama, avokatët Qazim Qerimi dhe Ramiz Krasniqi.

Në dëshminë e tij, ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, kishte deklaruar se gjatë vitit 2012, kishte punuar në Komunën e Prishtinës si kryesues i Kuvendit Komunal, e të akuzuarin Ademi, kishte thënë se e kishte njohur që nga para lufta, sepse kishin qenë anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Hamiti kishte mohuar që kishte pranuar veturë “BMW X5” nga të akuzuarit, duke shtuar se ai kishte tentuar ta blinte një veturë të tipit “Audi Q7”, të cilin ia kishte sjell i akuzuari Ademi.

Sipas Hamitit, ai kishte shitur veturën e tij dhe kishte kërkuar të blinte një veturë më familjare me shtatë ulëse, e i akuzuari Ademi, sipas tij, i kishte propozuar atij veturën “Audi Q7”.

“Unë një “Audi Q7” e kom provu, Agimi u ardh më ka marrë në shpi e unë kom vozitë me të deri në Batllavë për të parë se a më përshtatet, por më pas s’kam qenë i interesum me ble e përmes telefoni e kom njoftu Agimin se nuk do ta marrë. Me sa më kujtohet vetura ka kushtu 25 ose 26 mijë euro”, kishte deklaruar Hamiti.

Ai kishte deklaruar se nuk e din se e kujt kishte qenë vetura “Audi Q7”, por kishte thënë se i kujtohet se kishte qenë pa regjistrim vendor, e për pronar të saj, nuk ishte interesuar sepse nuk e kishte blerë.

I pyetur nga anëtari i trupit gjykues Vesel Ismalji, se këtë veturë a ia kishte dhënë dhuratë i akuzuari Ademi, derisa Hamiti ishte përgjigjur se çfarë do t’i interesonte çmimi i shtrenjtë nëse dikush do t’ia dhuronte veturën.

Hamiti kishte deklaruar se të dëmtuarin Kandolli se kishte takuar më parë, për të cilin ka thënë se është mashtrues, sepse sipas tij, me prokurorin e EULEX-it, Paskal Person kishin bërë spektakël dhe e kishin arrestuar, e me të njëjtat prova më pas Hamiti kishte thënë se ishte liruar, e madje kishte marrë kompensim edhe nga shteti se ishte privuar nga liria.

Ndryshe, në seancën e 30 janarit 2019, dy të akuzuarit kanë shfrytëzuar të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje, duke thënë se mbesin pranë deklaratës që kishin dhënë te prokurori i EULEX-it, më 2 maj 2013.

Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi