Dështon gjykimi ndaj ish-vozitësve të AKP-së

Dështon gjykimi ndaj ish-vozitësve të AKP-së

Mungesa e të akuzuarit Nexhat Gjoka, është bërë shkak që të dështojë seanca e rigjykimit ndaj tij dhe ish-vozitësve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Abdurrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, si dhe ish-punonjësit të “Fer Petrolit”, Petrit Gjoka.

Avdyli, Demolli, Leci, Gashi dhe Dragusha po akuzohen se si vozitës në AKP, kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke prezantuar fatura fiktive se gjoja ishin furnizuar me derivate të naftës nga “HIB Petrol”, nga nënkontraktori i saj “Fer Petrol”.

Ndërkaq, Petrit dhe Nexhat Gjoka po akuzohen se si shitës në kompaninë “Fer Petrol”, ua kishin mundësuar këtyre të akuzuarve lëshimin e këtyre faturave.

I akuzuari Petrit Gjoka, ka njoftuar se i akuzuari Nexhat Gjoka ka probleme shëndetësore, prandaj nuk ka mundur të paraqitet në gjykatë.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi, ka bërë të ditur se ndaj Nexhat Gjokës do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Rrahim Jupolli, ishte ftuar në gjykatore në cilësi të përfaqësuesit të AKP-së, mirëpo ai ka bërë të ditur se  ka qenë dëshmitari kryesor në këtë rast dhe nuk ka cilësinë e përfaqësuesit të AKP-së.

Lidhur me këtë është deklaruar prokurori Ilaz Beqiri.

“Me rastin e përpilimit të aktakuzës në këtë çështje penale është propozuar që në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar të AKP-së të dëgjohet Rrahim Jupolli, mirëpo në gjykimin e kaluar është dëgjuar në emër të dëshmitarit, ndërsa si përfaqësues dikush tjetër. Andaj, propozoj të ftohet përfaqësuesi ligjor që do ta caktojë AKP”, ka thënë ai.

Kjo seancë pritet të mbahet më 23 shtator, 9:30.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me 18 prill 2017, të akuzuarit Abdurrahim Avdyli, Petrit dhe Nexhat Gjoka, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “keqpërdorim i besimit”, dhe secilit veç e veç i kishte shqiptuar dënim më gjobë në shumë prej 2.000 euro.

Ndërsa, të akuzuarit Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza.

Por, më pas ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, me 28 korrik 2017, pas ankesave të të akuzuarve, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte i paqëndrueshëm, i pakuptueshëm dhe i mangët dhe se nuk ishte kryer ekspertiza financiare, nga e cila do të konstatohej dëmi i shkaktuar AKP-së.

 

Në gjykimin e kaluar, prokurori Ilaz Beqiri kishte rikualifikuar veprën penale nga keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, në keqpërdorim të besimit, mirëpo në këtë rigjykim për shkak të anulimit të aktgjykimit nga ana e Apelit, tashmë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Nebih Murtezi, Mexhid Morina dhe Skender Gajtani, për të cilët prokurori në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj tyre, pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale.

Sipas akuzës së përpiluar më 8 prill 2015, nga data e pacaktuar deri në përfundim të vitit 2013, Amir Demolli, në cilësinë e ushtruesit të detyrës të mbikëqyrësit të transportit dhe vozitës, Abdurrahim Avdyli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, vozitës në AKP dhe anëtarë të komisionit për verifikimin e faturave për furnizimin me derivate të automjeteve zyrtare të AKP-së, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Këtë, sipas aktit akuzues e ka bërë në atë mënyrë që duke siguruar e më pastaj duke prezantuar fatura fiktive se gjoja se është furnizuar me derivate të naftës nga kompania e derivateve të naftës “Hib Petrol” dhe nënkontraktori i saj “Fer Petrol”, veturat zyrtare të AKP-së, komisionit, anëtar të të cilit kanë qenë të pandehurit në mënyrë rotative, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së rreth 7.659.00 euro.

Tutje, thuhet se i pandehuri Abdurrahim Avdyli, në periudhën kohore janar-mars 2014, në zyrat e AKP-së në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, si vozitës në AKP, zyra qendrore në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në mënyrë të kundërligjshme ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që më parë është furnizuar e pastaj në mënyrë të rrejshme ka prezantuar faturat e komisionit me të cilat gjoja se ka furnizuar me derivate të naftës automjete zyrtare, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e AKP-së rreth 2.800 euro.

Në këtë aktakuzë thuhet se nga data e pacaktuar deri në mars 2014, në pikat e shitjes të “Hib Petrol” dhe nënkontraktorit të saj “Fer Petrol”, të pandehurit Petrit Gjoka, në cilësi të menaxherit, ndërsa Nebih Murtezi, Nexhat Gjoka, Mexhid Morina, në cilësinë e shitësve në pikat e “Fer Petrol”, në Komoran dhe Drenas dhe Skender Gajtani, shitës në “Hib Petrol”, me qëllim që tjetrit t’i mundësojnë përfitimin e dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke iu lëshuar fatura fiktive të pandehurve, Rrahim Avdyli, Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, me ç’rast kanë dëmtuar buxhetin e AKP-së në shumë prej 10.459.00 euro. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi