Studimi i ADN-së, udhëzues drejt shërimit të kancerit

Studimi i ADN-së, udhëzues drejt shërimit të kancerit

Kurat për kancerin po bëhen më të sakta dhe më pak të rënda për t’u përballuar. Tashmë ato janë shpesh më të shkurtra dhe mund të prodhojnë rezultate më të mira se terapitë tradicionale të kancerit.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson njofton për një sërë zhvillimesh të reja në këtë drejtim, madje edhe për testimin e ADN-së së një tumori.

Kimioterapia, rrezatimi dhe kirurgjia janë trajtime standarde për të luftuar kancerin. Por, kimioterapia dhe rrezatimi vrasin bashkë me qelizat malinje edhe qelizat e shëndetshme, dhe shoqërohen me efekte të rënda anësore.

Trajtimi i kancerit po zhvendoset tani drejt mjekimit preçiz dhe terapive që godasin vetëm kancerin, por jo qeliza të tjera.

Për shembull, radiacioni i përqendruar mund të përdoret tek gratë që kanë kancer të fazës fillestare, pasi kirurgjia ka hequr tumorin malinj. Efektet anësore janë minimale dhe kërkon shumë më pak kohë se terapia me rrezatim në gjoks.

“Kura e shkurtër 5-ditore është e barasvlershme me të gjithë rrezatimin që zgjat katër deri në gjashtë javë”, thotë Julia White, e Qendrës së Kancerit në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

Kura të tjera shfrytëzojnë vetë sistemin imunitar të trupit.

“Është tashmë shumë e qartë se sistemi imunitar i pikas qelizat kancerogjene dhe i percepton si jonormale. Nëse hedhim në sulm sistemin imunitar, ai mundet t’i sulmojë dhe shkatërrojë qelizat kancerogjene në një mënyrë shumë efikase”, thotë William Nelson, i qendrës “Johns Hopkins Medicine”.

Një kurë tjetër teston qelizat e kancerit për të përcaktuar përbërjen e tyre gjenetike, në mënyrë që në vazhdim të përdoret ilaçi i krijuar posaçërisht për të vrarë vetëm ato qeliza.

“Bëhet fjalë për të goditur në zemër të qelizave që u shndërruan në kancer. Ky është thelbi i mjekësisë preçize”, thotë Marcia Brose, e Qendrës Abramson për Kancerin, në Universitetin e Pensilvanisë.

Kanceri i secilit pacient është unik, ashtu siç është ADN-ja. Kjo përcakton edhe se çfarë ilaçi do të funksionojë më mirë. Qelizat e shëndetshme nuk preken dhe gjithashtu mund të eliminohen efektet anësore tek pacienti.

“Shumë pak prej tyre kanë patur ndonjë efekt anësor që duhej trajtuar. Në nja dy raste që kemi patur, thjesht ua kam ulur dozën një shkallë. Jo vetëm që është zhdukur efekti anësor, por edhe kura vazhdon të jetë efikase.

Për momentin, impakti më i madh ndjehet nga pacientët, të cilëve nuk u është kuruar dot më parë kanceri, apo atyre që u rikthehet, ose u përhapet në pjesë të tjera të trupit”, thotë zonja Brose.

Rezultatet janë shumë premtuese.

“Më vjen për shembull një pacient të cilit i është thënë se do të jetojë edhe për tre muaj. Ka një kancer që nuk është i trajtueshëm dhe të cilit kimioterapia nuk i bën efekt. I dhashë ilaçin tonë, gati katër vite më parë, dhe ai sot nuk ka asnjë shenjë të sëmundjes. Takova një tjetër grua që ka tumor sarkomë, në karrige me rrota dhe me maskë oksigjeni. Në epokën time, ajo do të na kishte lënë brenda vitit. Dhe, është ende gjallë pas tre vitesh dhe madje u ngjitet kodrave së bashku me fëmijët e saj”, thotë zonja Brose.

Këto terapi janë ende të reja, por specialistët e kancerit thonë se terapia e përqëndruar, qoftë rrezatimi i fokusuar, imunoterapia apo testimi i genomeve, të pasuar nga mjekimi preçiz, janë e ardhmja e trajtimit të kancerit.


MË SHUME NGA Shëndetësi