Qofte shtëpie me spinaq dhe patate, receta e shpejtë plot shije

Qofte shtëpie me spinaq dhe patate, receta e shpejtë plot shije

Qoftet e shumë kërkuara dhe shumë të famshme janë një ndër gatimet më interesante të kuzhinës botërore.

Përgatitja e qofteve të shtëpisë është edhe një nga traditat më të hershme të kulinarisë shqiptare e cila vazhdon edhe sot.

Renditen si ndër ushqimet më të preferuara të të gjithë familjes nga të mëdhenj dhe të vegjël.

Gjithësesi nëse jeni lodhur nga përgatitja tradicionale e tyre me mish dhe po kërkoni një shije të re, jeni në vendin e duhur.

Receta e sotëme ju sugjeron të provoni qoftet me spinaq dhe patate pasi kanë një shije të mrekullueshme.

Më poshtë do të gjeni të shpjeguar hap pas hapi mënyrën e saktë të përgatitjes së tyre.

Përbërësit

500 gr patate

250 gr spinaq

2 vezë

3-4 lugë gjelle djath kaçkavall i grirë

5 lugë gjelle thërrime buke të thekur

3-4 lugë gjelle miell

vaj për skuqje

kripë

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë ju këshillojmë të lani dhe pastroni me kujdes fletët e spinaqit.

Më pas gatuajini për 10 minuta në një tigan ashtu siç janë, pa i shtuar ujë.

Kur të jenë gatuar thajini dhe lërini të ftohen në një enë të veçantë dhe më anë të një thikë të mprehtë pritini në fije të holla.

Ndërkohë zieni patatet, qërojini më pas nga lëkura dhe shtypini me kujdes derisa të përfitoni purenë e patateve.

Në një enë të thellë bashkoni patatet me spinaqin duke shtuar vezët, djathin e grirë dhe kripë.

Përziejini mirë derisa të përfitoni një masë kompakte të trashë dhe në formën e brumit.

Në rast se kjo masë është shumë e qullët mund të shtoni dy lugë gjelle therrime buke të thekur për t’a trashur.

Filloni të formoni masa të vogla rrethore me duar dhe sipas dëshirës mund të fusni brenda tyre edhe një copë djathi kaçkavall.

Rrotullojini me duar derisa të formohen toptha të vegjël.

Më pas zhyrtini në miell dhe thërrime buke të thekur në mënyrë që të qëndrojnë të lidhura.

Për pjekjen

Për këtë recetë mund të zgjidhni t’i skuqni apo t’i piqni qoftet tuaja.

Nëse do të zgjidhni t’i skuqni hidhni vajin në një tigan të thellë dhe prisni derisa të jetë i nxehtë.

Më pas shtoni qoftet dhe lërini të gatuhen derisa të kenë marrë një pamje të artë.

Nëse doni t’i përgatisni në furrë vendosini qoftet njëra pas tjetrës në një tavë të shtruar me letër pjekje.

Spërkatini me pak vaj ulliri dhe lërini të piqen në temperaturën 200 gradë për 10-15 minuta.

Mund t’i hiqni nga furra kur të kenë marrë një pamje të artë nga të gjitha anët.

Shërbejini të ngrohta në çdo vakt duke i shoiqëruar me produkte bulmeti sipas dëshirës.