Apeli vërteton pafajësinë e të akuzuarit për pjesëmarrje në grup terrorist

Apeli vërteton pafajësinë e të akuzuarit për pjesëmarrje në grup terrorist

Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar pafajësinë të akuzuarit për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, Gazmend Haliti.

Ky vendim i Apelit, vjen pas rreth një viti e gjysmë pasi që kjo gjykatë duke vendosur në një rast tjetër, të njohur si rasti “Badovci”, të akuzuarit Haliti, ia kishte konfirmuar një dënim prej tre vjet e gjashtë muaj burgim, për vepra penale që lidhen po ashtu me terrorizëm, raporton “Betimi për Drejtësi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 prill 2019, në mungesë të provave, e kishte liruar nga akuza Gazmend Halitin, pasi sipas kryetarit të trupit gjykues në gjykatën e shkallës së parë, gjykatësit Isuf Makolli, nuk ishte provuar se ai ka kryer veprën penale për të cilin është akuzuar.

Ndaj Halitit, gjykata kishte ndërprerë edhe masën e paraburgimit.

Por, e pakënaqur me lirimin nga akuza të Halitit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ushtruar ankesë në Apel, duke kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë, që ta anulojë aktgjykimin e Themelores dhe lëndën ta kthej në rigjykim.

PSRK-ja në ankesën e saj pretendonte se është bërë vërtetimi jo i plotë dhe i gabueshëm i gjendjes faktike, pasi shkalla e parë, disa prova dhe fakte i kishte neglizhuar, ashtu që në fund ka nxjerrë konkludime të gabuara duke konstatuar se në rastin konkret nuk është vërtetuar vepra penale.

Sipas prokurorisë, shkalla e parë ka pasur prova të mjaftueshme që të akuzuarin Haliti ta shpallë fajtor, sepse ka pasur mjaft fotografi ku shiheshin i akuzuari së bashku me Betim Ibrahimajn, të armatosur dhe me uniforma ushtarake, ku të dy edhe janë kthyer bashkë nga Siria.

Se këto fotografi ku shihej i akuzuari janë bërë në Siri, sipas ankesës së prokurorisë, kishte dështmuar në Polici edhe Fitim Dema, i dënuar për vepër të njëjtë.

Këtë ankesë të PSKR-së, e kishte mbështetur edhe Prokuroria e Apelit, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Asdren Hoxha, i kishte propozuar Apelit që ankesën e prokurorisë të hedhë poshtë si të palejuar.

Mirëpo, pretendimet e prokurorisë i ka hedhur poshtë si të pabazuara Gjykata e Apelit.

“Gjykata e Apelit, duke vlerësuar aktgjykimin e ankimuar sipas pretendimeve ankimore të paraqitura në ankesën e PPS në Prishtinë e në kuptim të nenit 384 par.1 të KPK, gjen se gjykata, ka dhënë arsye të qarta dhe të plota rreth argumentimit se i akuzuari Gazmend Haliti, nuk është kryes i veprës penale, Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 par.2 të KPRK-së.”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas vlerësimit të Apelit, nga provat që gjenden ne shkresat e lëndës, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka ardhur në përfundim të drejtë kur ka vlerësuar se i akuzuari nuk është kryes i veprës penale për çka akuzohej dhe lidhur më këtë, vazhdon aktgjykimi i Apelit, shkalla e parë ka dhënë arsye të qarta dhe të plota.

“..se në shkresat e lëndës nuk gjendet asnjë provë e besueshme që do të vërtetonte se i akuzuari Gazmend Haliti i është bashkangjitur grupit të shqiptarëve, që të luftojnë në radhët e organizatës terroriste militante ISIS. Këto fakte vërtetohen nga provat e nxjerra në shqyrtimin gjyqësor të cilat janë te qarta dhe te plota se i akuzuari nuk është kryes i veprës penale, objekt i akuzës kjo për faktin se edhe nga raportet mbi ekzaminimin e pajisjeve elektronike nga leximi i aktakuzës e cila është ngritur kundër të akuzuarit B.I. PKR 264/15 si dhe nga Byroja Federale e Hetimit të SHBA-së, nuk kanë dhënë ndonjë konkludim të drejtë se bëhet fjalë për të akuzuarin Gazmend Haliti..”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Për të njëjtat arsye si më lartë, sipas aktgjykimit të Apelit, nuk qëndrojnë as pretendimet ankimore se është shkelur ligji penal në favor të akuzuarit siç pretendohet në ankesën e PSRK-së.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 nëntor 2016, i pandehuri Gazmend Haliti, akuzohej se më 17 gusht 2013, nga Aeroporti i Prishtinës ka marrë rrugën drejt Stambollit, për të vazhduar më pas në Siri.

Sipas aktit akuzues, Haliti i ishte bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS dhe kishte marrë pjesë aktivisht në veprimtarinë e kësaj organizate për dy muaj.

Në shkurt të vitit 2014, sipas aktakuzës, Haliti nga Aeroporti i Stambollit kishte fluturuar në Aeroportin e Tiranës, ku më pas ishte futur në Kosovë.

Gazmend Haliti ka qenë i akuzuar edhe në grupin e njohur si “Badovci”, në të cilin ai më 19 korrik të vitit 2017, bashkë me të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ai ishte dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim, dënim i cili i është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi