Mbi 4 mijë persona kërkojnë ndihmë mjekësore nga i nxehti

Mbi 4 mijë persona kërkojnë ndihmë mjekësore nga i nxehti

Kosova po përballet këto ditë me temperatura të larta, të cilat, sipas Institutit Hidrometeorologjik, kanë arritur mbi 35 gradë celsius.

Ngritja e temperaturave ka rritur edhe numrin e personave që po kërkojnë ndihmë mjekësore. Brenda 24 orëve, vetëm në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndihmë mjekësore kanë kërkuar mbi 236 persona.

Derisa për shtatë ditë kanë qenë katër mijë persona, që për shkak të temperaturave të larta, kanë pasur probleme shëndetësore.

Prej këtij numri, deri në dhjetë për qind janë pacientë me sëmundje kronike, ku patologjia më e shpeshtë është hipertensioni, pacientë të sëmurë në të kaluarën me goditje në tru, në zemër e disa sëmundje kronike tjera. Kështu tha Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, sipas të cilit, për fat të mirë deri tani asnjë rast nuk ka përfunduar me fatalitet.

“Ndikimi i rrezeve të diellit ka efekt të dëmshëm, sidomos te personat me sëmundje kronike. Mund t’i riaktualizojë shfaqjen e sërishme të sëmundjeve, si goditjet në zemër, goditje në tru e të tjera. Duhet të marrin ushqim të pasuruar me vitamina dhe të pinë dy litra ujë në ditë”.

“Nënat shtatzënë dhe fëmijët e vegjël po ashtu duhet të ikin nga temperaturat e larta. Të gjitha këto raste që kërkojnë ndihmë janë të ndikuara drejtpërdrejt nga i nxehti dhe këshilla jonë është që nga ora 11:00 deri në orën 17:00, njerëzit të mos u ekspozohen rrezeve të diellit”, tha Lenjani.

Në anën tjetër, Drita Telaku, drejtoreshë në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike, i tha Radios Evropa e Lirë se është rritur edhe numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, kryesisht nga diarreja dhe të vjellat, por jo edhe nga ekspozimi i tepruar në diell.

“Nuk kemi numër të shtuar të fëmijëve që për shkak të nxehtit kërkojnë ndihmë mjekësore. Janë deri në 25 fëmijë që ne i pranojmë në klinikë. Falë prindërve, vetëdijes më të lartë, po i ruajnë fëmijët nga temperaturat e larta, ne kemi ecurinë e zakonshme. Ndërkaq numër të rritur e kemi ‘rota virusin’, infeksionet e barkut, kryesisht helmime me ushqim. Megjithëkëtë, këto ndryshime i presim çdo vit”, tha Telaku.

Sidoqoftë, edhe zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, kanë rekomanduar që fëmijët, njerëzit e moshuar dhe ata me sëmundje kronike, të mos u ekspozohen temperaturave të larta dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.

Evropa, sivjet është përballë me temperatura të larta. Gjermania, Polonia dhe Republika Çeke kanë regjistruar temperaturat më të larta ndonjëherë në muajin qershor. Temperaturat rekorde, detyruan vendet si Franca dhe Zvicra që t’i mbyllin edhe shkollat.