Ismaili: Investimi në spitalin e Gjilanit do ta rris cilësinë e shërbimeve

Ismaili: Investimi në spitalin e Gjilanit do ta rris cilësinë e shërbimeve

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vizitoi sot Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku kanë nisur një sërë investimesh për përmirësimin e infrastrukturës së reparteve të këtij institucioni.

Ministri Ismaili gjatë kësaj vizite ka treguar se tashmë ka nisur puna për rinovimin e tërësishëm të Emergjencës.

“Spitali i Gjilanit ka pasur nevojë për investime. Kërkesës së pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë të këtij qyteti ju kemi përgjigjur me projekte konkrete për ndryshimin e gjendjes. Rinovimi i tërësishëm i Repartit të Emergjencës me infrastrukturë të re, pajisje moderne dhe inventarë të përshtatshëm medicinal, do ta rris cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore. Pas Emergjencës do të nis menjëherë rinovimi i Ambulancave Specialistike në të mirë pacientëve të këtij spitali”, tha ai.

Ismaili ka thënë se duke investuar në institucionet publike shëndetësore synohet që të rrihet cilësia dhe siguria e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.

Rinovimi i Repartit të Emergjencës në SP të Gjilanit përfshinë blerjen e aparaturave moderne, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, dyshemesë, nyjeve sanitare dhe punë të tjera. Po ashtu, do të blihet edhe inventari i ri medicinal për të gjithë repartin, me shtretër për pacientë, karroca, dollapë për barna, etj.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, tha se ky investim është shumë i mirëpritur. “Ka kohë që në Spitalin e Gjilanit nuk ka pasur investime për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Falënderoj Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministrin Ismaili për angazhimin që qytetarëve të Gjilanit t’u ofrojnë kushte më të mira për shërbimet mjekësore”, tha Hajrullahu.

Emergjenca e këtij Spitalit të Përgjithshëm nuk do të jetë investimi i vetëm që do të bëhet gjatë këtij viti. Brenda pak ditësh do të nis puna edhe për rinovimin e tërësishëm të Ambulancava Specialistike për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në të mirë të pacientëve të këtij spitali.


MË SHUME NGA Shëndetësi