Arsyetimi i Apelit që i liroi nga akuzat për korrupsion “MTPT"

Arsyetimi i Apelit që i liroi nga akuzat për korrupsion “MTPT"

Rreth dy vjet pasi që ishin liruar nga akuzat për krim të organizuar dhe korrupsion, në rastin e njohur si “MTPT”, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe ministri aktual i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, janë liruar përfundimisht nga këto akuza edhe nga Gjykata e Apelit.

Nga akuzat në fjalë, janë liruar edhe të akuzuarit tjerë në këtë rast, Shpëtim Telaku, Nexhat Krasniqi dhe Florim Zuka.

Gjykata e shkallës së dytë, më 30 maj të vitit 2019, ka vendosur që të vërtetojë aktgjykimin e Themelores dhe të refuzojë ankesën e paraqitur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo e fundit, aktgjykimin e shkallës së parë e kishte kundërshtuar për shkak të pretendimeve se ai aktgjykim, është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal.

Për këto arsye, PSRK-ja i kishte propozuar Gjykatës së Apelit ta anulojë aktgjykimin e Themelores dhe çështjen t’ia kthejë gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Mirëpo, këto pretendime të PSRK-së i ka hedhur poshtë si të pabazuara gjykata e shkallës së dytë.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të pretenduara ne ankesë dhe as që ka shkelje tjera të cilat Apeli, si instancë e dytë, i shqyrton detyrimisht, e të cilat kishin për ta kushtëzuar anulimin e tij.

Apeli i ka refuzuar si të pabazuara pretendimet e PSRK-së se gjykata ka dështuar te jep arsye lidhur me faktet e provuara apo jo të provuara për sa i përket provave që kanë te bëjnë me tenderin “08-006-511- Mirëmbajtja verore e rrugëve regjionale të Kosovës 2008 – Regjioni i Ferizajt” dhe nuk e ka gjykuar plotësisht lëndën e akuzës mbi përmbajtjen e kësaj pike të akuzës për krim te organizuar dhe shpërdorim te pozitës zyrtare ose autorizimit kundër Fatmir Limaj dhe Shpëtim Telaku.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, aktgjykimi i referohet vetëm personit të akuzuar dhe vetëm veprës penale që është objekt i akuzës së përfshirë në aktakuzën e paraqitur fillimisht, të ndryshuar ose të zgjeruar në shqyrtimin gjyqësor, kurse bazuar në dispozitat ligjore, gjykata nuk ka mund jep arsye për veprimet inkriminuese, të cilat nuk i ka përshkruar prokuroria në akuzën e konsoliduar, të cilat sipas Apelit, në fakt është dashtë te theksohen në dispozitivin e akuzës sa i përket manipulimeve të pretenduara për këtë tender.

“Gjykata nuk ka obligim që në bazë të provave të administruara t’i përcaktojë veprimet inkriminuese të pandehurit dhe të ndërtojë dispozitivin e akuzës përkitazi me to,  sepse organ i ndjekjes është Prokurori dhe jo Gjykata, dhe ajo nuk mund ta rendojë pozitën e te pandehurit/ve duke i ngarkuar me veprime inkriminuese, të cilat nuk janë të përfshira në dispozitivin e akuzës. Prokurori konform dispozitës se nenit 241 te KPP ka obligim që në dispozitivin e akuzës të theksojë në mënyrë të qartë veprimet inkriminuese te pandehurit/ve (elementet e veprës penale) dhe rrethanat e nevojshme, kurse  gjykata vetëm  vlerëson ligjshmërinë dhe bazueshmerinë e akuzës.”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Apeli e ka refuzuar si të pabazuar edhe pretendimin e prokurorisë, se aktgjykimi përfundimtar me shkrim është nënshkruar nga kryetarja e trupit gjykues në kohën kur ajo nuk ka qenë gjyqtare dhe nuk ka pasur autoritet ekzekutiv që të nënshkruajë aktgjykimin përfundimtar dhe as kërkesa për vazhdim të afatit prej 60 ditëve për përpilimin e aktgjykimit me shkrim, nuk është zbatuar me rregull.

Sipas Apelit, kryetarja e trupit gjykues, e cila ka nënshkruar aktgjykimin ka dal zyrtarisht  nga misioni i EULEX- it, më 25 nëntor 2017 dhe kërkesën për vazhdimin e afatit të përpilimit të aktgjykimit nuk e ka bërë kryetarja e trupit gjykues, por një gjyqtar tjetër i EULEX-it, mirëpo, nga kjo, sipas Apelit, nuk mund te konkludohet se aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse, kryetarja e trupit gjykues pavarësisht se ka dal nga misioni i EULEX-it pas shpalljes së aktgjykimit, ka përpiluar dhe nënshkruar një vendim të vetin, të cilin ajo e ka marrë së bashku me anëtaret e tjerë të kolegjit në kohën kur kishte mandat të gjyqtares.

“Aktgjykimi është shpallur publikisht në prezencë të palëve dhe si kryetare e trupit gjykues asaj i ka takuar barra e përpilimit të aktgjykimit dhe nënshkrimit, ndërsa është krejt irelevant fakti se kërkesa për vazhdimin e afatit për përpilimin e aktgjykimit nuk është bërë nga ajo”,  thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Kolegji i Gjykatës së Apelit, në përbërje me gjykatësit, Driton Muharremi, Mejreme Memaj dhe Afrim Shala, i ka refuzuar si të pabazuara edhe pretendimet e prokurorisë për sa i përket gjendjes faktike.

