Rruga ballkanike e emigrantëve, ja masat ndaluese të Italisë

Rruga ballkanike e emigrantëve, ja masat ndaluese të Italisë

Autoritetet italiane shprehin preokupim për rinisjen e fluksit të emigrantëve klandestinë që nëpërmjet rrugës ballkanike mbërrijnë në Itali.

Pasi zbarkojnë në Greqi, emigrantët klandestinë përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjës e Sllovenisë futen në rrugë tokësore në territorin italian.

Shifrat zyrtare flasin për një dyfishim të numrit të tyre në krahasim me një vit më parë.

Nëse më 2019  fluksi i emigrantëve nga Afrika që përmes Mesdheut mbërrijnë në brigjet italiane, ka shënuar në krahasim me një vit më parë një reduktim të ndjeshëm deri në -85%, krejt ndryshe prezantohet situata e lëvizjes së emigrantëve klandestinë përmes rrugës tokësore të Ballkanit.

Fakt ky që ka detyruar autoritetet italiane e sllovene të hartojnë një marrëveshje për një patrullim të përbashkët të kufirit mes forcave policore sllovene e atyre italiane.

Patrullat policore italo-sllovene kanë nisur punën në ditët e para të muajit korrik e do të vazhdojnë deri më 30 shtator. Do të lëvizen përgjatë gjithë kufirit tokësor në 4 patrulla javore e kanë si objektiv reduktimin e numrit të emigrantëve klandestinë që lëvizin përmes Ballkanit.

Sipas të dhënave zyrtare nga fillimi i vitit 2019 e deri më sot janë 5036 emigrantë të cilët kanë përdorin kufirin tokësor me Slloveninë për të hyrë ilegalisht në Itali. Ndërsa në gjithë vitin 2018 numri i tyre ishte vetëm 3612.

Në Ministrinë e Brendshme Italiane sot (5 korrik 2019), Ministri Slavini është takuar me autoritetet lokale të rajonit Friuli Venezia Giulia në territorin e të cilit ndodhet dhe kufiri me Slloveninë e ka premtuar një rritje të numrit të forcave të policisë në këtë rajon.

Italia ka kërkuar një impenjim më të madh  të vendeve në të cilat kalon rruga ballkanike, për të kontrolluar kufirin tokësor e penguar emigrantët klandestinë të mbërrijnë në Itali.

Gjatë orëve të fundit policia italiane ka shkatërruar një grup kriminal i drejtuar nga shtetas pakistanë të cilët merreshin me organizimin e trafikut të emigrantëve klandestinë e që paguanin rreth 2000 euro për të hyrë përmes Ballkanit në Itali.

Në takimin e zhvilluar në Romë me autoritetet policore të vendeve ballkanike mes të cilëve Shqipëria, kreu i policisë italiane Franko Gabrielli përcolli tek homologët e tij shqetësimin e rrugës ballkanike të emigracionit klandestinë./oranews