Mungon prokurori, dështon gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve doganorë

Mungon prokurori, dështon gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve doganorë

Mungesa e prokurorit Rafet Halimi, ka qenë shkak për mos mbajtjen e gjykimit, në rastin ku zyrtarët doganorë, Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, po akuzohen për marrje ryshfeti.

Bashkë me ta, për dhënie ryshfeti akuzohen Isak dhe Habib Luta, ndërsa për keqpërdorim të pozitës zyrtare, akuzohet zyrtari i firmës “Euro Joni Kosova”, Liridon Borovci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, akti akuzues ishte ngritur ndaj të akuzuarve Alban Krasniqi, Besnik Polloshka e Liridon Borovci, e më pas akuza ishte zgjeruar edhe për të akuzuarit Luta.

Gjatë seancës së mbajtur më 2 korrik, ishte bërë bashkimi i procedurës edhe për të akuzuarit Luta, pasi sipas kryetares së trupit gjykues, Nushe Kuka–Mekaj, rasti ka të bëj me prova të njëjta.

Sa i përket mungesës së prokurorit Halimi, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka–Mekaj, deklaroi se ai është njoftuar për vazhdim të seancës së shqyrtimit gjyqësor sipas aktvendimit që është marr në seancën e mbajtur më 2 korrik në procesverbal.

Sipas saj, prokurori është telefonuar në numrin kontaktues, mirëpo ai nuk e ka hapur telefonin dhe nuk dihen arsyen se pse ai nuk është paraqitur në gjykatore.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtje të seancës, kjo seancë është shtyrë dhe pritet të mbahet më 2, 3 e 4 shtator 2019.

Më 20 shtator 2018, prokuroria kishte bërë zgjerimin e akuzës ndaj të akuzuarit Habib Luta, e më 22 gusht 2018, ndaj të akuzuarit Isak Luta për veprën penale “dhënie e ryshfetit”.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 14 dhjetor 2018, i akuzuari për dhënie ryshfeti, Habib Luta, kishte pranuar se u kishte dhënë ryshfet dy zyrtarëve doganorë, Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, por kishte mohuar që të ketë kontaktuar drejtpërsëdrejti me ta, siç thuhet në aktakuzë.

“Unë kam dhënë para, por jo drejtpërsëdrejti, paratë ia kam dhënë Liridon Borovcit”, kishte deklaruar Habib Luta.

Por, Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë pranim e kishte konsideruar si të pjesshëm, me ç’rast e kishte refuzuar.

Lidhur me pranimin e fajësisë, mbrojtësi i të akuzuarit Habib Luta, avokati Bahtir Troshupa, kishte deklaruar se duhet të bëhet përmirësimi i akuzës, pasi që sipas tij, i mbrojturi i tij nuk kishte dhënë ryshfet drejtpërsëdrejti, por përmes të akuzuarit tjetër, Liridon Borovci, i cili kishte qenë në cilësinë e ndërmjetësit.

Lidhur me refuzimin e pranimit të fajësisë, prokurori Kujtim Munishi kishte deklaruar se epilogu i kësaj ngjarje shihet të jetë lirimi i të akuzuarve, ngase gjykata vazhdimisht i refuzon marrëveshjet e arritura midis tij dhe të akuzuarve.

Paraprakisht, gjykata kishte mbajtur një seancë dëgjimore, për shqyrtimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, e cila ishte lidhur midis prokurorit Kujtim Munishi dhe të akuzuarit tjetër Isak Luta, marrëveshje kjo e cila ishte refuzuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Metaj.

Në këtë rast, seancat fillestare janë bërë ndaras ndaj të akuzuarve, pasi që fillimisht i akuzuari Isak Luta kishte pranuar të hynte në negocim të marrëveshjes për pranim fajësie, por që më pas ajo ishte refuzuar nga gjykata.

Pas refuzimit të kësaj marrëveshje, ai ishte deklaruar i pafajshëm.

Gjithashtu, ndaras ishte mbajtur edhe seanca ndaj Liridon Borovcit, që gjithashtu kishte arritur marrëveshje për pranim fajësie, por që në seancën e 7 shtatorit të vitit 2018, ishte refuzuar nga gjykata.

Shkak i mos pranimit të kësaj marrëveshje, sipas gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj, është se veprimet e të akuzuarit Borovci në raport me shkresat e lëndës nuk përkojnë me një vepër të tillë penale.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 korrik 2018, ndaj  Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, zyrtarë doganorë, si dhe zyrtarit të firmës “Euro Joni Kosova”, Liridon Borovci.

Sipas aktakuzës, zyrtarët doganorë Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari tjetër Liridon Borovci, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Siç pretendon prokuroria, më 9 nëntor 2015, të akuzuarit Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, të dy në cilësinë e zyrtarëve doganorë, për ekzaminimin e mallit në Drejtorinë Rajonale të Doganës në Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre e tyre e qëllim që të përfitojë dobi pasurore, ku me rastin e zhdoganimit të mallit, kishin kërkuar nga Isak Luta dhe Habib Luta, si vozitës i kamionit, shumën prej 450 euro.

Ndërsa, siç pretendon prokuroria, i akuzuari tjetër, Liridon Borovci, si zyrtar i kompanisë “Euro Joni Kosova” duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të fitojë çfarëdo dobie pasurore, për vete apo për personin tjetër, dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, vazhdimisht ka biseduar me të akuzuarin Besnik Polloshka, dhe atëherë të akuzuarin Habib Luta, duke i bindur që të japin ryshfet shumën prej 450 euro, me qëllim të zhdoganimit të mallit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 7 qershor 2018, kishte pranuar kallëzim penal shtesë, për dy të dyshuarit për dhënie ryshfeti, Isak dhe Habib Luta.

Kështu, Prokuroria Themelor, në Prishtinë më 20 shtator 2018, kishte bërë zgjerimin e akuzës ndaj të akuzuarit Habib Luta, e më 22 gusht 2018, ndaj të akuzuarit Isak Luta, për veprën penale dhënie e ryshfetit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Isak Luta, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar të holla në shumën prej 450 euro,  zyrtarëve doganorë, Besnik Polloshka dhe Alban Krasniqi.

Sipas prokurorisë, këto veprime i kanë bërë me qëllim që mallin e sjell nga Habib Luta, ta zhdoganojnë, duke mos e lajmëruar si mall të ri, por si të vjetër sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës.

Me këto veprime të akuzuarit Isak dhe Habib Luta, akuzohen se kanë kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” nga neni 429 par.1 i KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi