Apeli vërteton dënimet për dy policët e akuzuar

Apeli vërteton dënimet për dy policët e akuzuar

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësve të të akuzuarve, Arben Shala dhe Tafa Murseli, duke vërtetuar kështu dënimet me burg të shqiptuar ndaj tyre nga gjykata e shkallës së parë.

Shala dhe Murseli ngarkoheshin nga prokuroria me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, pasi që akuzoheshin se nga i dëmtuari Sevdaim Bakija, i cili kishte shkaktuar aksident duke vozitur në gjendje të dehur, kanë pranuar 100 euro, me qëllim që të njëjtit mos t’i hapet rasti penal.

Lidhur me këtë vepër penale, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 8 mars 2019, i kishte shpallur fajtorë Arben Shalën dhe Tafa Murselin për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe të njëjtëve u kishte shqiptuar dënim me burgim nga gjashtë muaj, secilit veç e veç, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues në shkallë të parë, Naser Foniqi, me pëlqimin e dy të akuzuarve dënimi me burgim mund t’u zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 3.600 euro.

Në dënimin e shqiptuar, të akuzuarve u është llogaritur edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 26 shkurti deri me 26 mars 2014.

Dënim të njëjtë, të akuzuarve u ishte shqiptuar edhe në gjykimin e parë, më 14 nëntor 2017, mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim nga Apeli për shkak të shkeljeve që kishte konstatuar në aktgjykimin e Themelores.

E kthimin e serishëm të këtij rasti në rigjykim, apo lirimin e të akuzuarve nga akuzat, i kishin propozuar Apelit, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ibrahim Dobruna dhe Sevdali Zejnuallahu.

Sipas avokatëve mbrojtës së të akuzuarve, aktgjykimi i shkallës së parë ishte i përcjellë më e shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal.

Mirëpo, këto pretendime të mbrojtësve, i ka refuzuar si të pabazuara Gjykata e Apelit.

Sipas Apelit, aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të pretenduara në ankesa, që kishin për ta  kushtëzuar anulimin e aktgjykimit dhe gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka konstatuar se cilat fakte dhe për çfarë arsye i konsideron të vërtetuara, ka vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e vërtetimit ekzistimit  të  veprës penale.

Po ashtu, si të pabazuara i ka vlerësuar Apeli edhe pretendimet e mbrojtësve se gjendja faktike në këtë rast nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë.

“Gjykata e shkallës se parë, nga dëshmia e të dëmtuarit Sevdaim Bakija si dhe nga provat tjera materiale transkriptive të bisedave të zhvilluara në mes të akuzuarve dhe të dëmtuarit, e të cilat biseda janë regjistruar në CD dhe janë administruar si prova gjatë shqyrtimit gjyqësor drejtë ka vërtetuar, se të akuzuarit në cilësi të personit zyrtar-policit, kanë kryer veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Apeli e ka refuzuar edhe ankesën e prokurorisë e cila kishte kërkuar rritjen e dënimit për të akuzuarit, me pretendimet se me një dënim të tillë siç ishte shqiptuar nga shkalla e parë nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit.

Kjo, pasi siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, gjykata e shkallës së parë me rastin e caktimit të dënimit ka pasur parasysh rrethanat që kanë ndikuar në llojin dhe lartësinë e dënimit, e si rrethana lehtësuese ka marrë, sjelljen e të akuzuarve gjatë shqyrtimit gjyqësor, se më parë nuk kanë qenë të dënuar, kurse si rrethana rënduese ka marrë parasysh se kemi të bëjmë më vepër penale që lidhet me detyrën e tyre zyrtare, ndërsa prokuroria nuk ka cekur ndonjë rrethanë tjetër rënduese, e cila kishte për të ndikuar në ashpërsimin e dënimit.

“Sipas gjetjeve së kësaj gjykate, dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është në proporcion me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, ashtu që kjo gjykatë konsideron se dënimi i shqiptuar është drejtë në proporcion me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës se kryer penale dhe  shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, e sipas bindjes edhe të kësaj gjykate me dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarit në tërësi do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë në nenin 41 të KPRK.”, përfundon aktgjykimi i Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 nëntor të vitit 2017, Arben Shalën dhe Tafa Murselin, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Për këtë vepër, gjykata e shkallës së parë, dy zyrtarëve policorë u kishte shqiptuar nga gjashtë muaj burgim efektiv, por pas ankesave në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit, në mars të vitit 2018, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.

Tafa Murseli dhe Arben Shala, akuzohen se në cilësinë e zyrtarëve policorë, më 20 shkurt 2014, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Ata akuzohen se pasi nga i dëmtuari Sevdaim Bakija, i cili kishte shkaktuar aksident duke vozitur në gjendje të dehur, kanë pranuar 100 euro, me qëllim që të njëjtit mos t’i hapet rasti penal. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi