Komuna anulon lejen për renovimin e objektit të zyrës së PDK-së

Komuna anulon lejen për renovimin e objektit të zyrës së PDK-së

Kryetari i degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, përmes një konference për media, ka kritikuar drejtorinë e Urbanizmit dhe kryetarin e komunës, se pasi është dhënë leja për renovimin e objektit të kësaj partie, pas 24 ore është anuluar leja.

Në anën tjetër, kryetari Haskuka, thotë se në kërkesë nuk janë plotësuar të gjitha procedurat e nevojshme nga qiramarrësi.

Të shtunën, kryetari i degës së PDK-së, Shaqir Totaj, në një konferencë për media ka thënë se në adresë të drejtorisë së Urbanizmit është dërguar kërkesë për lejimin e punimeve në renovimin e objektit të partisë së tij. Ai thotë se së pari kërkesa na është miratuar dhe punimet kanë filluar, ndërsa më pas, na është sjellur një vendim për anulim të lejes me ç’rast edhe punimet janë ndaluar.

Kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, tha se ky veprim i pushtetarëve lokal është i çuditshëm, pasi që institucionet tjera sikurse është QRTK-ja na ka dhënë pëlqimin për realizimin e punimeve në objekt. Kjo ndërprerje e punimeve sipas tij,mund të ndikojë që objekti në fjalë të pësojë dëmtime nga reshjet e mundshme atmosferike.

Në anën tjetër, kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, tha se anulimin i lejes është bërë pasi që pas dhënies së saj, është vërejtur se në kërkesën e bërë nga dega e PDK-së nuk janë plotësuar të gjitha specifikacionet që do ta bënin proceduren e kompletuar ndaj qiradhënësit, që në këtë rast është vet ai. Me plotësimin e specifikacioneve të kërkuara, dhënia e kësaj leje nuk do të paraqiste problem, theksoi ai.

Ndryshe në këtë objekt janë realizuar disa punime, dhe vlen të përmendet se ai ndodhet në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, i ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar, saktësisht në vitin 1903.