Sipas Apelit, pretendimet e prokurorit se gjykata nuk e ka vërtetuar drejt dhe në mënyrë  të plotë gjendjen faktike ngase ka dështuar për të konsideruar çdo dëshmi në lidhje me veprimet e të pandehurve për të penguar hetimet jo vetëm që janë të pabazuara, por edhe krejtësisht të paqarta, pasi me aktakuzën e konsoliduar nuk del se të pandehurit kanë qenë të akuzuar për ndonjë nga veprat penale që bien në gamen e veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.

Përshkrimi i veprës penale dhe emërimit i saj ligjor, vazhdon aktgjykimi i Apelit, është detyrë e prokurorisë e jo e gjykatës.

“E meqë nuk ka përshkrim te veprës penale dhe kualifikim ligjor të saj është i parëndësishëm  fakti se provat janë pranuar si dëshmi dhe janë administruar, për më tepër çuditërisht Prokurori edhe vet thekson “se megjithëse nuk kishte dëshmi të drejtpërdrejtë për të lartpërmendurat gjatë shqyrtimit gjyqësor çështja u ngrit dhe u trajtua në aktakuzën e konsoliduar dhe provat e bisedave u pranuan në dëshmi”, prandaj janë të pabazuara pretendimet e Prokurorit në ketë drejtim”, thuhet në aktgjykimin e shkallës së dytë.

Megjithëse, e ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores, Kolegji i Apelit, ka gjetur se gjykata e shkallës së parë e ka interpretuar gabimisht dispozitën e nenit 273 par.7 pika 3 të KPK-së, ku si krim të rëndë kanë nënkuptuar veprën penale për të cilën parashihet një kohëzgjatje minimale prej katër apo më shumë vjetësh burgim, mirëpo përkundër kësaj, sipas Apelit, në rastin konkret nuk mund të thuhet se është shkelur ligji penal, ngase të pandehurit janë liruar nga akuza edhe për bazën ligjore të mos provimit të kryerjes së veprave penale bazë të krimit të organizuar.

Si të drejtë e ka vlerësuar Apeli edhe vendimin e shkallës së parë për shpalljen të papranueshme të disa provave, SMS-ve të printuar, të cilat ishin gjetur në shtëpinë e Fatmir Limajt.

Meqë, kopjet fizike të SMS-ve ishin shpall të papranueshme, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë kishte vlerësuar provat e mbetura, të cilat janë cekur më lartë dhe me gjerësisht theksohen në aktgjykimin e kundërshtuar lidhur me tenderin – mirëmbajtja verore dhe dimërore – regjioni i Gjilanit për vitin 2009/2010 (009/004/511), dhe me të drejtë kishte ardhur në konkludim se prokuroria nuk ka ofruar prova, të cilat vërtetojnë përtej dyshimit të arsyeshëm, asnjërin nga pretendimet e prokurorisë për manipulimet e bërë sa i përket këtij tenderi, marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi për të pandehurin Florim Zuka.

Konkludimin e trupit gjykues në shkallë të parë, se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë, veprat penale në lidhje me tenderin 08-073-521– asfaltimi i rrugës Duraj-Gabricë, e ka mbështetur edhe Apeli.

Sipas aktgjykimit të Apelit, prokuroria nuk kishte ofruar asnjë provë se Fatmir Limaj kishte qenë i pranishëm në një takim në restorant ku pretendohej se i njëjti i kishte udhëzuar bashkëpunëtorët e kompanisë që kishte fituar tenderin, lidhur me shumën që duhej të ofronte kjo kompani për të fituar tenderin e po ashtu, nuk kishte ka ofruar asnjë provë se kush nga bashkëpunëtorët e kësaj kompanie ishin në këtë takim.

Ndodhja e Fatmir Limajt në takimin në fjalë, sipas Apelit, nuk mund të konstatohet vetëm nga ekzistenca e faturës së restorantit në fjalë, ndërsa gjetja e kësaj fature në posedim të Limajt, sipas Apelit, është vetëm indicie apo supozim që nuk mund të argumentohet me prova tjera.

“Ekspertet e Prokurimit në raportin e tyre përkitazi me ketë tender kanë konkluduar se nuk kishte asnjë dëshmi të manipulimit ose marrëveshje për rregullimin e çmimeve.”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në fund të aktgjykimit të saj, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë e ka vërtetuar gjendjen faktike duke i administruar të gjitha provat e mundshme dhe duke i vlerësuar ato secilën veç e veç dhe të gjitha se bashku duke dhënë arsye se cilave ua ka fal besimin, e cilave jo dhe përse, por në mungesë të provave të bazuara, vetëm në bazë të supozimeve dhe një dyshimi të mundshëm nuk ka mund qe të pandehurit t’i shpall fajtorë.

“Me të drejtë ka konkluduar se provat të cilat janë administruar nuk e kalojnë limitin e dyshimit të arsyeshëm se të pandehurit i kanë ndërmarrë veprimet inkriminuese për të cilat janë akuzuar. Nuk është detyrë e të akuzuarit të vërtetojë pafajësinë e tij por është detyrë e prokurorit që ta vërtetojë akuzën me prova konkrete çka në ketë rast Prokurori nuk ka arrit ta bëjë.  Kështu, bazuar ne ketë në rastin konkret ka vend qe te aplikohet instituti juridik “in dublo pro reo”, që do të thotë se konkludimi i Gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm”, përfundon aktgjykimi i Apelit.

Ndryshe, më 24 nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur të pafajshëm zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala dhe tre të akuzuarit tjerë për veprat penale të krimit të organizuar, korrupsion dhe vepra tjera penale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.

Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.

Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014 kishte vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.

Aktakuza e konsoliduar i ngarkonte të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpëtim Telakun për veprat penale, krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit, Florim Zukën, për veprat penale, dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.

Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohej po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi